Ironike/Shërbeu për ta bërë Kurtin një lloj heroi
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2023/06/00EA6F47-CE72-46F5-AE50-0ED377F1AA7B_2023_06_13_22.jpeg?itok=lK5OfBpF)
Nëse sheh reagimet pas konferencës së Edi Ramës sot, e kupton se ka një pakënaqësi masive ndaj vendimit të tij për anullimin e pjesëmarrjes në mbledhjen e përbashkët me qeverinë e Kosovës. Kjo edhe pse z. Rama nuk arrin dot shumë shpesh që edhe kur jep arsye formalisht bindëse të tingëllojë i besueshëm. I bërë si pulë e rrahur, me zë të lodhur, i njëjti njeri që hakërrehet ndaj Europës për amnistinë fiskale, sot u pa të zbythej sikur t’i kenë komunikuar qametin.
Zoti Rama mund të ketë mbështetje ngado, në BE, ShBA. Ai mundet edhe të votohet masivisht, atij i ngrihen edhe mëngë. Por zoti Rama e di se nuk ka qenë asnjëherë ajo që ai ka ëndërruar: heroi i vetëm i shqiptarëve. Ai, emri i të cilit të dallojë nga të tjerët. Sa herë janë dashur qëndrime të forta, që lidhen me përgjegjësi reale, z. Rama ka bërë atë që di më mirë: të dredhojë. Dhe meqenëse siç thotë ai “shqiptarëve nuk ua ha qeni shkopi për politikë”, është e qartë se askush nuk e merr atë për heroin e ndryshimit, as atin e modernizimit. E marrin për atë që është: dallaveraxhiu më i suksesshëm në Tiranë.
Ajo që z. Rama ka bërë sot, apo ka qenë i detyruar të bëjë, ka pasoja të cilat ai i kupton fare mirë: përveçse ka diskredituar veten përballë një kategorie shqiptarësh që nuk e kuptojnë dot këtë qëndrim, z. Rama ka ndihmuar ta bëjë Kurtin të duket si ai heroi i vetmuar, rruga e të cilit ndiqet vetëm nga disa dishepuj dhe ka si destinacion sakrificën. Pak rëndësi ka nëse kjo është e vërtetë, në këtë rast z. Rama, të cilin e mbajnë për mjeshtër të imazhit, shërbeu si katalit për glorifikimin e Albin Kurtit, me të cilin sot në sytë e shumëkujt e ndan një diferencë e madhe morale dhe kapaciteti për të mbrojtur qëndrimet e veta.
Ajo që bën Kurti sot nuk është diçka e komplikuar: ai po luan me virtytin e njeriut në krye të qeverisë, diçka që është harruar ndër shqiptarë. Nuk hyjmë në motivet e tij, por shfaqjen. Nga ana tjetër akuza për antiamerikanizëm është e sajuar keq sepse proamerikanër kryesorë qëllojnë të jenë ndër më të korruptuarit ndër shqiptarët. Për ta kuptuar sesa e qartë është kjo mjafton të lexojmë situatën në Shqipëri: PS-ja fiton sepse opozita është njësoj me të, e diskredituar, e pamoralshme, servile e ambasadave dhe mbushur me të korruptuar. Ky është mesazhi që vjen ngado ta lexosh sjelljen e një pjese të elektoratit dhe këtu do kuptuar dashamirësia ndaj Kryeministrit të Kosovës.
Ka një arsye shumë të rëndësishme në të gjithë këtë: historia e secilit kushtëzon rezultatin. Kurti nuk ka dosje të hapur kund, karriera e tij lidhet me protestat. Çfarë mund të themi për z. Rama! Sado racional të jetë qëndrimi i tij, ai mban era pafuqi, dobësi, hile. Dhe këto intuitizohen duke prodhuar një faturë që fryhet shumë për shkak të kontrastit me Kurtin, ai kontrast që nuk ekziston në Tiranë. Le ta kuptojnë pra edhe ata që e marrin për të pathyeshëm z. Rama sesa i dobët është dhe se arma ndaj tij është bazike: ndershmëria reale që mban në këmbë mandej një politikë të besueshme.
s.zaimi
Comments
Heroi i gjithe shqiptareve
Heroi i gjithe shqiptareve donte te ishte Kurti, se e kishte bashkimin kombetar qellimin final, por e harroi,pastaj nuk mjaftoi te ishte kryeminister i Kosoves por konkuroi perballe Edit ne Shqiperi dhe sic mund te pritej u kthye me bisht nder shale pasi fitoi 0,0000.. e sdi sa zero te tjera para shifres.
Rënia e miteve
Problemi me anaiza te tilla qe i sheh shpesh ketu eshte ngritja e miteve te rreme 'per inat te mullixhiut' te Tiranes. Mitizohet Kurti se nuk shkon mire me mullixhiun, mitizohet Berisha se eshte kundershtar formal i mullixhiut (se per te shkuar shkojne aq shume sa nuk dihet ku mbaron njeri e ku fillon tjetri), etj, etj, Madje mitizohet dhe Putinit se eshte kundershar i Biden dhe ky i fundit e 'ka mire' me mullixhiun.
Njelloj tifozlleku qe i shkon shume futbollit por jo nje analize te mirefillte.
Ajo qe eshte e qarte, eshte qe 'partneret k@qe medhenj' kane bere nder mend ta fshikullojne publikisht Kurtin dhe nuk e duan kete mullixhiun tjeter neper kembe duke bere si atdhetar i madh qe ben lojra lagjesh me mbledhje qeverish. Ky pastaj del e ben role sikur ky ka ne dore te gjitha celsat e mullirit dhe ka vendosur mos e leshoje ujin kesaj rradhe. Pune spurdhjakesh dmth.
delirant politik...analize me
delirant politik...analize me mllefe..jo analize politike..kur diskutohet mbi ceshtjen kombetare nuk mund te fusesh problematika si korrupsioni aftesia per te qeverisur imazhi e deshira...ngrihesh nje grade me siper e sheh interesin kombetar.nuk i plas njeriu kush ben heroin,i plas kush ben zgjedhjen e duhur..dhe fatkeqsisht rama ka te drejte.ti pa amerike e be nuk mund te ekzistosh.ne jemi dhe dhi te zgjebosura dhe bishtin perpjet.nuk na duhen politikan fodulla kokfort e jo fleksibel..politika eshte kompromis..eshte zgjedhje..eshte tolerim dhe po nuk ke vizionin e duhur dhe kapacitetin per dialoguar ik se sje per ate pune.je thjesht nje delirant .nese politikanet tane mendojne e gjykojne me ego personale kushdo qofte ai ne shqiperi e kosove e nuk dine te bejne nje hap mbrapa nuk eshte i denje per ne...
Add new comment