Çfarë është më serioze: Mbledhja e Këshillit të Sigurimit në Tiranë, apo hetimi për trukim ndeshjeje në Kosovë?
Sot në Tiranë është mbajtur një mbledhje shumë e rëndësishme: “Gjendja e sigurisë kibernetike dhe masat e marra për forcimin e mbrojtjes kibernetike në Republikën e Shqipërisë”. Janë mbledhur aty shumë njerëz të rëndësishëm që kanë folur për aktivitete hibride të Iranit, ndaj të cilave do merren padyshim masa serioze, si vetë lajmi që po raportojmë. Dëgjoni sesi flet kreu i Këshillit të Sigurimit KombëtaNë r, Presidenti Bajram Begaj. Ai po lexon një letër, i emocionuar dhe gati sikur t’ia kenë diktuar. Ta sjellim p.sh këtë paragraf:
Do vijojmë me përmirësimet e duhura ligjore, investimet në teknologji, arsimimin, trajnimin dhe ndërgjegjësimin e specialistëve, ekspertëve dhe të gjithë përdoruesve të cilët kanë akses në sisteme teknologjike për krijimin e kultura së sigurisë kibernetike
Çfarë do të thotë ndërgjegjësim i specialistëve për sigurinë kibernetike? Ia ka haberin presidenti apo jo kësaj teme, pasi siguria në sistemet kibernetike është protokoll i detyruar, nuk i lihet ndërgjegjësimit. Sesa e zbaton atë protokoll kjo është tjetër punë, por edhe këtu përgjegjësia është penale, ose ligjore, jo fetare dhe morale.
Për çështjet e sigurisë dhe se çfarë përkufizon kjo fjalë në vetvete, na duhet të bëjmë një krahasim minimalist. Dje në Kosovë raportohej ta zëmë ky lajm:
Dyshimet për kurdisje në ndeshjen Ferizaj – Dukagjini, Prokuroria jep detaje të reja
Pra, në Kosovë organi hetimor nis veprimet pas dyshimeve për trukim ndeshjesh në Superligën e futbollit, në Shqipëri gjëra të tilla as që imagjinohen. Ndeshjet në Shqipëri janë një shfaqje ku gërshetohet injoranca, pisllëku, deformimi njerëzor, atrofia fizike, ligësia, matrapazllëku, era e keqe, e gjitha nën kafka asimetrike prej nga ku emetohen ulërima parahumanoide që e bëjnë të duket vrimën e ozonit shpresën e fundit për djegien me ultraviolet të kësaj dëshmie se ekzistenca mund të jetë edhe vetëm zanore. Pse në Shqipëri nuk nis hetimi kurrë për ngjarje të tilla “të vogla” si trukimi i një ndeshjeje? Vallë kaq e parëndësishme është një gjë e tillë? Apo shtetarët tanë si Begaj dhe kryeministri Rama në krah, që i tepron me madhështinë e vet planetit, merren me gjëra më të mëdha?
Mund të duken si dy çështje pa lidhje me njëra-tjetrën, por drejtësia dhe serioziteti i një qeverie, i një shteti, por edhe i atyre që drejtojnë kuptohet te “gjërat e vogla”, te metoda dhe trajtimi i tyre. Ndaj nëse duam të kuptojmë dallimin në këtë rast, e kemi. Si mundet që të merret seriozisht një Këshilli Sigurie që mblidhet për sulmet kibernetike për të “dekretuar” sa të aftë jemi? Si mundet një president republike të mos kërkojë nxjerrje përgjegjësish për atë që ndodhi, por të pranojë të bëhet papagall i një leximi që tingëllon cinik për pozitën ku ai është vënë dhe të cilën e pranon, por edhe për mbarë vendin që ka shpenzuar qindra milionë që të dështojë suksesshëm në sektorin kibernetik?
s.zaimi
Add new comment