Tashmë i Papërshtatshëm për të ndërmjetësuar diçka mes Serbisë dhe Kosovës

Postuar në 08 Qershor, 2023 00:32

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar sot në një intervistë për “France24” se një ndër arsyet pse ka aktualisht tension është skualifikimi i tezës së shkëmbimit të territorit, eufemizëm për ndarjen e Kosovës siç tha ai, dhe fakti se Beogradi nuk do të zbatojë marrëveshjet e arritura sepse në thelb ato implikojnë njohjen de facto.

Zoti Kurti natyrshëm që e shmang diskutimin mbi Asociacionin e komunave serbe, sepse ai karikon një nerv të tepërt opozitarizmi, ndërkohë që është e qartë se vetë kryeministri nuk e do Asociacionin veçse si pjesë të një pakete në të cilën Serbia të humbasë dinjitetin dhe pretendimet e veta në një fitore që nuk quhet e tillë. Diplomaci. 

Nga ana tjetër Kurti ka vënë në dukje se largimi i Listës Serbe nga institucionet qëlloi të ishte keqllogaritje pasi u shpresua se sistemi i Kosovës do të pësonte kolaps duke deklaruar mandej se Veriun e kontrollon Serbia. Kurti tha se me largimin e 500 policëve serbë, Prishtina caktoi 500 policë shqiptarë dhe këtu në fakt kemi një tjetër aspekt të padukshëm të acarimit të Beogradit. Si do t’i nxjerrë nesër këta policë nga Veriu? 

E parë në këtë optikë dhe në kontekstin ku NATO shton personelin e sigurisë, qëndrimet e të Dëguarit amerikan vijnë nê të kundërt, çka duket se shpjegohet vetëm me dështimin e Gabriel Escobar në këtë betejë që është edhe betejë nervash. Nga Beogradi z. Escobar deklaroi se Asocacioni do të bëhet, me apo pa qeverinë Kurti, duke kënë të kuptohen shumë gjëra: 

Së pari se ShBA po del garant në Beograd për territorin e tjetërkujt dhe këtë e bën një diplomat që nuk shkon më lart se një burokrat

Së dyti, se ai po nxit opozitën kosovare të kargojë Kurtin nga qeverisja. Një manovër kjo që nuk kalon pa dëmtuar imazhin e ShBA-ve për mënyrën sesi po vepron. 

Aty ku kryeministri i Kosovës që është palë në proces flet për Marrëveshje me Serbinë dhe nevojën e zbatimit të saj, Escobar flet vetëm për një pjesë të saj duke adresuar një shqetësim propagandistik të Serbisë. Escobar nuk ka tagrin të zgjidhë mosmarrëveshjen, por të ndërmjetësojë mes palëve pa rënë në këtë pozitë shantazhuesi. Duke ditur natyrën delikate të çështjes është e qartë se si diplomat ai ka bërë një gabim të pafalshëm që ka referuar Asocacionin me këtë gjuhë, kur ai është vetëm një nga çështjet e Marrëveshjes për normalizim.

Mjafton vetëm kjo që Escobar të shpallet i papërshtatshëm për të vijuar si ndërmjetës për dialogun mes dy palëve, pasi ai është shndërruar tashmë në një person që ka humbur qetësinë dhe që bën zëdhënien e një zgjidhjeje të cilën e sheh vetëm ai si të tillë. Është e udhës që, nëse vërtet Veriu i Kosovës qenka kaq shqetësim ndërkombëtar, Escobar ose të zëvendësohet, ose dikush me një profil më të lartë duhet të angazhohet në këtë çështje.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.