Ndërron jetë Robert Hansen, "spiuni më i dëmshëm në historinë e ShBA-ve"

Postuar në 06 Qershor, 2023 00:11

Ka ndërruar jetë në moshën 79 vjeçare, Robert Hansen, ish-zyrtar i Byrosë Federale të Hetimit(FBI) që konsiderohet si njolla më e madhe në historinë e goditjeve të spiunazhit të huaj ndaj ShBA. Mjafton vetëm fakti që veproi 24 vjet pa u pikasur ndonjëherë për të kuptuar jo vetëm dëmin, por edhe trukimin që iu bë FBI-së në administrimin e informacionit të vjelë. 
Hansen u arrestua në vitin 2001 pas kishte lënë dokumente për operativët rusë që e udhëzonin. 
Hansen ishte dënuar me burgim të përjetshëm dhe u gjet i vdekur në qelinë e tij në një burg të Colorados. 
Ai iu bashkua Byrosë në vitin 1976 si agjent special dhe mbajti disa detyra në sektorin e kundërzbulimit. Në vitin 1979 nisi spiunazhin në favor të sovjetikëve. E ndërpreu aktivitetin pasi u zbulua rastësisht nga e shoqja, por rinisi në vitin 1985.

Ai zbuloi emrat e oficerëve sovjetikë që punonin për ShBA, u zbuloi atyre faktin se FBI dhe NSA kishin ndërtuar një tunel poshtë ambasadës sovjetike në Washington, informacion ky që vlerësohet se i kushtoi amerikanëve qindra milionë dollarë. Gjatë gjithë aktivitetit të tij ai mori nga Moska 1.4 milionë dollarë në këmbim të informacioneve tepër sekret. 
Dyshimet mbi të ishin rrethanore dhe nuk lidheshin konkretisht me të. Me arrestimin në vitin 1990 të Aldrich Ames, CIA dhe FBI nisën të dyshojnë se sovjetikët kishin një burim të dytë informacioni. Vetëm në vitin 2000 u provua lidhja e tij dhe kjo përmes dokumenteve ruse. 

Ish-rezidenti i KGB-së në Washington, operativi ku Hansen merrte detyrat dhe udhëzimet, Viktor Cherkashin, ka shkruar gjeresisht për të në librin e tij “Gjuetari i spiunëve”, sjellë edhe në shqip. Cherkashin flet për një person shumë ambicioz dhe shumë të aftë, që u injorua nga burokracia e FBI, njësoj si rasti analog sovjetik, ai i Oleg Penkovskit. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.