“OSBE-ja mund të shkojë në kolaps”
Ministri i Jashtëm finlandez paralajmëron një ngërç të mundshëm në punën e OSBE-së. Pekka Haavisto thotë se Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) mund të shkojë në kolaps nëse Rusia dhe Bjellorusia nuk miratojnë kryesimin e Estonisë në vitin 2024.
Çdo vit, një nga shtetet anëtare të OSBE-së mban kryesimin e organizatës me rotacion. Kandidati duhet të miratohet nga të gjithë anëtarët e OSBE-së. Sipas portalit finlandez Yle, Rusia dhe Bjellorusia nuk e kanë miratuar kandidaturën e Estonisë. Por kjo e fundit nuk ka ndërmend të tërhiqet nga perspektiva e kryesimit të organizatës. Kjo e bën të mundshme një krizë në funksionimin e OSBE-së brenda gjashtë muajve të ardhshëm.
“Nëse nuk ka kryetar [të organizatës] në vitin 2024 dhe nuk ka konsensus për këtë çështje, viti i ardhshëm do të jetë viti kur OSBE-ja do të pësojë kolaps si organizatë”, tha kryediplomati finlandez, duke shtuar se kjo mund të ndodhë përpara se Finlanda të marrë presidencën e radhës në 2025.
Gazeta austriake “Die Presse” raportoi në prill se Austria ishte e gatshme të ofrohej si kandidate alternative për kryesimin e OSBE-së në vitin 2024 nëse nuk mund të arrihet konsensus për miratimin e kandidaturës së Estonisë për shkak të mosmarrëveshjeve të mundshme nga ana e Rusisë. Edhe “Die Presse” vë në dukje se Rusia ka refuzuar të mbështesë kandidaturën e Estonisë në një takim ministror në Stokholm në fund të vitit 2021.
Presidenca e radhës e OSBE-së përcaktohet dy vjet para fillimit të mandatit, i cili zgjat një vit kalendarik. Maqedonia e Veriut ka presidencën e radhës që nga 1 janari 2023.
Pesëdhjetë e shtatë vende janë anëtare të OSBE-së, organizata më e madhe rajonale e sigurisë në botë. Deri në vitin 1994, ajo njihej si Konferenca për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (KSBE).
Add new comment