As riciklimi nuk na shpëton nga plastika
Riciklimi nuk është mënyra më e miër për t’u çliruar nga mbetjet plastike. “Plastika është e papajtueshme me një ekonomi që funksionon mbi parimin e qarkut të mbyllur”, thuhet në raportin e fundit të Greenpeace. Ndërsa pritet të iniciojë bisedime të reja për një traktat të ri global për plastikën, Greenpeace thekson se shpërbërja e këtij materiali për riciklim prodhon ndotje mikroplastike.
Vitin e kaluar, përfaqësuesit e 173 vendeve ranë dakord të zhvillojnë një traktat ligjërisht detyrues që mbulon "ciklin e plotë të jetës" së plastikës, nga prodhimi deri në asgjësim, që do të negociohet gjatë dy viteve të ardhshme.
Takimi është parashikuar javën e ardhshme dhe ka që tani polemika në lidhje me përjashtimin nga bisedimet e vendeve në zhvillim, të cilat shpesh janë të parat që dëmtohen nga hedhja dhe djegia e mbetjeve plastike dhe pikërisht në to kryhet 60% e operacioneve të riciklimit. Punëtorët që përfshihen në këtë proces janë anonimë, të pambrojtur dhe të diskriminuar. Duke mos pasur akses në kujdesin shëndetësor, ata përballen me infeksione, sëmundje të mushkërive dhe kancer, pasi e kalojnë pjesën më të madhe të kohës mes mbetjeve toksike, duke thithur tymin nga plastika e djegur dhe duke siguruar jetesën në kushtet më të këqija të mundshme.
"Industria e plastikës, duke përfshirë kompanitë e karburanteve fosile, petrokimike dhe të mallrave të konsumit, vazhdon të nxisë riciklimin e plastikës si një zgjidhje për krizën e ndotjes plastike,” thotë Graham Forbes, i cili drejton fushatën globale të plastikës në Greenpeace USA – Por toksiciteti i plastikës në fakt rritet me riciklimin. Plastika nuk ka vend në një ekonomi me qark të mbyllur dhe është e qartë se e vetmja zgjidhje reale për t'i dhënë fund ndotjes plastike është reduktimi masiv i prodhimit të saj."
Përafërsisht 8 miliardë tonë plastikë janë prodhuar që nga vitet 1950. Vetëm 9% e kësaj sasie riciklohet. Sikur të mos mjaftonte kjo, materiali i ricikluar ka një përqendrim më të lartë të kimikateve toksike, gjë që shumëfishon efektin negativ në shëndetin e njeriut, te kafshët dhe në mjedis.
Pavarësisht kësaj, prodhimi i plastikës është i destinuar të trefishohet deri në vitin 2060. Greenpeace kërkon që plastika tashmë ekzistuese të ripërdoret sa më shumë që të jetë e mundur. Objektivi fundor mbetet gjithmonë i njëjti: krijimi i teknologjive të depozitimit të mbeturinave që nuk përfshijnë djegien ose groposjen e tyre.
Add new comment