“Falë Marrëveshjes së Prespës, tani jemi më pranë Greqisë sesa Turqisë”

Postuar në 22 Maj, 2023 12:53

Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, thotë se marrëveshja e Prespës afroi Maqedoninë e Veriut me Greqinë, duke i bërë dy popujt ta shohin njëri-tjetrin si miq. Në një intervistë për greken Kathimerini, pak para zgjedhjeve të së dielës, Zaev shprehet se marrëveshja e emrit, e arritur 4 vjet më parë, ka sjellë përfitime të dyanshme, duke e afruar Greqinë më pranë Maqedonisë së Veriut sesa Turqia.  

Si do ta përshkruanit situatën në vendin tuaj pas zbatimit të marrëveshjes së Prespës?

Është më e mirë se më parë, sepse njerëzit panë përfitimet që rrodhën prej saj. Normalisht që vendet tona edhe para marrëveshjes kanë pasur një lloj bashkëpunimi ekonomik. Por tani, pas marrëveshjes së Prespës, gjithçka është e hapur. Ka pasur shumë investime nga Greqia në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në energji, ndërsa gjatë periudhës së koronavirusit Greqia na ka ndihmuar duke na ofruar vaksina. Tani po ndërtojmë një treg të përbashkët energjie dhe po përpiqemi të jemi elastikë dhe më të përgatitur për krizat e ardhshme energjetike. Ne jemi një rajon i vogël dhe nëse bashkëpunojmë, do të jemi vërtet më të fortë.

Keni ende tensione të brendshme për emrin e ri apo për historinë e lashtë maqedonase?

Disa parti të djathta ende nuk e pranojnë, por tani është në Kushtetutën tonë. Nuk është vetëm miratimi i marrëveshjes në Kuvend, por ne ndryshuam edhe Kushtetutën përmes kësaj marrëveshjeje. E di që pavarësisht se çfarë do të ndodhë në Maqedoninë e Veriut në të ardhmen, Kushtetuta duhet të respektohet. Edhe kreu i opozitës e pranoi publikisht se nuk janë bërë hapa prapa. Prandaj, ne duhet të vazhdojmë për të ardhmen. Ashtu siç kundërshtohej opozita greke në atë kohë, sot si qeveri po gjejmë mënyra dhe po vazhdojmë të punojmë së bashku sepse askush nuk dëshiron të shkatërrojë diçka që është e dobishme për të dyja palët.

Pra opozita e VMRO-së do ta respektojë marrëveshjen dhe nuk do ta anulojë atë?

Unë besoj se po, po. Ata duhet të respektojnë marrëveshjen; duhet të ndjekin Kushtetutën sepse janë një nga partitë më të mëdha në vend. Pavarësisht nëse do të mbeten një ditë në opozitë apo do të jenë në qeveri, duhet të respektojnë Kushtetutën tonë, sepse Kushtetuta është akti më i madh juridik i vendit. Përtej kësaj, ata duhet të tregohen të zgjuar për të vazhduar bashkëpunimin, sepse në fund të fundit njerëzit duan të kenë një jetë më të mirë ekonomike. Duhet theksuar se rajoni po ndryshon pas marrëveshjes së Prespës dhe jo vetëm në sektorin e energjisë por edhe në bujqësi, tekstile, në industrinë metalike, kudo. Është një bashkëpunim shumë i dukshëm dhe ka mbi 2.5 miliardë euro investime në pritje nga Greqia në Maqedoninë e Veriut, në energji dhe sektorë të tjerë. Kjo është 25% e PBB-së sonë. Unë i jam shumë mirënjohës edhe qeverisë së re greke – (jo dhe aq e re tani sepse keni zgjedhjet) – e cila mbështet anëtarësimin e plotë të Maqedonisë së Veriut në NATO. Kjo do të thotë stabilitet dhe siguri. Kryeministri [Kyriakos] Mitsotakis, Ministri i Jashtëm [Nikos] Dendias dhe të tjerët ishin pozitivë në përpjekjen për Maqedoninë e Veriut në Bashkimin Evropian, në Këshillin Evropian, në Komitetin e Ministrave. Kështu bëjnë miqtë dhe ne jemi shumë mirënjohës dhe qytetarët tanë e dinë këtë.

Sot, për shkak të luftës në Ukrainë, Greqia po bëhet qendër energjetike. A e shihni Maqedoninë e Veriut të shërbejë si korridor për transportin e energjisë?

Po, sigurisht, sidomos nëpërmjet ndërlidhjes me Greqinë. Ne mund të jemi një pjesë e rëndësishme e lidhjes së rrjetit nga Evropa Perëndimore në Evropën Jugore, Afrikë dhe Azi.

Para marrëveshjes, qytetarët tuaj e shihnin veten më të afërt me Turqinë sesa me Greqinë. A ka ndryshuar kjo qasje?

Pas marrëveshjes së Prespës ata e shohin veten më pranë Greqisë. Ne ishim shumë pranë Turqisë dhe jemi akoma, pasi ka një lidhje me shtetas të kombësisë turke. Por pas Prespës, për shkak se Greqia është fqinji ynë i parë, ndërsa Turqia nuk është fqinji ynë, u bë shumë e dukshme që Greqia është një nga miqtë tanë më besnikë dhe këtë e shohim në sondazhe. Tani sondazhet e tregojnë Greqinë si një nga pesë miqtë më të mirë të Maqedonisë së Veriut, ndërsa para Prespës, ajo ishte një nga tre armiqtë tanë kryesorë politikë. Sot gëzohem shumë kur shoh familje që komunikojnë me njëra-tjetrën, vizitojnë njëra-tjetrën, vijnë për pazar, për kujdes mjekësor, p.sh. tek dentisti, ndërsa ne vijmë për kafe, për ushqim, për pazar, sidomos në Selanik. Si politikan jam shumë shpesh në Greqi, sepse fëmijët e mi studiojnë në Selanik dhe takoj shumë njerëz. Të gjithë janë kaq të sjellshëm dhe ka nga ata që thonë: “Zoti Zaev, unë jam kundër Prespës, por ju jeni një njeri i mirë, prandaj ejani të punojmë së bashku”.

Si e shihni vendin tuaj në 10-15 vjet?

Ne besojmë se jo më vonë se 2030, Maqedonia e Veriut do të jetë shtet anëtar i Bashkimit Evropian. Gjatë 17 viteve të kontestit të emrit kemi ndryshuar shumë ligje, e kemi shfrytëzuar këtë kohë për të harmonizuar legjislacionin tonë me legjislacionin evropian, kështu që do të kemi një proces më të shpejtë të anëtarësimit në krahasim me vendet e tjera.

Comments

Submitted by Amarildo (not verified) on

Keto historirat me ish kryeministra, ish deputete, gjenerale pensioniste e isha te tjere qe per pak benefice jane gati te thone ate qe nuk e thane kurre gjate karrieres, me emocionojne shume. Dhe gjithnje aty diku mga mesi ka nje dicka greke

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.