Mjaft me aksione “për vota fetare”!

Postuar në 19 Maj, 2023 13:46
Ali Sh. Mehmeti

 

Shumë gjatë, madje edhe sot, kam menduar dhe ende mendoj, se çfarëdo komenti dhe shkrimi rreth temave fetare veçse shtojnë kundërthëniet. Sidomos kur shkrimet dhe diskutimet rreth kësaj teme bëhen me gjuhë radikale, agresive, fyese, nënçmuese, prepotente, superiore ... nga cilado palë, në ç’mënyrë ushqehet radikalizmi i palës tjetër. Efekti përforcohet edhe më shumë kur ky lloj i diskutimeve bëhet nga persona publikë nëpër mediume të ndryshme.

Megjithatë, fjalimi i fundit i zëvendësministrit të MAPL, z. Arbër Vokrri, përfundimisht ma humbi qetësinë. Nuk më besohej që një përfaqësues i qeverisë, për të cilën votova edhe vetë, thotë se jemi “populli i vetëm me një sinjifikancë politike që mundemi me u krenu se jemi produkt i prirjes së islamit me u përhap kah Perëndimi; sepse një prej misioneve të islamit është pra, që fjalën e Allahut ta çojë në çdo shtëpi dhe të jetë pishtar i qytetërimit njerëzor, të jetë busulla morale dhe qytetërimore e krejt njerëzimit” madje shton, në këtë rrugë “mund të ketë edhe luftëra”. Nuk e di nëse një gjë të tillë gjer më sot e ka thënë ndonjë prej hoxhallarëve, madje edhe atyre më ekstremistë, e lëre më ndonjë zyrtar i qeverisë, i cili po merr rolin e ideologut dhe strategut të islamit politik, radikal, përçarës dhe luftënxitës.

Të gjithë e dimë se në sistemin demokratik, pushteti merret me vota dhe për këtë qëllim në hapësirat e shteteve post komuniste nuk ka kurrfarë rregulle, sepse “qëllimi arsyeton mjetin”, për dallim nga shtetet me demokraci të etabluara ku ligjet kanë vendosur disa kufizime. Përjashtim nuk mund të bënte as Kosova.

Në këtë garë për vota “fetare” fillimisht bënin konkurrencë me njëra-tjetrën LDK me PDK, për t’u zgjeruar gara pastaj edhe me AAK, Nismën, AKR dhe për të përfunduar me LVV. Nëse vazhdon kjo konkurrencë mes partive për votat e tyre, do vijë momenti kur, sipas parullës “islamistët e të gjitha partive bashkohuni” do ua marrin edhe pushtetin. Meqenëse për islamistët është më me rëndësi të jesh mysliman sesa turk, arab apo shqiptar, aq më pak me rëndësi është se cilës parti i takon.  

Në mungesë të kauzave reale kundër qeverisë aktuale, opozitarizmi është reduktuar në lajme të rreme apo gënjeshtra që opozita vetë i fabrikon apo mediumet dhe organizatat joqeveritare me burime të dyshimta financimi, në shpifje, keqinterpretime, shkëputje të pjesëve nga fjalimet e qeveritarëve dhe në shumë mënyra të tjera. Dhe si për çudi, nuk po e shfrytëzojnë një rast real, sikur ky i fundit, pas një fjalimi skandaloz të një zëvendësministri kundër të cilit asnjë opozitar nuk reagoi. Nuk është vështirë të “dëgjohet” kjo heshtje. Çfarëdo kritike ndaj kësaj deklarate do ishte humbje e votave “fetare”.

Derisa opozita e ka luksin të heshtë, edhe pse në kundërshtim me interesat e Kosovës, këtë luks nuk e ka Qeveria e Republikës së Kosovës. Ajo udhëheq një shtet laik, që ka një kushtetutë demokratike, që për synim strategjik ka integrimin në BE dhe në NATO, zhvillimin ekonomik, rendin, ligjin dhe përqafimin e vlerave perëndimore, ku edhe jetojnë 1/3 e popullit shqiptar dhe, që edhe një pjesë e konsiderueshme e rinisë e ëndërrojnë Perëndimin, edhe pse ende jetojnë në trojet etnike. Kurse një pjesëtar i kësaj qeverie, mendjemadh dhe trushplarë, ka për mision “përhapjen e islamit në Perëndim”.

Me siguri edhe kushtetutën e bazuar në sheriat, të përkthyer në anglisht, frëngjisht gjermanisht ... e ka bërë gati për Evropë.

Shkarkimi i këtij njeriu dhe distancimi nga qëndrimet e tij është imperativ i kësaj qeverie. Nuk mund të arsyetohet me humbje të shumicës në kuvend për shkak të mundësisë reale që edhe disa eksponent të LVV-së në shenjë hakmarrjeje të largohen nga grupi parlamentar dhe i dalin në krah opozitës. Rrëzimi i qeverisë me këtë motivacion do të hidhte hije të keqe, më shumë për opozitën sesa për pozitën. Këtë e ka treguar përvoja e rrëzimit të Qeverisë së Albin Kurtit. Me shkarkimin e këtij njeriu, LVV do humbte disa vota “fetare”, por do fitonte shumë më tepër vota “patriotike” nga partitë e tjera. Prandaj, nuk duhet hezituar edhe me rrezikun e shkuarjes në zgjedhje të reja.

Për t’iu shmangur kësaj konkurrence të dëmshme ndërpartiake, është më se e domosdoshme që sa më parë të ulen të gjitha partitë rreth një tryeze dhe të aprovojnë një ligj me të cilin do të definohen disa rregulla rreth “jetës fetare”, jo vetëm asaj myslimane. Sidomos të sanksionohen diskurset, jo vetëm ato publike por edhe ato brenda objekteve fetare, me të cilat sulmohen vlerat kombëtare shqiptare, përhapet mosdurimi dhe urrejtja ndaj feve të tjera, propagandohen “misionet e përhapjes në Perëndim apo Lindje”, sulmohen të drejtat e njeriut, rregullohet e drejta e shfrytëzimit të hapësirave publike dhe atyre mediale, definohet orari dhe niveli i zhurmës akustike dhe shumë çështje të tjera, pavarësisht që disa nga këto tashmë janë të sanksionuara me ligje të tjera.

Udhëheqës partiakë, mos e pritni realizimin e parullës “islamistët e të gjitha partive bashkohuni” – bashkohuni ju më parë, s’paku rreth kësaj teme!

Comments

Submitted by dori (not verified) on

Mekati i vetem qe kam verejtur tek Albin Kurti eshte flirtimi me ata qe mund t'i quaj "islamistet e rinj" ne Kosove. Ky lloj islamistesh, per mendimin tim, eshte i llojit me te keq te ekstremizmit fetar, pikerisht pse shfaqet si modern dhe pa e shpjeguar qarte kete; sepse, edhe duan te nenkuptohen vlerat perendimore nga pjesa qe nuk i perket vellazerise se tyre fetare por, edhe nuk e thone te kunderten ne menyre qe te mos kete keqkuptime nga sivellezerit e tyre naive. Une nuk besoj tek agjendat politike te islamikeve shqiptare, ne kuptimin e perhapjes se islamit politik, ashtu sic ua obligon libri i tyre i shenjte dhe mesimet e profetit ( muslimani e ka Farz, dmth obligim, perhapjen e besimit te tij, nepermjet angazhimit publik, politik).
Nuk besoj ne parim, ne pergjithesi, edhe per te gjithe islamiket-politike ne mbare boten; sepse, feja perdoret nga ky lloj njerezish, vetem per te marre pushtet politik si gjithe ambiciozet e pushtetit; laiket e te gjithe llojeve e marrin nepermjet menyrave nga me te ndryshme te propagandes ideologjike, nacionaliste, internacionaliste, liberale, post-liberale etj etj pafund kesolloji - kurse keta, fokusohen vetem tek propaganda fetare.
Ne kosove dhe Maqedoni, per shkak te rrethanave historike, ka patur njesilloj prirjeje per te perqasur islamin me majtizmin; keshtu eshte edhe sot. Kim Mehmeti, tek fliste per kohen e ish-Jugosllavise, thoshte me sinqeritetin karakteristik te shqiptarit jashte kufijve te vendit ame, qe babai i tij, nje besimtar i devotshem musliman, besonte se islami dhe komunizmi jane shume te ngjashem; ne fakt kjo ka qene nje prirje e pergjithshme nder muslimanet e atij brezi, mbase edhe e inxhieneruar nga pushteti i kohes; kete prirje, ne diten e sotme, e shfrytezojne keta myslimanet e rinj "moderne", per t'u nderkallur ne grupimet e majta te politikes, derisa te krijohen kushtet te kene partine e tyre ; ne Maqedoni e kane tashme, me ate emertimin sa ironik aq edhe pervers "Besa"; pervers sepse kodifikimi i "beses se shqiptarit" ka ndodhur ne periudhen katolike, paraislamike.
Tani, Albini mendon se ky lloj flirti eshte i pademshem, mbase edhe se shume prejt tyre i njesh personalisht. Logjika: keta shoke te mi besimtare myslimane, flirtojne me mua, edhe une flirtoj me ta, perderisa ky flirtim nuk ka ndonje pasoje me zarar nga ato qe thone islamofobet!
Une mendoj se e ka shume gabim.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.