Mirë që kemi Enverin

Postuar në 03 Maj, 2023 15:00

Në një intervistë televizive, ekonomisti Dritan Shano, ka bërë këtë vërejtje që synon të kumbojë fort për veshët e më të paditurit.

SHBA ka shpallur non-grata për minim të demokracisë, Sali Berishën. Kjo është aq e rëndë sa per ta kuptuar, kujtojmë që SHBA-të nuk kanë shpallur non-grata, as Enver Hoxhën. Interesi i Shqipërisë është një marrëdhënie e mirë me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe.

Prandaj të gjithë ata që mendojnë se do ketë një Shqipëri më të mirë me Berishën, Metën dhe ata që i mbështesin është në fakt duke punuar kundër vendit. Berisha dhe Meta nuk kanë ku të shkojne, nuk kanë alternative

Është shembulli i një predikimi abetaresk që na thotë me gjuhë të thjeshtë: SHBA nuk e do Berishën. Çfarë po bëni nëse shkoni pas tij? Dhe këtu sillet në vështrim Enver Hoxha si standard i të keqes maksimale, por i cili i shpëtoi shpalljes non grata nga SHBA. Krahasimi nuk është i qëlluar dhe tjetërson diskutimin mbi një argument që nuk ka më vlerë politike edhe sikur Berisha të marrë vetëm votën e tij më 14 maj.

Ta zëmë z. Shano duhet të shpjegojë se pse ka një pjesë të madhe shqiptarësh që e duan Enver Hoxhën, me gjasë do ta votonin sërish, por sot votojnë PS-në dhe janë kundër Berishës. Pra rendin pas argumentit të “non grata”, por përkrahin shpirtërisht dikë që ishte ku e ku më keq se Berisha dhe me prononcim të pastër dhe të qartë antiamerikan. Dakord, ne jemi budallenj dhe z. Shano po na ndihmon të lëvizim pak nga myku që na ka zënë mendjen.

Për të ndihmuar njëri-tjetrin me pyesim: po Fatos Nanon pse nuk e shpalli non grata SHBA?

Ka rëndësi kjo pyetje pasi Sali Berishës iu ndalua hyrja në SHBA, edhe familjarëve të vet, nën dispozitat ligjore të Seksionit 7031(c) që trajton Menaxhimin financiar dhe transparencën e buxhetit. Kjo dispozitë i jep të drejtë Sekretarit Amerian të Shtetit që në bazë të informacioneve të besueshme dhe të konfirmuara të shpallë si të papranueshëm për të hyrë në SHBA “zyrtarë të qeverive të huaja” që janë përfshirë direkt apo indirekt në korrupsion që lidhet me burimet natyrore, pasuritë publike dhe shkeljen e rëndë të të drejtave të njeriut.

Në rastin e parë(kleptokracia) aderon z. Berisha, në të dytin do të duhet të aderonte Enver Hoxha, që me siguri aktin e sekretarit të kohës do ta kishte medalje dhe objekt rromuzi kongresual. Vetë Departameni Amerikan i Shtetit bën këtë përkufizim literal për termin “non grata”:

Që do të thotë ai i referohet Diplomatëve. Ka rëndësi kjo sepse në deklaratën e vet, sekretari Blinken tha ndër të tjera shprehimisht se:

Me këtë emërtim publik unë riafirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeverisëse dhe veprimet e zyrarëve publikë shqiptarë….

Departamenti do të vijojë të përdorë autoritete si këto që të promovojë llogaridhënie për aktorë të korruptuar në këtë rajon dhe globalisht

Që do të thotë se nëse SHBA bëri një hap për të goditur Sali Berishën, i takon me detyrim institucioneve shqiptare që të çojnë përpara LLOGARIDHËNIEN për Sali Berishën, në kuadër edhe të një reforme në drejtësi që pretendohet se do nxjerrë diellin nga retë e zeza të korrupsionit në këtë vend. Siç e dimë kjo nuk ka ndodhur. Jo vetëm kaq, por akti i z. Blinken gjeneroi një akt antidemokratik kur ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha vendosi ngrirjen e Sali Berishës me një deklaratë personale, duke çuar kështu nga një mundësi për zbardhjen e akuzës për korrupsion në një procedurë që mund të themi se shkel parimet e organizimit demokratik të një force politike. Duke iu afruar “shkeljes së të drejtave të njeriut”. Është ky gabim i sponsorizuar që e futi Sali Berishën nga dritarja e politikës kur ai kishte dalë nga dera. Siç hyri nga dritarja Ilir Meta, që do duhet të dilte nga Presidenca butë dhe pa kaloritë e përftuara nga tensionet e rreme politike.

Si një ish-këshilltar kryeministri ky z. Shano do duhet ta dijë mirë se çfarë është korrupsioni domethënës në një qeveri shqiptare dhe është e udhës që të na e shpjegonte, qoftë edhe në formën e librit të Nikollë Lesit, “Si njoha njërin dhe tjetrin”. Përndryshe në shekullin e 21-të po bëhet e qartë se jeta vazhdon edhe pa Amerikën që prodhon letra Made in McGonigal, edhe pa Edi Ramën, sidomos pa këtë, por edhe pa analistë si z. Shano, sinoptikanë që parashikojnë shiun, pasi ka nisur të bjerë.

s.zaimi

Comments

Submitted by @ (not verified) on

Te justifikosh mbeshtetjen per Veliajn do te thote te mbyllesh syte perballe katrahuhres 8- vjecare qe perjetojne qytetaret e Tiranes.
Kellici eshte nje kandidature opozitare qe calon ne shume drejtime por duhet mbeshtetur se paku per nje parim rotacioni dhe si i vetmi qe mund te kete njefare shprese qe te perballet me pushtetin e pakufishem te Veliajt. Keto justifikimet me "non grata" nuk kane asnje vlere ne momentin qe te pakten ne leter ne jemi nje shtet sovran. Ne te kundert, le te shtojne ne fleten e votimit edhe Ambasaden Amerikane se keshtu te pakten tregohen edhe te sinqerte me elektoratin pa lojera me "non grata" apo "ngriva shkriva".

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.