Ndere britanike/Më ndihmo për kredinë, të të bëj shef të BBC-së!
Shefi i BBC-së, Richard Sharp, dha dorëheqjen, pasi një hetim zbuloi se ai kishte shkelur rregullat, duke mos deklaruar se ishte përfshirë në dhënien e një kredie për Boris Johnson, gjatë kohës kur ky i fundit ishte kryeministër.
Më parë, Sharp ka qenë shefi i kryeministrit aktual, Rishi Sunak, në bankën e investimeve Goldman Sachs dhe si donator ka mbështetur konservatorët gjatë kohës kur ata kanë qenë në pushtet.
Kreu i Korporatës Britanike të Transmetimeve emërohet nga monarku i Mbretërisë së Bashkuar, me propozim të qeverisë.
Emërimi i Sharp nga Johnson u kritikua në atë kohë si lëvizja e një qeverie, e cila kishte prirjen të frenonte raportimet kritike të BBC.
Në lidhje me emërimin e tij, në vitin 2021 u ngrit një komision hetimor parlamentar
"Ekziston rreziku i një perceptimi se z. Sharp u rekomandua për emërim sepse ai ndihmoi... ish-kryeministrin në një çështje private financiare", thotë avokati Adam Heppinstall.
Ndërsa kandidatura e tij po konsiderohej për punën në BBC, Sharp në fund të vitit 2020 e vuri Johnson në kontakt me një kushëri të largët të kryeministrit, i cili i dha atij një kredi prej 800 000 £ (1 milion dollarë).
Në dorëheqjen e tij, Sharp pranon shkeljen e rregullave të konfliktit të interesit për zyrtarët e lartë të Mbretërisë së Bashkuar, por tha se ishte e paqëllimshme dhe jo materiale, duke iu referuar emërimit në BBC.
"Megjithatë, unë kam vendosur që është e drejtë t'i japim përparësi interesave të BBC-së," tha ai në një deklaratë, duke konfirmuar se do të tërhiqej në fund të qershorit, për t’i dhënë kohë kompanisë të gjejë pasardhësin e tij.
Add new comment