Lëreni presidentin serb të shijojë “ditët rugoviane” në Kosovë

Postuar në 25 Prill, 2023 00:20

Alexander Vuçiç ka folur për fitore pas zgjedhjeve të fundit në Veriun e Kosovës. Ai ka nxituar ta interpretojë bojkotin masiv të serbëve si shenjë të refuzimit të politikës së Perëndimit dhe Prishtinës për 10 vjet mashtrime. 

Në këtë realitet të ri ne do të duhet të sillemi ndryshe por Kurti nuk e kuptoi këtë gjë. Ai mendon se mund të qeverisë me 400 vota, 400 vota të njerëzve që as nuk jetojnë në Mitrovicë…Mesazhi është se serbët duan që zëri i tyre të dëgjihet dhe se ju duhet t’I dëgjoni ata. Disa individë në administratën amerikane e kanë kuptuar mesazhin serb

ka thënë presidenti serb. 

Në fakt nuk ka një mesazh të serbëve të Kosovës për bashkësinë ndërkombëtare dhe Prishtinën. Ka një mesazh të Alexander Vuçiç aë flet nga Beogradi për problemet e veta politike. Dhe për herë të parë Vuçiç e ka tradhëtuar veten teksa e ka përshkruar me optimizëm mesazhin e politikës rugoviane në Kosovë, si një shenjë se pacifizmi I detyruar dhe I shtirur I Beogradit kumton më fort se barrikadat dhe dhuna. 

Mirëpo pa dhunën e strukturave paramilitare serbe nuk ka as dhunë shtetërore shqiptare siç pretendon shpesh z. Vuçiç dhe këtu është rasti që edhe avokatët e subjekteve të gjyqit në Hagë të tërheqin një linjë mbrojtjeje nga episodi elektoral në Kosovë për të vënë në dukje faktin historik se dhuna shqiptare është pasojë në Kosovë. 

Sa për zgjedhjet në veri, e rëndësishme tani është vetëm zbatimi i detyrave administrative pasi tonifikimi politik i disa përfaqësuesve serbë do të zbehet përkundrejt përditmërisë e cila është cenuar nga një lloj militarizimi permanent që është një gjendje jokonkluzive dhe pa horizont të qartë. Zoti Vuçiç kërkoi një shkak për t’u mbrojtur në takimin e 2 majit dhe mendon se e ka gjetur duke përmbushur premtimin për të shmangur dhunën, teksa shpreson se ka riafirmuar kontrollin mbi serbët e Kosovës. Mirëpo bojkoti është zgjedhje në demokraci, ndonëse radikale dhe siç e dimë në Shqipëri ai nuk miratohet si formë nga BE-ja për shkak se aprovimi i tij ka natyrë kontradiktore sa kohë do të shkohet sërish në zgjedhje. 

Z. Vuçiç do të mund të kishte të drejtë nëse procesi në integritetin e vet është i cenuar çka nuk ka ndodhur dhe nëse sot në Beograd po mendojnë se kanë gjetur një alibi për të fituar kohë, e vërteta është se plotësimi i vakumit në terren do të stabilizojë një regjim të ri të së përditshmes në Veri, të normales nëse mund të themi kështu, që nëse menaxhohet si duhet do të vërë në diskutim efektivitetin e politikës së deritanishme serbe e cila duhet ta nënvizojmë: përderisa çoi në Marrëveshjen e Ohrit, është dështim për serbët nga pikëpamja e tyre. Por kjo nuk mund të korrigjohet tashmë, mundet vetëm të asgjësohet duke untërhequr publikisht. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.