Gjysma e diversitetit gjuhësor të botës është në rrezik
Në botë janë më shumë se 7000 gjuhë. Por ky diversitet i madh kërcënohet pasi gjithnjë e më shumë gjuhë nuk u mësohen fëmijëve dhe kthehen gradualisht në gjuhë të fjetura.
Një studim i botuar së fundmi në Science Advances, dhe i mbështetur mbi analizën e një baze të gjerë të dhënash mbi gramatikën gjuhësore, të quajtur Grambank, del në konkluzionin se njerëzimi po e humbet diversitetin gjuhësor dhe nëse nuk gjenden zgjidhje, këto dritare në historinë tonë kolektive do të mbyllen.
Baza e të dhënave “Grambank”, e inicuar nga Instituti “Max Planck” (MPI) i Psikolinguistikës në Nijmegen, Holandë dhe MPI për Antropologjinë Evolucionare në Leipzig, Gjermani, përmban një të tretën e 7000 gjuhëve të botës—dhe strukturën e tyre gramatikore. Studimi thekson se struktura gramatikore është shumë fleksibël në të gjitha gjuhët, e formuar nga prejardhja e përbashkët, kufizimet në njohjen dhe përdorimin, dhe kontakti gjuhësor.
Gjuhëtarët kanë qenë prej kohësh të interesuar për variacionin gjuhësor. Cilat janë modelet e zakonshme apo universale nëpër gjuhë? Çfarë e kufizon variacionin e mundshëm mes tyre?
“Dizajni i bazës së të dhënave kërkonte shumë rikodim ndërsa shkuam përpara, në mënyrë që të përfshinte shumë zgjidhje të ndryshme që gjuhët kanë evoluar për të koduar vetitë thelbësore”, thotë Stephen Levinson, drejtor emeritus i Institutit Max Planck për Psikolinguistikën në Nijmegen dhe një nga themeluesit e projektit Grambank.
Kufijtë e variacionit
Ekipi u përqendrua në 195 tiparet gramatikore, duke filluar nga rendi i fjalëve deri tek fakti nëse një gjuhë ka ose jo përemra gjinorë. Për shembull, shumë gjuhë kanë përemra të veçantë për "ai" dhe "ajo", por disa kanë gjithashtu versione mashkullore dhe femërore të "unë" ose "ti". Nëse vetitë gramatikore do të ndryshonin lirshëm, "hapësira e projektimit" e mundshme do të ishte e madhe.
Kufizimet e variacionit mund të lidhen me parimet njohëse, të rrënjosura në kujtesë ose të mësuar, duke i bërë disa struktura gramatikore më të mundshme se të tjerat. Kufijtë mund të lidhen gjithashtu me 'aksidentet' historike, të tilla si prejardhja nga një gjuhë e përbashkët ose kontakti me gjuhë të tjera.
Studiuesit zbuluan se ka fleksibilitet shumë më të madh në kombinimin e veçorive gramatikore sesa kanë supozuar shumë teoricienë. “Gjuhët janë të lira të ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme në mënyra të matshme, por jo pa kufij”, shpjegon Levinson. "Një shenjë e diversitetit të jashtëzakonshëm të 2400 gjuhëve në kampionin tonë është se vetëm pesë prej tyre zënë të njëjtin vend në hapësirën e projektimit (ndajnë të njëjtat veti gramatikore).
Gjuhët tregojnë ngjashmëri shumë më të fortë me të tjera që kanë paraardhës të përbashkët, sesa me ato me të cilat ndodh që të jenë në kontakt. “Megjithatë, nëse proceset e evolucionit dhe diversifikimit gjuhësor do të nisnin përsëri nga fillimi, do të kishte ende njëfarë ngjashmërie me atë që kemi tani”, thotë Levinson.
Diversitet i kërcënuar
“Diversiteti i jashtëzakonshëm i gjuhëve është një nga dhuntitë më të mëdha kulturore të njerëzimit”, përfundon Levinson. “Ky diversitet është nën kërcënim, veçanërisht në disa zona si Australia Veriore, pjesë e Amerikës së Jugut ose Amerika Veriore. Me atë humbje të afërt do të vijë humbja e asaj sesi ne kuptojmë shkencërisht rolin e gjuhës në mendësi dhe kulturë.”
Baza e të dhënave është një burim gjithëpërfshirës me akses të hapur, i mirëmbajtur nga Shoqëria “Max Planck”, i cili do të inkurajojë eksplorimet e ardhshme të diversitetit gjuhësor. Sipas Levinson. "Ai e vendos gjuhësinë në një bazë të barabartë me gjenetikën, arkeologjinë dhe antropologjinë, duke lejuar eksplorime që lidhin baza të dhënash kaq të mëdha."
Add new comment