Palaçollëku si fushatë elektorale
Veliaj ironizon. Veliaj në traktor. Përpara, nuk ka më kthim mbrapa. Ata gënjejnë, atë kështu e ata ashtu.
Në këtë formë kritike po përcillet e ashtuquajtur fushatë elektorale e kryebashkiakut të Tiranës. Punët janë të ndara: mediat e pushtetit bëjnë detyrën e tyre, tallin, ironizojnë dhe baltosin kundërshtarët e kryebashkiakut, ndërkohë që ky vetë sa vjen dhe degradon në gjuhën politike, duke e thjeshtuar deri në banalitet. Parimi udhëheqës këtu është: dua votat e budallenjeve që janë shumica.
E budallenjve që nuk kuptojnë lojën politike, hilenë, shtirjen e zakonshme të këtij zanati dhe që janë pre e kuadrit bardh e zi: ata dhe ne.
Pse ecën kjo lloj politike? Ecën sepse një pjesë e madhe e qytetarëve të Tiranës, por edhe Shqipërisë nuk kanë interes tjetër ekonomik veç rrogës, veç ruajtjes së stabilitetit të përditshëm që ndërlidhet me koninunkturën e pushtetit. Ndaj edhe ne nuk shohim sot një program të vërtetë elektoral, as premtime për zgjidhje problemesh të prekshme, por vetëm një lojë bajate të ngjashme me atë garën për më shumë batuta në Paralment.
Askush nuk do prej palës në pushtet të diskutojë seriozisht për propozimin për transport publik falas, apo edhe për propozimin e Bejkos për pesë tregje në hyrje të Tiranës, sepse çdo diskutim do të sillte në vëmendje pyetjen: pse nuk janë bërë?
Bashkia e Tiranës sot funksionon si agjenci mediatike që e mbështet të ashtuquajturën “punë të jashtëzakonshme” për qytetin në inercinë e një mendësie të tejkaluar që vijat e bardha, fasadat dhe dy shtrime rrugësh, sjellin vota.
E gjitha fushata socialiste po ndërtohet mbi këtë klishe pa kuptim dhe pa ndikim efektiv në ekonominë e qytetarëve: çdo kandidat socialist mbjell pemë. Merr lopatën, hap ca gropa që zakonisht janë gati dhe flet i qeshur dhe i lumtur për popullin të cilit po i pyllëzon qytetin, po ia pastron ajrin. Nuk është puna të nihilizojmë çdo gjë që është bërë, por është imediate që të flitet për problemet reale të njerëzve, që nga ana e tyre janë në pjesë të madhe peng I tyre dhe zgjidhjen e të cilave e shohin duke u dorëzuar te pushteti. Është një rreth vicioz që zgjidhet vetëm duke thyer barrierën psikologjike se askush nuk bën, pasi edhe në qoftë kjo e vërtetë, interesi e kërkon që një votë Jo të jepet edhe për faktin se ujërat duhen ndërruar.
Nëse ka një detyrë që çdo opozitë duhet të bëjë është të flasë ëpr Tiranën si qytet të njerëzve që mesa duket po e shohin atë si tokë të një kaste që bën çfarë do dhe si do. Që këtej do nisur politika për të zhbërë edhe tezën e rreme të shumicës së heshtur të Zdromsit të Tiranës. Por sërish këtu pyetja që bëhet është: Kush? Belind Këlliçi do e bëjë këtë? Jo vetëm për integritetin intelektual të këtij individi, por edhe për faktin se një pjesë e PD-ve me dhe pa vulë, janë të përfshirë në interesa ekonomike me Bashkinë e Tiranës dhe sillen me të si ndonjë televizion që në mëngjes ia vesh Zdromsit, e pak orë më parë e neutralizon opozitarizmin e vet me “404 error”.
s.zaimi
Add new comment