Rastet "Zeneli&Beci"/Vetting me një revokim vize nga SHBA
Në morinë e dokumentacionit të hakeruar ndaj Autoritetit Kombëtar të Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar - i cili ka vazhduar edhe sot me rreth 10GB material - figuron edhe një korrespondencë e dy subjekteve të rivlerësimit, ish-gjyqtarit Artan Zeneli dhe ish-prokurorit Eugen Beci. Për të dy subjektet fuguron komunikimi për revokimin e vizës amerikane çka shënon një moment penaliteti në dritën e procesit të vettingut dhe mënyrës sesi elementë të tillë interferuan në karrierën e njërit apo tjetrit.
Konkretisht Zeneli ka qenë pajisur me vizë amerikane në vitin 2013 dhe në dokumentacionin e DSIK-së figuron një kërkesë e tij drejtuar zyrës konsullore amerikane në Tiranë, përmes së cilës kujtohet ky fakt dhe kërkohet pajisja sërish me vizë. Kërkesa është dorëzuar më 4 qershor 2018 dhe përgjigja për revokimin e vizës nga Departamenti i Shtetit ka ardhur më 14 qershor 2018. Zenelit i kujtohet se vendimi nuk mund të apelohet, por ai mund të riaplikojë në të ardhmen në çdo kohë.
Në datën 6 qershor Zeneli ka nisur një tjetër mesazh Zyrës Konsullore përmes së cilës vë në dukje takimin e shkurtër ku është thirrur prej saj dhe ku është informuar verbalisht për revokimin pa asnjë shpjegim. Në mesazhin e tij, ish-gjyqtari shënon ndër të tjera se:
E kotë të theksoj se kjo vjen si një surprizë shumë e pakëndshme për mua dhe që e cila mund të ketë pasoja shumë të rënda në procesin e vettingut pasi vë në pikëpyetje integritetin e deklarimit tim. Për këtë arsye unë do të doja të dija datën e saktë se kur viza ime A1 është revokuar dhe pse nuk jam informuar deri më tani
Siç shihet lidhja mes vettingut dhe një refuzimi vize nga një ambasadë në Tiranë perceptohet si automatike.
Nga ana e vet, prokurori Eugen Beci i ka parashtruar Komisionit të Pavarur të Kualifikimit një shpjegim në datën 20 nëntor 2018 se është njoftuar për revokimin e vizës amerikane para datës 27 janar 2017, përpara sesa të dorëzonte dokumentet në DSIK. Në dallim nga Zeneli, Beci ka deklaruar se nuk i është mohuar viza hyrëse në ndonjë vend të Perëndimit, nën arsyetimin se sipas legjislacionit amerikan “viza hyrëse nuk garanton hyrje ne Shtetet e Bashkuara, por është prove se një oficer konsular tek një ambasadë Amerikane ka vendosur qe ju jeni i pranueshëm të kërkoni leje hyrje në Shtetet e Bashkuara…”. Më tej ai thotë se edhe vetë revokimi do ketë ardhur nga marrja në konsideratë e “burimeve të hapura”, pra lajmeve në media, diçka që nuk përputhet shumë me nivelin e kërkuar të një përgjigjeje zyrtare nga jë prokuror.
Në të dyja rastet megjithatë është e qartë pesha specifike në vetting e një revokimi të tillë, duke zbardhur kështu se qëndrimi i SHBA-së për njërin apo tjetrin kandidat mund të përcillet edhe vetëm me një gjest, meqenëse ajo përkon me pyetjen kyç të DSIK: A të është refuzuar viza hyrëse në 10 vitet e fundit? Çka në kontekstin e trajtimit për një vizë në Britaninë e Madhe ta zëmë, mund ta bëjë vettingun dhe karrierën e dikujt variabël të humorit të një punonjësi konsullate. Po Shqipëri fundja.
Add new comment