Varrimi i dytë i Stalinit, ceremonia sekrete nën “zhurmën” e Car Bombës
Jozef Stalini u zhvarros në vitin 1961, pak pasi kishte nisur reforma e destalinizimit. Ndërsa monumentet e tij u hoqën nga hapësirat publike, emri u fshi nga institucionet, edhe trupi u zhvendos nga mauzoleu, ku kishte qënduar shtatë vjet përkrah Leninit.
Trupi i balsamosur i Stalinit u rivarros më 31 tetor 1961 nën murin e Kremlinit në Moskë.
Ceremonia nuk kishte asnjë pompozitet, pasi vendimi u mor shpejt e shpejt (brenda ditës), për t’u justifikuar më pas si “kërkesë e punëtorëve”. Në mëngjesin e së njëjtës ditë, u hap një gropë në tokën pranë murit të Kremlinit, e cila iu shmang syrit të kalimtarëve duke u mbuluar me kompensatë.
Trupi i Stalinit u zhvarros gjatë natës (nga frika se mund të kishte trazira). Fillimisht, ai u dërgua në laboratorin e mauzoleut dhe më pas u nxor nga ndërtesa. 30 oficerë dhe personeli ushtarak më besnik (dhe i heshtur) i KGB-së morën pjesë në operacionin e rivarrimit. Të afërmit e Stalinit nuk u ftuan në ceremoni.
“Ai nuk u mbajt [arkivoli me trupin] horizontalisht, por në një kënd 45 gradë. Dukej se ishte gati të hapte sytë dhe t'u thoshte: "Çfarë po më bëni, bastardë?", citohet nga RBH Aleksandër Shelepin, një nga ish-krerët e KGB-së.
Stalinit iu hoqën të gjitha medaljet dhe vlerësimet, madje edhe butonat e artë dhe spaletat. Trupi i tij u fut në një arkivol druri, kapaku u fiksua me gozhdë dhe varri u mbulua me një pllakë betoni. Stalini është i vetmi udhëheqës që u varros në murin e Kremlinit pa shërbim përkujtimor, pa orkestër dhe pa të shtëna.
Për më tepër, varrimi i tij i dytë përkoi me Hallouinin. Thjesht një rastësi. Por më e rëndësishme se kjo koincidencë ishte fakti se rivarrimi u bë në një moment të zhurmshëm për Bashkimin Sovjetik: testimi i Car Bombës. Një ditë para rivarrimit të Stalinit, bomba më e madhe bërthamore e krijuar ndonjëherë ishte testuar në arkipelagun Novaya Zemlya.
Të nesërmen, titujt e gazetave iu kushtuan testimit të saj dhe rivarrosja e Stalinit kaloi pothuajse pa u vënë re fare.
Add new comment