India lë pas Kinën për numrin e popullsisë
India ia kalon Kinës për numrin e popullsisë, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara. Ky ndryshim shënon një moment historik të rëndësishëm për vendin e Azisë Jugore dhe do të ketë implikime të gjera për ekonominë, shoqërinë dhe ndikimin e tij global. Popullsia e Indisë është katërfishuar, nga 350 milionë banorë në vitin 1950 në rreth 1.43 miliardë njerëz sot. Ndërkohë, popullsia e Kinës, e cila arriti kulmin në 1.42 miliardë në vitin 2021, po bie gradualisht. Shifrat e përpunuara nga Al Jazeera tregojnë se India dhe Kina të marra së bashku kanë një popullsi prej 2.8 miliardë njerëz. Kjo do të thotë se një në tre njerëz në botë vjen nga njëri prej këtyre dy vendeve.
Rënia e Kinës
Për herë të parë që nga viti 1960, numri i vdekjeve në të gjithë Kinën e ka tejkaluar numrin e lindjeve. Sipas Byrosë Kombëtare të Statistikave të Pekinit, numri i lindjeve në vitin 2022 ishte 9.56 milionë, ndërsa vdekjet ishin 10.41 milionë. Në vitin 1960, në Kinë pati një rritje të madhe të numrit të vdekjeve, që korrespondon me krizën më të madhe të urisë në historinë moderne të vendit. Në vitet që pasuan urinë, numri i lindjeve arriti në 33 milionë në vitin 1963. Pavarësisht se Kina i dha fund "politikës së saj të rreptë për një fëmijë" në 2016 dhe autorizon çiftet të kenë deri në tre fëmijë në vitin 2021, ndryshimi i politikës nuk e ka rikthyer rënien demografike.
Rënie e lindjeve edhe në Indi
Edhe në Indi, numri i lindjeve ka qenë në rënie që nga fillimi i viteve 2000, megjithëse me një ritëm më të ngadaltë se ai i Kinës. Nga rreth 23 milionë lindje në vitin 2022, ka më shumë të lindur në Indi çdo ditë (63 000) se kudo tjetër në botë. Në vitin 2021 dhe 2022, gjatë kulmit të pandemisë së koronavirusit, India regjistroi përkatësisht 13.3 milionë lindje dhe 12.8 milionë vdekje. Sipas parashikimeve të OKB-së, bazuar në trajektoren aktuale, numri i lindjeve dhe vdekjeve do të vazhdojë të konvergojë deri në vitin 2066.
Trendi i plakjes së popullsisë
Si shumica e pjesës tjetër të botës, popullsia e Kinës dhe e Indisë po plaken. Në Indi janë aktualisht 113 milionë fëmijë 0-4 vjeç, më shumë sesa e gjithë popullsia e Britanisë së Madhe (67 milionë), Gjermanisë (83 milionë) apo Egjiptit (110 milionë). Për pjesën më të madhe të viteve 1950 deri në vitet 1970, mosha mesatare e Indisë dhe e Kinës ishte rreth 20 vjeç. Megjithatë, duke filluar nga vitet 1980, të dy vendet nisën të ndryshojnë. Sot, mosha mesatare e Kinës është 38 vjeç, ndërsa ajo e Indisë është 10 vjet më e re, 28 vjeç.
Në vitin 1955, në Tokë kishte 2.8 miliardë njerëz. Sot, kaq është vetëm popullsia e Kinës dhe Indisë. Popullsia e botës pritet të katërfishohet nga 2.5 miliardë njerëz në vitin 1950 në 9.7 miliardë njerëz deri në vitin 2050.
Add new comment