E djathta fiton në Finlandë, kryeministrja Marin pranon humbjen
Zgjedhjet e së dielës në Finlandë i dhanë fitoren të djathtës, pas një gare të ashpër elektorale.
Kryeministrja e majtë, Sanna Marin, pranoi humbjen përballë Partisë së Koalicionit Kombëtar, megjithëse rezultati është i ngushtë.
"Ne kemi fituar mbështetje, kemi fituar më shumë vende (në Parlament). Kjo është një arritje e shkëlqyer, edhe pse nuk dolëm të parët", citohet Marin nga Reuters.
Partia e Koalicionit Kombëtar, NCP, do të ketë mundësinë të formojë një koalicion për të marrë shumicën në Parlament.
Marin, 37 vjeçe, u bë kryeministrja më e re në botë kur mori detyrën në vitin 2019. Jashtë kufijve, ajo konsiderohet një model për liderët e rinj progresivë, por në vendin e saj është kritikuar shpesh për shpenzimet publike të qeverisë.
NCP ka udhëhequr në sondazhe për gati dy vjet, megjithëse epërsia e saj ishte tkurrur muajt e fundit. Ajo ka premtuar të frenojë shpenzimet dhe të ndalojë rritjen e borxhit publik, i cili ka arritur pak më shumë se 70% të PBB-së që kur Marin mori detyrën në 2019.
Ajo që do të mbahet mend më shumë gjatë mandatit të Marin, edhe për shkak të zhvillimeve në Eruopë, është kthesa në politikën e jashtme, duke kërkuar anëtarësimin e vendit në NATO.
Ky proces tashmë është pothuajse i përfunduar. Helsinki pritet t’i bashkohet Paktit të Atlantikut Verior brenda disa ditësh pasi të gjithë 30 anëtarët e aleancës perëndimore e miratuan pranimin.
Add new comment