Vetoja e talebanëve ndaj heroinës hap rrugën për opioidet sintetike, shumë më kërcënuese për shëndetin

Postuar në 02 Prill, 2023 14:38

Tregu i heroinës në Evropë mund të ndryshojë shumë shpejt, pasi lënda narkotike mund të zëvendësohet me një alternativë tjetër akoma më kërcënuese për shëndetin. Pothuajse e gjithë heroina e konsumuar në Evropë vjen nga Afganistani. Por regjimi taleban atje ka vendosur të ndalojë kultivimin e lulëkuqes, një vendim që hyn në fuqi pas disa javësh. Ky ndalim do t’u krijojë hapësirë atyre që prodhojnë opioidë sintetikë të tillë si fentanili, për t'ua shitur përdoruesve të varur, në mungesë të heroinës. Kjo paraqet një rrezik serioz për shëndetin publik, pasi opioidet sintetike priren të jenë shumë më të fortë se heroina natyrale – 50 herë më e fortë në rastin e fentanilit. Kjo do të thotë se mbidozimi është shumë më i lehtë. Vlen të theksohet këtu rasti i Amerikës, ku fentanili merr dhjetëra mijëra jetë çdo vit.

Talebanët ndaluan kultivimin e lulëkuqes në prill 2022, një vit pasi SHBA u tërhoq nga Afganistani. Paul Griffiths, drejtor shkencor i Qendrës Evropiane të Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Drogat (EMCDDA), thotë se sado që tingëllon ironike, sasia e madhe e disponueshme e heroinës aktualisht duhet parë padyshim si një faktor mbrojtës. Për t’u bindur se ka të drejtë, le të kthehemi në vitin 2000, kur talebanët e ndaluan opiumin, duke shkaktuar mungesë heroine në Evropë. Kjo mungesë u mbush shumë shpejt me fentanil, i cili u shfaq për herë të parë në kontinent.

Që nga fillimi i viteve 2000 e tutje, ne patëm probleme me fentanilin në vendet balltike, veçanërisht në Estoni, ku ai ishte përgjegjës për nivele mjaft të larta të vdekjeve të lidhura me drogën dhe u kthye në një problem afatgjatë të pazgjidhshëm atje”, tha Griffiths. Deri në vitin 2017, kriza e fentanilit në Estoni mori fund, pasi iniciativat intensive të zbatimit të ligjit mbyllën shumë nga prodhuesit e vendosur në vend. Megjithatë, Estonia ka ende përqindjen më të lartë të mbidozave fatale me fentanil në BE.

Leksione nga Amerika

Për të kuptuar sa të rrezikshme mund të jenë opioidet sintetike, duhet marrë në shqyrtim rasti i Amerikës. Më shumë se 58 000 njerëz vdiqën nga mbidoza e fentanilit atje në vitin 2020, krahasuar me 97 në BE. Deri në vitin 2022, shifra e SHBA-së për vdekjet nga opioidet sintetike, që i atribuohen kryesisht fentanilit u rrit deri në 68 000.

Megjithatë, ka disa dallime të rëndësishme. Epidemia e opioideve në Amerikë buron nga një numër i madh recetash “bujare” me medikamentet për menaxhimin e dhimbjes në vitet 1990. Kjo çoi në mbidoza të vetë ilaçeve, si dhe një rritje të varësisë që çoi në përdorimin e paligjshëm të heroinës. Që atëherë, fentanili ka depërtuar në tregun më të gjerë të drogave të paligjshme në SHBA, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). Ai mund të gjendet i përzier në shumë substanca të paligjshme, nga Xanax i falsifikuar, një ilaç ankthi, deri te drogat rekreative duke përfshirë MDMA, kokainën dhe madje edhe kanabisin. Grupi me rritje më të shpejtë për vdekjet nga mbidoza janë adoleshentët.

E kundërta ndodh në Europë, kur shumë më pak evropianë janë bërë të varur nëpërmjet ilaçeve me recetë, që do të thotë se grupi kryesor i rrezikut ka të ngjarë të jetë numri shumë më i vogël i të varurve nga heroina. Po ashtu, grupet ilegale të prodhimit të opioideve sintetike janë shumë pak. Pavarësisht kësaj, ekspertët thonë se kur tregjet për fentanil të bëhen të ngopura në Amerikën e Veriut, Evropa mund të jetë objektivi tjetër për trafikimin e drogës. Agjencia Evropiane e Drogës, e cila, së bashku me Europolin, drejton një sistem paralajmërimi të hershëm për të monitoruar gjurmët e substancave të paligjshme që hyjnë në BE, e ka ngritur këtë shqetësim.

EMCDDA thotë se sasia e fentanilit në tregun evropian është në rënie - por ka një numër në rritje të opioideve të reja.

Tregu po i përshtatet presionit të SHBA-së dhe veprimit kinez për të reduktuar fentanilin. Dhe ajo që ne po shohim është se po shfaqen opioidet e tjera të reja sintetike. Këto janë fillimisht të pakontrolluara, janë të vështira për t'u zbuluar, njerëzit nuk janë të vetëdijshëm për to dhe rrezikun që sjellin", thotë Griffiths.

Zëdhënësi i Europolit, Jan Op Gen Oorth, beson se rreziku për Evropën qëndron në përzierjet e fentanilit. 

Ndoshta nuk ka gjasa që një medikament i quajtur fentanil ose China White apo China Doll ... thjesht do të shfaqet në tregun evropian,” tha Op Gen Oorth. “Ajo që mund të shohim aty-këtu vitin e ardhshëm është grupet që përpiqen të ndërpresin një ilaç tjetër me përzierje fentanil. Krijon tregje të reja duke ditur se fentanili është i lirë dhe krijon varësi”. Avantazhi që sipas ekspertëve ka Europa deri tani është përvoja e keqe e SHBA-ve me opioidet, çka krijon mundësitë për të ndërtuar strategji parandaluese.

Me shkurtime nga: ​Politico.eu

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.