Trukimi i intervistës politike si show personal i "jokonvencionalit Edi"

Postuar në 28 Mars, 2023 13:31

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka folur në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” në atë që mund të quhet një lloj fushate promocioni pas ekspozitës së tij në Athinë. Nëse mbajmë parasysh kompleksin e z. Rama ndaj Greqisë dhe ish-kryeministrit Alexis Tsipras, duhet thënë se ekspozita ka shërbyer për të bërë prezantimin e preferuar të Ramës në një mjedis ku ai nuk do të marrë pyetje.

Ta zëmë, intervistuesja nuk e pyet z. Rama për marrëdhëniet e tij me presidentin e Turqisë, Erdogan, një rival i hapur i Greqisë dhe i cilësuar si një politikan që kërkon revizionimin e status quosë në Egje dhe Mesdheun Lindor. Në të njëjtën gazetë shihen jo rrallë opinione që vënë theksin te marrëdhënia e z. Rama me Erdogan, duke lënë të kuptohet se Shqipëria duhet marrë me rezervë, si pararojë e Turqisë në Ballkan.

Kësaj radhe kjo ccështje është anashkaluar, duke na sqaruar të gjithëve se intervista është asgjë më shumë se një investim propagandistik që i shërben edhe kryeministrit grek, Mitsotakis që ka para zgjedhjet e 21 majit. E kështu z. Rama si mik i Qirjakos lë të kuptohet për një votë shqiptarësh të orientuar, për aq sa ajo mund të orientohet. 

Përtej kësaj, z. Rama, njeriu që u kujtonte grekëve dikur se lagja e vjetër e Athinës banohej nga shqiptarë, apo që bënte kauzë me kishën e Shën Thanasit në Dhërmi duke përkujtuar murgjit bazilianë si kundërpod i helenizmit, është treguar i butë. Dhe ka nisur aty të rrëfejë historinë e jetës së vet, të cilën e kemi dëgjuar e stërdëgjuar. Paketuar si një aventurë e jashtëzakonshme dhe e suksesshme e një shpirti të lirë, me vizionin e lirisë e kështu me radhë, dyzuar mes idealizmit të artistit dhe cinizmit të politikës.

Kjo narrativë mbi një politikan që marketohet si personazh është e vjetëruar dhe në të vërtetë tradhëton një sëmundje të mediave që duan sensacionin para problemeve të vërteta dhe që dinë të mbyllin një sy kur marrin urdhëra politikë. Z. Rama, edhe në qoftë artisti më provokues në botë, është një kryeministër I një vendi të dështuar, që përjeton si një ndër luftërat më gërryese pikërisht atë mes të vërtetës së vet dhe të vërtetës virtuale të sajuar nga z. Rama që i shërben kësaj të fundit edhe me akuaralein e intervistave të veta si kjo te gazeta në fjalë. Ka gjasa që forca manipuluese e propagandimit të ketë të njëjtin aplikim edhe në shoqëri përtej arealit politik të shqipes, ku arti i z. Rama zhurmohet e njolloset nga zullumet e qeverisë së tij.

Ndaj edhe kjo mahnitja me vanitetin e dikujt, për vite tashmë, ndërkohë që asgjë nuk ndryshon, madje shkon për keq, nuk ka emrin e gazetarisë, por të llafazanërisë dhe showbizit. Si mund të shpjegohet habitja me “jokonvencionalizmin” e Edit, në zyrë, në veshje, në CV? Kaq të izoluar mendërisht janë të gjithë rreth nesh, apo mos vallë të gjithë miklohen nga sajdisjet e këtij rrufjani bizantin që po budallalleps mbarë gazetarët e dynjasë që e marrin edhe për Rafaelo. Duke rënë në kurthin e këtij njeriu që intervistimin nuk e kalon asnjëherë si përgjigje ndaj pyetjeve, por si pozim.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.