PD-ja propozon heqjen e Parashkrimit për zyrtarët e lartë
Nënkryetari i Partisë Demokratike/Rithemelimi, Oerd Bylykbashi ka prezantuar në Komisionin Parlamentar të Çështjeve Ligjore, ka prezantuar projektligjin për heqjen e parashkrimit për zyrtarët e lartë. Një hap ky që sado formal, nëse miratohet, e mban të hapur derën e burgut për këdo zyrtar të lartë që gjendet fajtor, pavarësisht kohës së vendimit.
Pavarësisht se në vitin 2012, me propozimin tonë në atë kohë, u arrit konsensusi për të ndryshuar Kushtetutën dhe për të hequr imunitetin për zyrtarët e lartë shtetërorë, përsëri korrupsioni ka ardhur gjithmonë e duke u rënduar.
Reforma në drejtësi, e nisur ndër të tjera me qëllimin për të luftuar korrupsionin brenda drejtësisë, por edhe jashtë saj, në mënyrë specifike, ngritja e SPAK, por edhe me Gjykatën e Posaçme, deri më sot ende nuk ka dhënë prova të qarta që justifikon besimin e madh të cilin legjislatori i vuri kur ndryshoi Kushtetutën në vitin 2016. Në analizë, në raport me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ajo ka qenë efektive sesa është SPAK sot. Një nga problemet kryesore, përveç vullnetit politik është pikërisht kapja e drejtësisë, me qëllim ndër të tjera krimin politik në luftën kundër korrupsionit të lartë qeveritar, dhe nëpërmjet tij vonimit të hetimit dhe ndëshkimit të korrupsionit.
Pasoja imediate e një procesi të vonuar në hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit është kalimi i afateve proceduriale për ndjekjen e veprave të korrupsionit. Zvarritja e organeve të drejtësisë për të bërë të mundur kalimin e afateve proceduriale. Është e papranueshme për opinionin publik, edhe në kuadër të asaj që duhet të ishte barazia e të gjithë shtetasve para ligjit, që zyrtarët me imunitet faktik politik ekzekutiv, të jenë të mbrojtur nga kjo mënyrë e funksionimit të gjyqesorit, duke arritur më pas të çlirohen nga përgjegjësitë e tyre penale me procedurë, pra pa u hetuar dhe pa u shpallur të fajshëm, apo të pafajshëm, por thjesht sepse ka kaluar afati i ndjekjes penale për veprat e korrupsionit
ka thënë Bylykbashi.
Teknikisht ndërhyrja sugjerohet në nenin 67 të Kodit Penal të Shqipërisë ku shtohet në dispozitë.
Nuk i nënshtrohen parashkrimit, veprat dhe akuzat penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar kundër kryeministrit, zv.kryeministrit, ministrit, kryetarit të Kuvendit, kryetarit bashkisë Tiranë, drejtuesve të institucioneve qendrore përgjegjëse për prokurime publike dhe koncensionet, si edhe ish-funksionarët e sipërpërmendur. Kjo dispozitë i shtrin efektet e saj deri më datë 31 dhjetor 2037
ka sqaruar Bylykbashi.
Mbetet për t’u parë nëse do të miratohet apo jo drafti, por këtu duhet të veçojmë përmendjen e Kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe jo të kryetarëve të Bashkisë, diçka që në fakt, nëse është e vërtetë, ka brenda një mesazh politik. Kjo është nisma e dytë e PD-së që përcakton kuadër problematik për politikën pas dekriminalizimit.
Add new comment