"Dukesha e Shëmtuar" e Quinten Massys mund të mos ketë subjekt një femër
“Një grua në moshë”, piktura e artistit flamand Quinten Massys, është në qendër të vëmendjes së studiuesve të artit më shumë se pesë shekuj pasi u pikturua. E ekspozuar në Galerinë Kombëtare në Londër, piktura e vitit 1513 paraqet një grua të moshuar. Në katalogun e ekspozitës, vera e shekullit të 16-të përshkruhet si sfiduese e standardeve tradicionale të bukurisë. Personazhi është një grua me sytë të futur në gropë, hundë të mprehtë e të madhe, lëkurë të ashpër, një nishan me qime, ballë të fryrë dhe mjekër të theksuar katrore.
Kuratorja e ekspozitës, Emma Capron, mbron një lexim ndryshe të veprës enigmatike. Ekspertja e artit të Rilindjes thotë se gruaja në pikturë nuk është aspak grua.
"Ajo ka shumë të ngjarë të jetë burrë. Një mashkull me veshje gruaje, si një lojë gjinish", thotë Capron për The Guardian. "Ne e dimë se Massys ishte shumë i interesuar për karnavalet, ku burrat imitonin gratë."
Në të vërtetë, në kohën kur është bërë piktura, në Europën Veriore ishte në modë moresca – njëfarë festivali në të cilin rolin e femrave më të kërkuara e luanin meshkujt e veshur si ato.
Piktura ka qëndruar e varur në Galerinë Kombëtare për më shumë se 80 vjet dhe është një nga "fytyrat më të njohura" të muzeut. Ajo njihet ndryshe si “Dukesha e shëmtuar” pasi shërbeu si frymëzim për ilustrimet e Sir John Tenniel në librin “Liza në botën e çudirave” të Lewis Carroll.
Përgjatë viteve, studiuesit e artit e kanë analizuar disa herë, duke dalë në përfundimin se personazhi vuante nga sëmundja e Paget, e cila dobëson kockat dhe çon në shpërfytyrim. Por Capron ka një pikëpamje tjetër. Ajo thotë se sëmundjet që deformojnë pamjen nuk janë shpjegim për pikturën. "Imazhet e Massys, ndonjëherë groteske, nganjëherë thjesht fantastike dhe satirike, janë pjesërisht metafora për çrregullimin social të kohës", shpjegoi Capron. Ai gjithashtu "thjesht argëtohet".
Për më tepër, Capron pretendon se piktura është frymëzuar nga një vizatim që i atribuohet ndihmësit më të afërt të Leonardo da Vinçit, Francesco Melzi. Ai ka lënë pas një skicë me titullin “Busti i një plake groteske”, e cila mendohet se i ka shërbyer Massys si bazë për veprën e tij. Vetë skica e Melzit, e huazuar nga Koleksioni Mbretëror, mendohet të jetë kopje e një origjinali të humbur nga dora e vetë Da Vinçit. Duke e njohur mirë stilin e fizionomisë së ekzagjeruar të Da Vincit, Massys mund ta ketë përshtatur pamjen e gruas nga një nga karikaturat e vetë mjeshtrit italian.
Burimi: Artnet
Add new comment