Paneli i Klimës: Shkenca nuk e di kush rrezikohet më shumë. Akullimi në Europë, jo para 2100-ësë
Një rishikim i dhjetëra mijëra punimeve shkencore mbi efektet e ngrohjes globale nxjerr në pah një të vërtetë tjetër shqetësuese: shkencëtarët ende nuk kanë përgjigje për shumë nga pyetjet që do të përcaktojnë se sa mirë e përballon bota ndyshimin e klimës në rastin më të keq. Në raportin e tij të fundit, Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) përshkruan një botë me ndikime të parashikuara prej kohësh, që vijnë tani me fuqi tronditëse. Vuajtjet njerëzore - veçanërisht në mesin e të varfërve - do të rriten me shpejtësi në dekadat e ardhshme. Kufiri simbolik prej 1.5 gradë Celsius pothuajse me siguri do të shkelet.
Në raport, zhvendosja sa më shpejt drejt energjisë së pastër shihet si një mundësi për të shmangur skenarët më të zymtë. Deri në momentin e publikimit të raportit të tyre të ardhshëm - në fund të kësaj dekade - do të ketë më shumë qartësi se ku do të arrijnë temperaturat globale. Politikat e gjelbra do të kenë shkaktuar transformim social dhe ekonomik, me përfitime të mëdha – dhe trazira të mëdha. Kjo do të thotë se ka ende shumë të panjohura për të thënë me siguri se si dhe kur do t’i ndiejmë efektet më shkatërruese të ndryshimit të klimës.
"Në përgjithësi, shkenca është ende e vonuar në politikë," tha Piers Forster, një autor i IPCC dhe drejtor i Qendrës Ndërkombëtare të Priestley për Klimën në Universitetin e Leeds.
Ekstreme që shtyjnë kufijtë
Ngjarjet ekstreme të motit të viteve të fundit – duke përfshirë valën e të nxehtit të vitit 2022 që regjistroi temperatura rekord në pjesën më të madhe të Evropës, dhe përmbytjet që shkatërruan Pakistanin vitin e kaluar – kanë befasuar disa nga shkencëtarët më të mirë të klimës në botë për shkallën e daljes nga diapazoni normal.
Ekspertët ende dinë relativisht pak se kur dhe ku do të ndodhin këto lloje të ngjarjeve ekstreme klimatike. Ose çfarë ndodh kur dy ngjarje, si një thatësirë dhe një valë të nxehti, godasin një vend njëkohësisht. Kjo për shkak se shkencëtarët kanë tendencë të shikojnë mesataret më të gjera nëpër rajone, në vend të ekstremeve më intensive në vende specifike.
Njerëzit që do të preken të parët
Ndërsa udhëheqësit kërkojnë të kufizojnë ndikimet më të këqija të ngrohjes globale, të dish se ku të përqendrohen përpjekjet do të jetë thelbësore. IPCC klasifikoi midis 3.3 miliardë deri në 3.6 miliardë njerëz - pothuajse gjysma e popullsisë totale të botës - si ndër më të rrezikuarit. Popullsitë e vendeve në botën në zhvillim do të jenë të goditur më rëndë.
Edhe kur u publikua raporti, Mozambiku, Malavi dhe Madagaskari ishte nën ndikimin e fortë të ciklonit Freddy. Rajoni është ende duke u rikuperuar nga ciklonet Idai dhe Kenneth në 2019. Por edhe në vendet e pasura, të varfërit, të moshuarit, të sëmurët, të rinjtë dhe të margjinalizuarit do të jenë më pak të pajisur për t'u përballur me sfidat e ardhshme. Duhet identifikuar saktësisht se kush është më në rrezik dhe kjo kërkon një përzierje të shkencave fizike me disiplinat sociale, politike dhe ekonomike. Ky diskutim është vetëm në fillimet e tij.
Pika e kthesës së frikshme
IPCC shprehu "besimin mesatar" se një ndryshim i papritur në rrymat e Atlantikut që mund ta zhyste Evropën në një epokë akullnajash nuk do të ndodhte para vitit 2100.
Në lidhje me ndikimet më të rrezikshme dhe të papritura të mundshme të ndryshimeve klimatike, niveli i sigurisë së shkencëtarëve është ende shqetësues i ulët.
Fusha mbetet plot hamendje. Por në një punim vitin e kaluar – i cili u botua shumë vonë për t’u përfshirë në raportin e IPCC-së – shkencëtarët identifikuan 16 nga këto të ashtuquajtura pika kthese, duke përfshirë kolapsin e shtresave kryesore të akullit të Tokës, që do të shkaktonte një rritje masive të nivelit të detit; dhe humbja e permafrostit, që çon në një çlirim të papritur të dioksidit të karbonit dhe metanit, duke nxitur më tej ngrohjen globale.
Ajo që është e qartë është se ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë midis rritjes së temperaturave dhe gjasave që ndryshimet të bëhen gjithnjë e më të pakthyeshme. Për shembull, IPCC tha, me një rritje të temperaturave globale midis 2 dhe 3 gradë Celsius, Grenlanda dhe Antarktiku Perëndimor do të humbnin "pothuajse plotësisht dhe në mënyrë të pakthyeshme" shtresat e tyre të akullit për mijëvjeçarë.
Add new comment