Intervista për Tanjug: Besoj se plani europian për Serbi-Kosovë pranohet më 27 shkurt
I Dërguari Special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak, deklaroi në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve, Tanjug, se shpreson që plani i BE-së për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, të pranohet të hënën më datë 27 shkurt.
Mendoj se plani do të pranohet të hënën dhe ai do të jetë detyrues për të dyja palët. Nuk është një marrëveshje e përkohshme dhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve, që duhet të përfundohet me firmosjen e një marrëveshjeje përfshirëse përpara anëtarësimit të të dyja vendeve në BE, do të vazhdojë më pas
është shprehur Lajçak.
Tanjug shton se zyrtari sllovak ka njoftuar se dokumenti do të bëhet publik sapo të dyja palët ta kenë firmosur. Lajçak ka vënë në dukje se refuzimi i planit europian do të sillte pasoja negative për të dyja vendet ndërkohë që agjencia serbe ka raportuar në një tjetër lajm se nga burime në BE është bërë e qartë se pranimi i planit në fjalë implikon njohjen dhe krijimin e Asosacionit të Komunave Serbe.
Add new comment