Vetëm Paraja nuk lejohet të bëhet qesharake në këtë vend

Postuar në 11 Shkurt, 2023 16:14

Mediat pranë qeverisë kanë rendur të numërojnë protestuesit dhe të deklarojnë dështimin e protestës së opozitës. Nëse e sheh protestën për nga qëllimi i shpallur dhe parafabrikimi si revolucion, protesta dihej se do dështonte. Nuk është Shqipëria vend revolucionesh dhe nuk është një popull i dashuruar me TEG-un dhe Big Brother, popull revolucionesh që tret ide dhe bën sakrifica.

Por protesta në vetvete është një instrument që nuk ka pse të skualifikohet në këtë mënyrë në një shoqëri që ka vuajtur pikërisht nga aneksimi i saj në oborret partiake. Media që flet në këtë mënyrë është ku e ku më kriminale sesa qeveria të cilës i atribuohen gjithfarë të zezash. Dhe media është aktualisht një ndër pushtetet që po prostituon çdo të drejtë të mundshme për të djegur hapësirën mes publikes dhe privates, kundërvënies dhe “konservatorizmit” të institucioneve.

Dhe që protesta është e tillë mjafton të dëgjosh njerëzit që shpjegojnë arsyet e tyre pse kanë dalë aty, edhe nën flamurin e reckosur të Sali Berishës. Dikush kundër nipit të Spiro Kolekës, dikush për varëfërinë, dikush kundër shpopullimit, dikush për Skavicën, pse po bëhet një dëm shumë i madh ekologjik dhe njerëzor.

Mundet që të gjithë të jemi të vetëmanipuluar dhe të rendim në kundërshti iracionale, por e sigurt është se vetëm e Mira nuk e ka manipuluar këtë kategori njerëzish. Të marrë në tërësinë e vet arsyet e protestës janë shumë qytetare, janë reale, janë një mijë e një hallet e Shqipërisë që patjetër që është këtu pse vidhet. Populli, edhe ajo pjesë që proteston nuk ka barrën e provës për të evidentuar hajdutët sepse me përkufizim ai që ka çelësat e shtëpisë ka edhe përgjegjësinë të thotë çu bë katandia.

Mëyra sesi administrohet si ngjarje publike protesta në Shqipëri është paradoksale: janë të gjithë arsyet për të protestuar, pranohen publikisht kështu, por ajo përherë interpretohet se dështon. Me këtë kritikë djallëzore që i bëhet një elementi themelor të sistemit që jetojmë po shkohet drejt asgjësimit të saj pasi në pritje të rezultatit imediat, kemi batarenë e analizave që thonë: iku edhe kjo shëtitje!

Ky kor përherë e më i zhurmshëm për shkak se jehon te kori masiv i indiferentëve po e baton anijen e demokracisë karikaturiale shqiptare drejt një keqkuptimi që e kemi patur përherë psikologji dominuese: është mirë vetëm kur je me pushtetin. Dhe se atë e ndryshon vetëm një Pazar me të huajt, ai vjen nga jashtë e kështu me radhë. Nuk ka këtu as tregues të ndonjë qytetari embrionale, as edhe kulturë minimale politike; këtu ka vetëm shqisë, instinkt i një turme që mendon me stomak.

Fatkeqësia e madhe e këtij transpozimi të pushtetit në mendësinë tonë, është se përveçse tradhëton hapur tashmë privlegjin e një të drejte me statusin e konusmatorit, po bën aksident me pasoja me defektet e Portës së Lartë. Lobimi si parametër i rregulluar ndikimit politik në SHBA, në rrjedhën e një demokracie burokratike siç është tashmë ai shtet, përfundon me politika kundërproduktive të cilat në rastin tonë i kemi në dy drejtime: diskreditim I reformës në drejtësi, riciklim i politikanëve të vjetër për shkak të aksidenteve me origjinë në SHBA.

Kjo e sotmja për opozitën mund edhe të lexohet si protestë kundër mënyrës sesi qendra e adhuruar nga shqiptarë të ndryshëm, provokon periferinë, katundin e humbur, të cilit ia ka poshtëruar kapedanët që aq shumë i shërbyen. Pa arsye bindëse, ashtu me një dekret. Është fatura e shërbimit pa kushte që çon në dëshpërimin e një pjese të shoqërisë përballë një pjese tjetër që ka epërsinë se ka një organizatë kriminale në drejtim, edhe kjo dëshpërimisht në kërkim të një amnistie nga SHBA.

Por patjetër që dikur kjo organizatë që sot ka kapur çdo gjë do ikë nga pushteti, ose ai që quhet pushtet këtu. E dikur ndoshta do protestojë, tashmë ndryshe nga 2010, në çadër ku qanin e përlanin deklarata të shtrirë në bulevardin “Pizza al taglio”, por si hajdutë, të plakur pak, me fytyra ku origjina do të ketë nisur të ketë nxjerrë krye e të zhvlerësojë markat e njohura të rrobave, apo ecjen me gjunjë të thyer, ndoshta me fëmijët nga pas, ose drejtues mediash që masin cep më cep kuadratin e protestës, e cila patjetër që është legjitime dhe ku patjetër do ketë edhe hallexhinj të vërtetë, që rendin pas zotërinjve të këtij vendi.

Do kenë këta patjetër këta kurtizanë kushërinjtë në opozitën që protestoi sot, krushqitë, se ndërzimi është edhe rrethanë politike dhe se dashuria nuk njeh parti. Dhe siç na këshillonte ai frëngu, do kemi unitetin e parisë që nuk po e gjejmë. Një unitet në maternitet. Dhe kështu do vazhdojë ky vend, demokratik në zvarritjen e tij…derisa të shpikë për veten sistemin e tenxheres për të gjithë, e tortës së pavarësisë çdo ditë, t’i dalë e ngrëna njëherë në jetë e të ngrejë kokën të shohë yjet e qiellin e mbase mendon pastaj njëherë të vetem i çliruar nga kompleksi i ditës së fundit, nga kjo tredhje që po na shitet si normalitet dhe mençuri.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.