Këto i ka thënë Zdromsi me kohë

Postuar në 20 Janar, 2023 23:48

Kandidati i opozitës për zgjedhjet vendore në Tiranë, Belind Këlliçi, ka nisur sot takimet me bazën. Me njerëzit. Në një status të vetin në Facebook, Këlliçi shprehet ndër të tjera se: 

Ju them me zemrën plot se nisa turin e parë të dëgjesave me bashkëqytetarët. Për fillim tek Njësia 7 dhe në vijim në çdo njësi administrative.

Do të flisni ju për Tiranën, për realitetin ku jetoni, për shqetësimet që keni dhe për kritikat që nuk ju jepet hapësira publike t'i shprehni

Është një gjuhë e vjetër në fakt, një formët i konsumuar i një relacioni artificial mes të ashtuquajturit politikan dhe popull. Sa herë e kemi dëgjuar kryetarin aktual të Tiranës, Erion Veliaj, të flasë për popullin, të ecë me një rom të vogël në krahë, të shërbejë supë në qendra sociale pleqeve që qeshin të lumtur nga kjo begenisje nga Jehovatë e Shqipërisë? 

Në këtë kuadër z. Këlliçi është një përsëritës monoton i një skenari të mirënjohur çka e redukton ofertën e tij në mesazhin: Veliaj është hajdut, unë nuk jam akoma. Pra më provoni se nuk humbisni më shumë se kaq! 

Kjo është tërësisht mjerane. Vetë Erion Veliaj erdhi në atë pozicion i katapultuar dhe rriti mjetet e veta me peshën financiare të Bashkisë së lejeve të ndërtimit. Por pa partinë pas, z. Veliaj është asgjë, në dallim nga Edi Rama dikur që përfaqësonte të paktën 8% të votuesve dhe merrte realisht vota nga PD-ja. Këlliçi është asgjë më shumë sesa Veliaj me teser partie tjetër dhe pak më ezmer, më brun në aspektin e asaj që komunikon. Jo të moralit personal e politik të cilin duhet ta provojmë ende.

Regresi i madh këtu nuk është në fakt kjo gjë, pra katapultimi, por fakti se Veliaj provoi se bashkia mundet të të rrisë peshën politike në kontekstin e një koniunkture, por jo detyrimisht profilin publik. I vetëidentifikuar si një lloj guerrilasi me karta bianca për çdo gjë, ky njeri nuk arriti një herë të vetme të gjeneronte një debat publik, të cilin ka bërë çmos ta vdesë. Ka patur protesta, mëri, pakënaqësi, por debat asnjëherë sepse debati pa kundërshtarë është monolog pa rezultat. Ai ka vepruar si aparatçik, kuestor, provokator, tribun, kodosh politik, por si kryetar bashkie jo.

 Në relacion me Edi Ramën ai është asgjë më shumë sesa dordoleci në fushën politike për ata që synojnë të zënë një karrige me shumë lekë. Z. Rama i ngjizi debatet për Tiranën, ndonjëherë edhe i shpiku nën nevojat imediate të kohës për cipë modernizimi, apo për të riintegruar në ekonominë e re kontribute të paralizuara në vitet e para të tranzicionit. Dhe është gabim të themi se “skema funksionoi”, pasi në fakt për njeriun e parë të një të ashtuquajturi Metropol Debati është paradigmë krijuese, energjetizuese. Nuk ka mjet tjetër për amplifikimin e vetes sesa çështja: çfarë do të bëjmë me qytetin tonë. 

Kjo kërkon energjitë intelektuale së pari, jo emocionale të berberanave dhe qofterive ku ndodhet rekuizita e Hallexhiut. Kjo kërkon edhe një axhendë apo plan për qytetin, që duhet postuluar si i tillë përpara sesa Këlliçi dhe Veliaj të kacafyten për rrugica, tendera dhe punë të pambaruara. Veliaj nuk flet kurrë për krimin në Tiranë, për faktin se është një qytet i krimit, i prostitucionit të padeklaruar e kështu me radhë. Jo, ai mbjell pemë, shëtit me të rinj, merr pjesë në martesa në taracë, sepse i thotë po shefit të vet. 

Kundër këtij qëndron Këllici, por po aq identik saqë të vjen çudi e të duhet të pyesësh: vallë kaq shohin në këtë qytet këta njerëz? Kaq dinë të thonë? Kush e beson xhanëm se nesër me Këlliçin në krye “zëri qytetar do na u dëgjoka më shumë sesa sot”? Vetë përqendrimi te këto kauza të rreme provon se çështjet e rëndësishme asm und të preken prej këtyre të dyve në përballjen për Tiranën çka na konfirmon se pushteti i vërtetë as ka të bëjë me zërin qytetar që në fakt është asgjë më shumë sesa heshtje dhe indiferencë e plotë. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.