Ministrja e Jashtme njofton se nuk është mirë

Postuar në 15 Janar, 2023 01:07

E shokuar përtej asaj që mund të thuhet

Në këtë gjendje të rëndë ndodhet në këto orë ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, e cila i ka kthyer në profilin e vet Twitter, përgjigje ministrit britanik për Emigracionin, Robert Jenrick. Ky i fundit paraqitet në një video ku flet me një gjuhë tipike të politikanëve të sotshëm që pretendojnë vendosmëri dhe vullnet duke rënduar terminologjinë. Staf i mrekullueshëm, thotë ministri për njërëz të kufirit apo emigracionit që janë tanimë në qendër të diskutimeve publike në Britaninë e Madhe që po zbulohet se nuk di të luftojë imigracionin. 

Replika e ministres Xhacka në atë profil është padyshim një lëvizje propagandistike që ka brenda edhe potencialin e një police shëndeti. Ta zëmë, nëse zonja nuk del dot nga kllapia emocionale që e ka zënë për shqiptarët që kalojnë La Manshin, në eventualitetin teorik të zhvillimit të kësaj gjendjeje të rënduar në një formë patologjike psiko-neurotike, apo psiko-somatike, atëherë vetë fakti publik i debatit online do të shenjohet si shkak për sëmundjen dhe kështu qeveria britanike shpresojmë se do të bëjë gjestin fisnik të mbulimit të shpenzimeve të kurimit. Sepse “Britania i paguan përherë borxhet e saj”. 

Ne urojmë kjo të mos ndodhë asnjëherë, pasi format moderne të dambllasë implikojnë stresin, ndërveprimin e shumë faktorëve nën presionin e pashmangshëm të intensitetit informativ duke krijuar lezione të pakthyeshme. 

Ajo që të çon në këtë vlerësim të gjendjes së ministres në të vërtetë është gjuha tërësisht artificiale e saj. Zonja Xhaçka njihet për një cilësi në atë vend kune kanë ulur: di ta mbajë gojën mbyllur. Mirëpo burime në partinë e saj po thonë se zonjës i kanë shpëtuar ca komente për shefin e saj, qoftë pse ka dëgjuar se mund ta lëvizë, apo ta lërë si të “barabartë para ligjit”, qoftë se është në natyrën njerëzore kjo gjë. Dhe kjo e fundit është lajm parimisht i mirë.

Si xhanëm u shokoka një ministre nga deklaratat e një homologu në Britani dhe nuk e shokon ikja e njerëzve të vet nga vendi ku ajo qeveris? Si xhanëm qeveria e Shqipërisë kujtohet për Ikjen vetëm kur duhet të ushtrojë sportin e ri të replikës parimore me qeveri të huaja dhe jo duke e bënë atë në qendër të ndërhyrjes me politika? 

Të gjithë e dinë që zonja Xhaçka është shëndoshë e mirë, more qiqër. Statusi i saj, sikundër ato të shefit të vet, janë asgjë më shumë sesa fushatë elektorale për votat e “çunave të Londrës”, që ka nisur t’i peshkojë qëkurse “u çoi aeroportin në Kukës”. Dhe mandej me amistinë fiskale që për shumëkënd mban të hapur me ligj një linjë fluksi parash nga jashtë në sektorin e pasurive të paluajtshme që nuk i përgjigjet më asnjë mirëqenieje apo ekonomie në Shqipëri. 

Ndonëse për ironi, qeveria britanike po i kthen shqiptarët sepse nën vlerësimin europian dhe të vetin se “Shqipëria është një vend i begatë dhe i sigurtë”, ndaj nuk ka sesi të miratojë azilkërkimin nga shqiptarët. 

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Nji mullar me kashte per dy kokrra grure. Per nje perqasje te ministres ndaj nje deklarate gjithe ky shkrim i gjate, ndertuar mbi fantazira, cinizem, supozime, urrejtje (patologjike). Thjesht shprehu kendveshtrimin e vet. Pse e merr me kaq shkume? Mos do te thuash qe po u nderrua qeverisja nuk do ikin me ne Angli? Do ikin sic kane ikur edhe me pare, thjesht ju ashtu si me pare, do jeni ne divan duke pire caj dhe nuk do ja vleje vemendjen tuaj,pasi nuk do jete me problem juaji, por personal i secilit qe vendos te ike,ashtu sic eshte ne te vertete. Po a jeni te vertete sot?

Submitted by Arben (not verified) on

qe kane disa njerez te cilet bejne avokatin e qeverise te PS, per cdo mendim te shprehur kunder saj. Me kujton nje te njohurin tim qe me thoshte dikur ne prag te zgjedhjeve te fundit parlamentare. Thoshte: Sa mire qe u mbeti ne dore Pjerin Xhuvani ketyre maskarenjve, dhe ferkonte duart nga qejfi! 2% te votave do u rritet popullariteti ketyre te PS e keshtu shkojme drejt fitores te sigurte!

Kurse tek mesazhi me siper verehet: Edhe po te mos jete kjo qeveri shqiptaret prape do vazhdojne te shkojne ne Angli, ky eshte problem e hall individual..vetem ju qe kritikoni ministren jeni gabim.

Cfare njerezish, cfare patronazhizmi banal e vulgar, qe fyen cdo njeri me sadopak integritet e logjike te pa infektuar nga propaganda.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.