I kishte marrë me vete duartrokitësit që "ecin drejt si kali me veshoke, atje ku bie vetëm një këmbanë"

Postuar në 21 Dhjetor, 2022 13:37

Sot u mbajt një ceremoni e pazakontë. Karakteristike për rrumpallhanen që qeveris këtë vend. U ngritën e shkuan si qeveri dhe bashki në nisjen e punimeve për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, mbi rrënojat e të vjetrit që u prish, pavarësisht se prishja ka muaj që ka ndodhur.

Është celebrimi politik i një fitoreje personale të kryeministrit, kryetarit të bashkisë së Tiranës dhe jo i kulturës. As i artit. Sepse arti ka rrugën e vet për të dhënë atë që duhet të japë. Është një fitore biznesi që ngrihet mbi imponimin në stil feudal nga një kastë që në fakt kur të ketë marrë gjithçka nuk do dijë se çfarë të bëjë.

Ta lëmë kryetarin e bashkisë, këtë Zdroms të pakorrigjueshëm që sillet si dikush që ëndërr të vet ka të jetë komisar diku, ta lëmë edhe kryeministrin në përmbylljen e procesit fatkeq për këtë vend me gjithë vazhdën e shëmtisë së monotonisë që ka krijuar. Të ndalemi pak te drejtori i ri i Teatrit Kombëtar, Altin Basha. Dëgjojeni zotërinë kur thotë se teatri i ri është ëndrra e një brezi të vjetër aktorësh, dëgjojeni sesi ish-drejtuesi i Portokallisë, bën veten personazh më në fund të estradës me të cilën mbajti me gajret banal një milet të tërë që realisht nuk di se çfarë të bëjë në këtë vend, kur na thotë se u deshën 70 vjet që kjo çështje të merrte zgjidhjen më të mirë.

Pafytyrësia e një skote njerëzish nuk ka metër dhe kut, pse në fakt ëndrra e aktorëve të vjetër për një teatër të ri, nuk do të thotë që të prishej me kaq këmbëngulje i vjetri. Një teatër i ri mund të ndërtohej gjetiu, me kaq zell sa ky tani, por zoti Basha është në atë skenë ku siç tha dikush “kryeministri kishte marrë me vete duartrokitësit” mes të cilëve edhe Robert Ndrenika, një dekor plotësues në rolin e Shvejkut që nuk I duhet se çfarë thotë.

Teatri I ri nuk është projekt për artin dhe kulturën, është projekt biznesi. Si kinematë e Edi Ramës që rilindën poshtë pallateve. Dhe ai delli aq I përvëluar për artin që këta zejtarë të duartrokizmës na e sjellin dhe risjellin pa ndalim, nuk është në këtë vendin tonë. 

Është qesharake në kulm për një vend si ky që ka në krye dikë që flet e flet për artin e që ministre kulturë ka një anonime që vetëm qesh. Apo që e ushtroi artin e vet mediokër në shkallë industriale me Rilindjen Urbane dhe kullat, për projektin e të cilave ndërhyn vet dhe që në finale kanë gjeneruar një qytet që është në kërkim të identitetit.

Është groteske mandej që z. Rama u bë i njohur si artist pasi u bë kryeministër dhe që galerinë kryesore të veprave të veta e ka në selinë e qeverisë, fakt ky kuptimplotë për të bindur edhe atë vetë se ai nuk është asgjë si artist, por si menaxher arti. Dhe e bën këtë me paratë e të gjithëve, vetëm për bythën e vet, siç po bën teatrin e ri, siç bëri sheshin, e siç ka dhënë bregdetin me projekte të midesë së vet.

Ndaj pas gjithë kësaj zulme që nuk do mend ta kuptosh, por vetëm vullnetin për të mbajtur sytë hapur, të vjen vërtet keq për njerëz si z. Basha që në autizëm të vullnetshëm “ecin drejt si kali me veshoke, atje ku bie vetëm një këmbanë”.  

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Do kisha shume objeksione per hartimin qe ke shkruar i denje per nje njeri tipik medioker qe kufizohet te flase perciotas per ceshtjet dhe kur vjen puna per te diskutuar thelbin shtrihet ne divan dhe pin caj. Ok. Ja ke dale te tallesh me gjithcka. Por kur vjen puna te Robert Ndrenika askush nuk ta fal. Ndrenika nuk eshte as person as personazh dhe as thjesht aktor. Ai eshte institucion. Turp te kesh qe e gjykon per menyren se si ai vlerson cfare.

Submitted by redaksia on

Te kem turp nga kush ne kete vend? 

Dhe Robert Ndrenika nuk eshte institucion, per ty ndoshta - eshte nje aktor qe ka aktualisht nen kredencialet e aktorit nje angazhim publik. Per lojen aktoriale nuk po gjykon kush, qe e ka kushdo te drejte; per qendrime publike, patjeter qe po do japim opinion. Dhe ne te ashtuquajturen kauze te teatrit, as Ndrenika, askush tjeter nuk ka te verteten me vete. Dhe as moralin absolut. Po jeni mesuar me obeliske te rreme. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.