Tradhtia e domosdoshme e Juda Iskariotit

Postuar në 19 Dhjetor, 2022 00:37
David Brakke - Ohio University

 

Juda, pse e bëri vallë? Tradhëtimi i Jezusit të Nazaretit nga Juda Iskarioti, një prej 12 dishepujve të tij, është bërë akt paradigmatik i tradhëtisë në kulturën perëndimore. Historianët modernë janë skeptikë mbi shumë detaje të jetës dhe vdekjes së Jezusit të përshkruara në ungjitë e Testamentit të Ri, por thuajse të gjithë bien dakord se një prej dishepujve të Jezusit lehtësoi arrestimin e tij dhe ekzekutimin eventual nga autoritetet romake. Pse do të krijonin kristianët e parë një skenar të tillë kaq turbullues dhe pse Shën Pali dhe autorët e shumtë të ungjijve do ta kishin përsëritur sikur të mos ishte një fakt me të cilin ata duhet të përballeshin?  Të kuptosh nëse dhe pse një nga ndjekësit e afërt të Jezusit e tradhtëtoi atë, mund të hedhë dritë mbi interesin e madh për historinë e Perandorisë Romake dhe religjionet e saj. 

Ungjijtë na thonë se një dishepull me emrin Juda tradhtoi Jezusin, por në ta nuk ka dakordësi mbi arsyen se pse ai e bëri këtë. Mateu, Marku dhe Luka, të gjithë raportojnë se Juda mori para nga liderët hebrej, por vetëm Mateu shpjegon qartë se ishte lakmia motivi i Judës. Sipas Lukës dhe Johanit, Satanai pushtoi Judën dhe Johani mandej na thotë se Jezusi e urdhëroi menjëherë Judën: “Ç’ke për të bërë bëje shpejt!” Marku merr një qasje disi fataliste – Jezusi thotë: 

Biri i Njeriut po shkon sikurse është shkruar për të, por mjerë ai njeri që tradhëton Birin e njeriut! Për atë njeri do të kishte qenë më mirë të mos kishte lindur! 

Po ashtu, Marku nuk raporton se çfarë ndodhi me Judën. Mateu tregon se Juda vdiq përmes vetëvrasjes nga brenga, ndërkohë që Luka thotë në Veprat e Apostujve, pasuesja e Ungjillit të tij, se Juda ra dhe u përvëlua spontanisht: “trupi i tij u ça dhe  zorrët e tij dolën jashtë”.

Shkruesit e ungjijve të Testamentit të Ri e besonin si çështje besimi se ishte plan i Zotit që Jezusi të vdiste, që në të vërtetë vdekja për të tjerët ishte misioni kryesor i Birit të Njeriut(siç është e shkruar). Ata nuk e konsiderojnë mundësinë që Juda ta ketë dorëzuar Jezusin për një arsye fisnike. 

Autori gnostik kristian i Ungjillit të Judës megjithatë e sugjeron një gjë të tillë. Ndonëse akti i tradhëtisë së Judës ishte i keq, Juda e dinte se duhet ta bënte atë – për shkak se Jezusi i kishte thënë se pse. Asnjë historian nuk mendon se Ungjilli i Judës raporton atë çfarë ndodhi me të vërtetë, apo na jep ndonjë mundësi të depërtojmë në karakterin apo motivimet e Judës: u shkrua thuajse me siguri dekada më pas ungjijve të Testamentit të Ri dhe nuk është më pak i formësuar nga angazhimi teologjik sa të parët. 

Megjithatë, vendimi i këtij autori për ta vënë Judën në qendër të historisë dhe për ta portretizuar sikur po bënte atë që Jezusi donte, duhet të ketë qenë qëllimisht provokues. Sinjalizonte një protestë gnostike kundër besimeve kryesore dhe praktikave të Kristianizmit Ortodoks që po shfaqej, siç ishte edhe identiteti i Jezusit si djali i Zotit të Izraelit, vdekja e tij si një sakrificë për mëkatet e qenieve njerëzore dhe Eukaristia si përkujtesë e asaj sakrifice. Në këtë ungjill pyetja se pse Juda e bëri, shtronte çështje më të mëdha si: 

kush ishte Jezusi, cilin zot duhet të adhuronin kristianët dhe nëse rituali i tyre shpëtonte njerëzit. Me fjalë të tjera natyra e vetë Kristianizmit ishte në lojë

Ungjilli i Judës nuk ishte i disponueshëm për shumicën e studiuesve dhe publikun e gjerë deri në pranverën e vitit 2006 ndonëse historianët dinin se në Antikitet ekzistonte një ungjill i Judës. Janë disa autorë të hershëm kristianë që e referojnë atë; më i hershmi është Irineu, një lider Kristian në Lion, që e përmend shkurtimisht atë në veprën e tij masive anti-heretike “Mbi Gjurmimin dhe Përmbysjen e Dijes, Ashtuquajtur kështu”, të rreth vitit 180 e.s. Sipas tij ungjilli origjinonte mes një grupi “Gnostikësh”, një grup kristianësh që shpallnin se posedonin dije të veçanta. Ai raporton se ky grup e portretizonte Judën si më të ditur se dishepujt e tjerë dhe se akti i tij i tradhëtisë çoi në shpërbërjen e kozmosit aktual. 

Ndonëse Irineu mbante mesa duket disa shkrime gnostike në bibliotekën e tij, Ungjilli i Judës është i vetmi për të cilin ai na jep një titull. Historianë të Kristianizmit supozojnë se njësoj si shumë vepra të hershme kristiane, titullin e të cilave ne e dimë, ai humbi përgjithnjë, për shkak të dështimit të murgjve mesjetarë për ta kopjuar. 

Ishte me gjasë në fund të viteve ’70 të shekullit të 20-të që një person i panjohur, apo disa të panjohur në Egjipt zbuluan katër libra antikë; një tekst matematikor grek, një kopje të librit biblik, Eksodi në greqisht dhe një kopje të Letra të Shën Palit në gjuhën kopte.

Libri i katërt ishte një kodik në papirus që përmbante disa vepra në gjuhën kopte, një prej të cilave ishte Ungjilli i Judës. Gjuha kopte është stadi i fundit i gjuhës së vjetër egjiptiane. Në antikitetin e vonë dhe në Mesjetë, shumë vepra në greqisht u përkthyen në gjuhën kopte për t’i bërë të disponueshme për një masë më të madhe lexuesish. 

Bazuar në analizat e karbonit dhe të shkrimit të dorës, kodiku që përmbante Ungjillin e Judës mund të datohet në shekullin e 4-t, rreth 200 vjet pasi Irienu e kishte lexuar atë në origjinalin grek. Shumë historianë(por jo të gjithë)kanë konkluduar se Ungjilli i Judës në gjuhën kopte është një përkthim i atij që dispononte Irineu; përkthimi ishte bërë me gjasë jo më shumë më para sesa kodiku të kopjohej. Ishte gjetur kështu Ungjilli i Judës, shkrimi më i hershëm gnostik. 

Po pse u desh deri në vitin 2006 që të bëhej i disponueshëm? Kjo është një histori lakmie, paaftësie dhe keqkuptimi që është shumë e gjatë për ta përsëritur këtu plotësisht. Për shkak se ata që e dispononin kodikun kërkonin shuma të mëdha parash dhe për shkak se institucionet akademike me reputacion, hezitonin ta blinin dorëshkrimin që ishte nxjerrë ndoshta ilegalisht nga Egjipti, kodiku lëngoi për dekada pa kujdesin e duhur. 

Kaloi disa vjet në një kasafortë sigurie në një bankë në Long-Island dhe një i paditur madje e vuri në frizer dhe pastaj e shkriu(procedurë shkatërruese për një material organik si papirusi). Përfundimi i tri dekadave abuzimi dhe injorimi është një kodik i dëmtuar me shumë faqe që mungojnë, vrima në faqet që kanë mbijetuar dhe me një pjesë të madhe të tekstit që mezi lexohet.

Në fakt, pasi teksti në gjuhën kopte dhe përkthimet e para në gjuhët moderne u publikuan në vitin 2006, dolën në sipërfaqe fragmente të tjera në vitin 2009, të cilat u publikuan në një revistë universitare në vitin 2010. 

Kërkuesit duhet të jenë të vetëdijshëm se çdo gjë që ata lexojnë rreth Ungjillit të Judës që ka qenë publikuar të themi para vitit 2011 mund të jetë e vlefshme dhe informuese, por vuan gjithashtu nga padija rreth fragmenteve të reja. Rreth 10% e tekstit të këtij ungjilli mbetet i humbur – kështu që është e mundshme se fragmente të reja do të shfaqen në të ardhmen që vënë në pikëpyetje disa prej gjërave që unë parashtroj këtu. 

Ungjilli nuk shpall se është shkruar nga Juda: është Ungjilli i Judës, jo sipas Judës. Autori e identifikon veprën si “raporti sekret i gjykimit, në të cilin Jezusi foli me Juda Iskariotin gjatë tetë ditëve para triditëshit, përpara se ai të festonte Pashkët”.

Edhe pse në pjesë të ungjillit Jezusi flet me 11 dishepujt e tjerë, autori përmend vetëm Juda Iskariotin si personin të cilit i komunikohen zbulimet e Jezusit dhe e vendoskëtë bashkëbisedim “përpara tri ditëve” – periudha ngakryqëzimi te rinjallja – dhe përpara sesa Jezusi të festonte Pashkën, që është pra, Darka e Fundit

Ungjilli nis me përshkrimin e misionit dhe detyrës së Jezusit tëcilin çdo Kristian duhet ta pranojë: Jezusi, thuhet aty, erdhi në tokë për të shpëtuar njerëzit dhe të kryente mrekulli dhe ai thirri rreth vetes një grup prej 12 dishepujsh për mësim të veçantë rreth Zotit dhe të ardhmes.

Por aty autori deklaron se shpesh Jezusi nuk e zbulonte veten para dishepujve të tij dhe në vend të kësaj do ta gjeje mes “mes fëmijëve”. 

Është një kontrast domethënës: tri nga ungjijtë e Testamentit të Ri paraqesin skena në të cilat Jezusi mirëpret fëmijët dhe dishepujt që reagojnë me irritim. Rezulton se ‘gjykimi’ që Jezusi shpreh dënon kryesisht dishepujt origjinalë më tepër sesa Judën si mëkatarë dhe injorantë për të vërtetën rreth Jezusit. 

Në këtë pikë Ungjilli e zhvendos kohën e narrativës së ungjijve të mirënjohur dhe rrëfen një seri të katër shfaqjeve të Jezusit dhe dialogët e tij me dishepujt dhe Judën që ndodhin në një vend të paspecifikuar dhe gjatë një kohe të papërcaktuar. Përmes këtyre dialogëve, lexuesit mësojnë sesi ky autor gnostik dallon nga kristianët e vet për nga kuptimi që ka mbi identitetet e Zotit dhe Jezusit dhe kuptimin e kryqëzimit. Ne zbulojmë se pse Juda duhet ta bënte.

Ungjilli përfundon shkurtimisht me Judën që e dorëzon Jezusin te liderët hebrenj. Duket se ai kishte mësuar atë që Jezusi donte që ai të dinte. Informacioni që Jezusi i përcjell Judës dhe për rrjedhojë lexuesve në dialogjet është kompleks, por mund të reduktohet në pesë pika thelbësore, që kulminojnënë shpjegimin e aktit të Judës. 

pari, dishepujt dhe kristianët që e ndjekin atë, adhurojnë gabimisht një zot të cilin ata e identifikojnë si atin e Jezusit, porJezusi në fakt vjen nga një mbretëri më e lartë dhe ka qenë dërguar nga një Zot që nuk mund të emërtohet. Në skenën e dialogut të parë, Jezusi qesh kur ai zbulon se dishepujt ndajnë një vakt që ata e quajnë Falënderimi – eucharistia në greqisht. Jezusi qesh sepse dishepujt nuk e dinë se çfarë po bëjnë; është përmes këtij rituali, u thotë ai atyre, që «zoti juaj» merr lutjet. Vetëm Juda mes tyre e di se Jezusi nuk është biri i Zotit të cilin e adhurojnë kristianët e tjerë –që është Zoti i Izraelit i cili sipas Biblës krijoi botën dhe bëri besimtarë mes hebrejve. Në vend të kësaj Juda i thotë Jezusit : 

Ti ke ardhur nga përjetësia e Barbēlō, e pavdekshmja kohë. Sa për atë që të dërgoi ty, unë jam i padenjë ta përmend emrin e tij

Ishte një ide gnostike e qartë të besoje se kishte një Zot më të epërm sesa Zoti i Izraelit, një «shpirt i pandashëm» përtej emrit apo personalitetit. Ky zot e ka shfaqur veten në një seri manifestimesh të quajtura përjetësi(aeon) që janë njëkohësisht realitete dhe zgjatime kohore dhe më i epërmi i tyre ka emrin enigmatik Barbēlō. Është nga ky realitet më i epërm shpirti të pastër që ka ardhur Jezusi. Vetëm Juda e di këtë gjë dhe është kjo arsyeja pse Jezusi e veçon atë për udhëzimet në «misteret e mbretërisë».   

Së dyti, dishepujt dhe pasuesit e tyre mund të jenë injorantë, por ata janë kristianë të vërtetë, “një rracë e madhe dhe e shenjtë”, të cilëve u drejtohet Jezusi dhe të cilët nuk do të sundohen nga qenie armiqësore më të ulëta që sundojnë këtë kozmos. Ungjilli kundërvë vazhdimisht një “rracë të vetme të madhe” që do të shpëtohet përkundrejt “disa rracave të qenieve njerëzore”, që u shërbejnë zotave më të ulët, në injorancë dhe mëkat. 

Në këtë aspekt, ungjilli i ngjan veprave të tjera të literaturës kristiane që i veçon kristianët nga popujt e tjerë si një «rracë e zgjedhur» apo «komb i shenjtë». Në dallim prej tyre megjithatë, Ungjilli i Judës i vendos shumë kristianë të tjerë mes popujve mëkatarë dhe në mënyrë sarkastike i referon ata si «rraca të të devotshmëve». Retorika e rracës nuk do të thotë se qeniet njerëzore si individë janë lindur të shpëtuar apo të mallkuar dhe se nuk mund ta ndryshojnë fatin e tyre.

Njësoj si shkrimtarë të tjerë antikë, autori ynë beson se njeriu mund ta ndryshojë rracën e vet duke adoptuar një seri zakonesh të reja, veçanërisht duke hequr dorë nga zotat tradicionale dhe ritualet për adhurimin e zotit të vërtetë.

Së treti, Eukaristia që kristianët e tjerë festojnë u sjell vetëm vdekje pjesëmarrësve pse performohet nga liderë të korruptuar në emër të Jezusit dhe i ofrohet një zoti të rremë të kësaj bote. Dishepujt i thonë Jezusit se ata kanë parë një ëndërr të keqe në të cilën panë 12 priftërinj ofronin shumë sakrifica në një altar në një ndërtesë të madhe të shenjuar me një emër. Priftërinjtë dukej të ishin së jashtmi të përulët dhe të devotshëm, por ata kryenin mëkate rrënqethëse, përfshirë vrasjen :

dishepujt ishin mes atyre të devotshmëve

Jezusi identifikon emrin e ndërtesës si emrin e tij, 12 priftërinjtë janë dishepujt, altari është zoti i rremë që ata adhurojnë dhe gjedhi që ata therin është populli që ata çojnë drejt vdekjes. Që do të thotë se kur liderët kristianë në shekullin e 2-të shpallën veten priftërinj dhe pasues të dishepujve, kur ata ofruan Eukaristinë si një sakrificë ndaj Zoti të Izraelit në emër të Jezusit dhe kur ata e bënë këtë për të kujtuar vdekjen e Jezusit, ata po blasfemonin emrin e Jezusit, adhuronin zotin e gabuar dhe mashtronin besimtarët e grigjës së vet. Jezusi i urdhëron të ndalin së bëri këtë gjë.

Ndonëse dishepujt shprehin brengë për mëkatet e tyre, duke fajësuar për to mashtrimin nga engjëjt më të ulët, Jezusi duket se nuk tregon interes që t’i falë. Në vend të kësaj, ai shpall gjykimin e tyre dhe të gjithë «rracës njerëzore», jo shpëtimin. Kur vdekja vjen siç vjen për të gjithë njerëzit, shpirtrat e të mallkuarve do të vdesin, por shpirtrat e rracës së madhe do të ngrihen lart në mbretërinë e pavdekshme ndonëse trupat e tyre zhduken.

Së katërti, Juda nuk i përket as të shpërtuarve, as të mallkuarve. Ai duhet të kryejë një punë të papëlqyeshme dhe të pamëshirshme: ai do të sakrifikojë qenien njerëzore që bart Jezusin, të mallkohet dhe persekutohet për atë akt dhe mandej të sundojë mbi kozmosin e poshtëm si “demoni i 13-të”. Më shumë se një herë, Jezusi i thotë Judës se lajmi që ai po i jep, do ta bëjë atë të rënkojë dhe se Juda nuk do të ngjitet në mbretërinë e parajsës, ndonëse ylli i tregon Judës një vizion të një tempulli të rezervuar për njerëzit e shenjtë aty.

E megjithatë Juda nuk do të jetë si çdo i mallkuar në këtë botë të korruptuar. Ai do të ngjitet në pozicionin e 13-të, përmbi 12 shenjat e Zodiakut dhe do të “sundojë” përmbi rracat e tjera si “demoni i 13-të”. Kjo detyrë nuk ka për të qenë e pëlqyeshme, por komzosi do të ketë nevojë për një menaxhim të ri sapo zoti i keq krijues dhe ëngjëjt e tij pasues do të përmbysen.

Së pesti – dhe tani ai e mëson se pse duhet ta dorëzojë Jezusin – vdekja e Jezusit është sakrifica më supreme për zotin më të ulët dhe ndaj një akt mëkatar të cilin Juda duhet ta kryejë. Si i tillë, ai nuk do të përsëritet në Eukaristinë, por ai përmbush mposhtjen e zotit të ulët dhe engjëjve të tij, ndaj edhe është i domosdoshëm. 

Në një fjalim të gjatë ndaj Judës, Jezusi shpjegon origjinën dhe natyrën e sunduesve të shkallës më të ulët. Engjëjt e vërtetë thirrën engjëj të rinj për të vënë rregull në këtë botë materiale të kaosit, por kryesori prej tyre, Nebrō (ose Ialdabaōth) u rebelua kundër hyjshmërisë së vërtetë. Ai u bë një “apostat”. I dyti prej tyre, Saklas, krijoi qenien njerëzore dhe diktoi vdekshmërinë e tyre. Më pas, ky Saklas, është Zoti i Izraelit i njohur nga Gjeneza dhe pjesa tjetër e Biblës Hebraike dhe është ai, të cilin e adhurojnë gabimisht kristianët e tjerë si atin e Jezusit. Saklas dhe engjëjt që e ndjekin dominojnë qenien njerëzore përmes kalendarit – marshi i pandalshëm i kohës drejt vdekjes – dhe kërkojnë prej tyre adhurim me sakrifica.

Por megjithatë, zoti i vërtetë u ka dhënë njerëzve dijen(gnosis) në mënyrë që ata të shohin përtej këtyre pseudo-zotave dhe të njohin ligësinë e tyre. Jezusi i shpëton njerëzit qoftë duke e bërë këtë dije edhe më të disponueshme, ashtu edhe duke iu dorëzuar sakrificës që Saklas kërkon në kryqëzim.

Kryqëzimi vrau qenien njerëzore ku jetonte Jezusi, por nuk mund të dëmtonte Jezusin hyjnor dhe kështu, regjimi i sakrificës së Saklas erdhi në fund. Apo të paktën duhet të vinte. Liderët kristianë jo-gnostikë, vazhdojnë në mënyrë perverse që të veprojnë si përftërinj duke i bërë sakrifica Saklasit, tani në formën e Eukaristisë.

Pasi Jezusi i ka zbuluar të gjithë këtë Judës, ai hyn në një re, në një mënyrë që aludon Transfigurimin e Jezusit që rrëfejnë Mateu, Marku dhe Luka. Ugjilli mandej rikthehet në narrativën e botës së ungjijve të Testamentit të Ri. Jezusi është në një “dhomë miqsh” duke u lutur. Duhet të jetë Pashka që përmendet në fillim në ungjill. Liderët hebrenj po mërmërisin rreth Jezusit dhe disa skribë i afrohen Judës që është jashtë dhomës së Darkës së Fundit(Ungjilli i Johanit e ka pikturuar Judës sikur largohe nga darka që kishte kërkuar Jezusi). Ungjilli i Judës mbyllet thatë: 

Juda mori para dhe ua dorëzoi atë atyre

Presupozohet se lexuesit e dinë se çfarë ndodhi më pas dhe tani e kuptojnë pse Juda e bëri dhe ata mund të shohin dhe kuptojnë se shumica e liderëve kristianë mjerisht e kanë keqkuptuar Judën, Jezusin dhe kryqëzimin – që janë pra themelet e besimit të tyre fetar. Si një “raport sekret i gjykimit”, siç vetë-identifikohet, Ungjilli i Judës është një dokument negativ i jashtëzakonshëm me synim kryesor dënimin e engjëjve sundues të kësaj bote, dishepujve të parë dhe liderëve dominues të komuniteteve kristiane që shpallin se i pasojnë.

Si një copëz e polemikave fetare, ai nuk u ofron historianëve bashkëkohorë ndonjë informacion rreth Jezusit historik, Judës apo dishepujve. Por si vepra e parë e datuar gnostike është një pasuri informative rreth diversitetit Gnostik dhe Kristian në mesin e shekullit të 2-të. Shumë prej atij informacioni ka kontradiktë me atë që kemi menduar më parë.
P.sh historianët modernë e kanë karakterizuar Gnosticizmin me origjinë jo saktësisht kristiane, por në religjionet dualiste të lindjes(Orienti persian) apo mes hebrejve të paafektuar nga Kristianizmi dhe që ka integruar elementë kristianë si Jezusi, vetëm në plan të dytë dhe në mënyrë sipërfaqësore. Duke bërë kështu, historianët zakonisht e kanë refuzuar përshkrimin antik Kristian ortodoks të Gnosticizmit si një “herezi”, një devijim të frymëzuar diabolik nga e vërteta origjinale e Kristianizmit. Dhe sërish Ungjilli i Judës është tërësisht Kristian: jo vetëm pse Jezusi, Juda dhe dishepujt janë karakteret kryesore, por gjithashtu vdekja e Jezusit(apo të paktën e bartësit të tij human) është esencial për shpëtimin. 

Kryqëzimi përfaqëson një fitore mbi mëkatin, vdekjen dhe fuqi të tjera kozmike, një besim që mund ta gjesh në Letrat e Shën Palit po ashtu. Autori mund të refuzojë Eukarisitinë si një ritual sacrifice të ofruar Zotit të Izraelit, por interesi i tij i theksuar në të, tregon sesa thellë ishte i përfshirë ai në lëvizjet kristiane. Kristianizmi Gnostik duhet të ketë qenë një ndër shumë trajektoret religjioze që vuri në lëvizje vdekja e Jezusit.

Historiani i shekullit të 20-të, specializuar në religjionin antik, Arthur Darby Nock e quante Gnosticizmin “Platonizëm të pafre” për shkak se shumica e shkrimeve të mbijetuara gnostike zbulojnë një ndikim të fuqishëm nga rrymat e filozofisë platoniste të kohës dhe përdorin shumë nga zhargoni filozofik. Ungjilli i Judës megjithatë nuk tregon ndonjë ndërveprim me filozofinë, qoftë Platonist, qoftë diçka tjetër. Ai shfaqet mjegullisht astrologjik, me interesin e tij për yjet dhe kohën kalendarike dhe imazheria e tij huazon nga tradita e rebelimeve të engjëjve dhe tempujve parajsorë që gjenden në literaturën apokaliptike hebraike të shekujve pararendës. Në këtë kuadër ai të kujton librin e Zbulesës në Testamentin e Ri dhe sugjeron se idetë e eksatologjisë apokaliptike – dija e komunikuar rreth fundit të botës siç e njohim – mbetej me kuptim për kristianët e ndryshëm të shekullit të 2-të.

Tekste më të hershëm gnostikë përmbajnë karaktere të vendosura femërore, njerëzore apo hyjnore. Sipas Librit të Fshehtë(Apocryphon) të Johanit, një tekst i shekullit të 2-të dhe vepra të tjera, një entitet feminin, quajtur Sofia(Mençuria) gjeneroi zotin e keq krijues të kësaj bote dhe ajo vepron përmes Evës dhe vajzës së saj, Nōrea, për të ndihmuar qeniet njerëzore.

Përjetësia Barbēlō, prej nga ku Ungjilli i Judës, pretendon se Jezusi erdhi, identifikohet si një "nënë-baba” dhe është qenia më e rëndësishme hyjnore pas shpirtit përfundimtar të pandashëm. Për dekada, historianët kanë debatuar domethënien e këtyre karaktereve femërore: ishin femrat më aktive dhe të lira për të ushtruar lidershipin në grupet Gnostike sesa në ato “ortodokse”? Ungjillit të Judës i mungon një imazherí e tilllë. A i kufizoi autori karakteret femërore në favor të një pikëpamjeje më patriarkale? Apo ndoshta Ungjilli i Judës tregon se imazheria gjinore thjesht nuk ishte një tipar i mendimit gnostik?

Përmbi të gjitha Ungjilli i Judës zbulon se ajo çfarë ndante Gnostikët nga kristianët e tjerë nuk ishte se ata vlerësonin më shumë dijen sesa besimin, apo se ata kërkonin shpëtimin në mësimet e Jezusit më tepër sesa në vdekjen e tij. Ai zbulon se ata identikonin Zotin e Izraelit si një sundues engjëllor armiqësor nga i cili Jezusi e çliron popullin më tepër sesa si ati që dërgoi Jezusin. Marrëdhënia mes shpëtimit të ri që solli Jezusi dhe Zotit të atij që kristianët e quajtën Testamenti i Vjetër – dhe për pasojë mes atyre që ne sot i quajmë Kristianizëm dhe Judaizëm – ishte problem qendror i mendimit Kristian në shekullin e 2-të. 

Kur apostulli Pal deklaroi se Gentiles(jo hebrejtë) mund të shpëtohen pa patur nevojë të zbatojnë Ligjin Hebraik(te Romakëve dhe Galateasve) dhe kur autori i Ungjillit të Johanit vendos “hirin dhe të vërtetën” e Jezusit përkundër “ligjit” të Moisiut dhe e portretizon Jezusin sikur u thotë hebrenjve që i kundërvihen se “ati i tyre është djalli”, ata ngrejnë çështjen sesi dhe madje nese Jezusi përfaqëson vijimësinë me Testamentin e Vjetër dhe Zotin e tij.

Kristianët e shekullit të 2-të debatonin ashpër mbi këtë çështje, të cilës Ungjilli i Judës i dha një përgjigje të fortë: Zoti i Izraelit i shtyp qeniet njerëzore duke u diktuar kohën dhe vdekshmërinë dhe vetëm vdekja e Jezusit mund të sjellë fundin e sundimit të këtij Zoti të lig. Dhe kjo është arsyeja pse Juda duhet ta dorëzonte në kryqëzim Jezusin.

Tradhëtimi ishte një akt i lig, por i domosdoshëm

Falë përpjekjeve të liderëve si Ireneu, shumica e kristianëve nuk i pranuan pikëpamjet e Ungjjillit të Judës dhe gnostikët mes tyre prej nga ku ai origjinoi. Në vend të kësaj, kristianët ortodoksë identifikuan Zotin e Izraelit si Atin e Jezusit, ndonëse ata deklaruan se kristianët nuk kanë më nevojë të ndjekin Ligjin e gjetur në atë që ata e quajtën Testamenti i Vjetër. Ai Ligj, thoshin ata, tani duhej kuptuar simbolikisht, si një referim alegorik i jetës dhe vdekjes së Jezusit, Mesias dhe të Kishës që do ta adhuronte atë si Birin e Zotit. Vdekja e Jezusit ishte në fakt sakrificia për mëkatet njerëzore, prefiguruar në sakrificat në Tempullin e Jeruzalemit dhe përsëritur në sakrificën e pasuesve të shenjtë.

Akti i Judës mbetet i domosdoshëm, tradhëtues dhe misterioz. Juda djallëzor, madje satanik i Testamentit të Ri eklipson heroin tragjik, ambig të Ungjillit të Judës, derisa ky i fundit u rishfaq papritur në shekullin e 21-të.

Kjo rishfaqje nuk i përgjigjet pyetjes me të cilën nisëm – pse Juda historik e tradhëtoi Jezusin historik rreth vitit 30 e.s – sikundër disa historianë dhe vëzhgues shpresuan kur mësuan për një Ungjill të Judës. Por ai na ndihmon të shohim më qartë pse Kristianizmi ortodoks u bë ai që është. Forma ortodokse e Kristianizmit nuk u shfaq në shekujt 2-3 e.s pa kundërshti dhe që atëherë kristianët e kanë sfiduar vazhdimisht dhe rishikuar atë. 

Kristianizmi, Ungjilli i Judës na kujtojnë se mund të kishte qenë ndryshe, dhe ende mund të bëhet. 

Burimi: Aeon

Përkthimi: Skerdilajd Zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.