I lumtur dhe krenar

Postuar në 15 Dhjetor, 2022 18:46

Po të lexosh e renditësh deklaratat e lumturisë së kryeministrit aktual të Shqipërisë, për arritjet që ai vetë shpall e mandej i tall me vendin që ka katandisur kështu si e katandisur, mund të bësh një album. Kësaj radhe krenaria dhe lumturia lidhen me organizimin e një samiti për Procesin e Berlinit, të cilin z. Rama e tregton si haber për të mos kompromentuar hallin e vet me Ballkanin e Hapur që është si kioska e integrimit.

Jemi krenarë dhe të lumtur që na është kërkuar nga partnerja dhe mikja jonë e madhe Gjermania, që pranverën e ardhshme të mikpresim Samitin e Procesit të Berlinit.

Do të bëjmë maksimumin që të jemi në lartësinë e detyrës dhe të mikpresim një Samit të paharrueshëm të Procesit të Berlinit, ashtu siç mikpritëm një samit të BE që la një mbresë pozitive tek të gjithë ata që erdhën në Tiranë për të marrë pjesë

shkruan z. Rama.

Nuk ka hyrë dimri akoma dhe z. Rama ndan lajmin e pranverës në nevojën e zakonshme për të devijuar psikikën e vet nga neuroza kolektive e një shoqërie që do të ikë. Jo se z. Rama është autor ekskluziv i kësaj që po ndodh, por është padyshim, me orgazmën dhe delirin e vet, një i paftuar dhe i huaj në një Shqipëri të dorëzuar. Sepse aktualisht, të paktën aq sa e lejon përvoja personale e kujtdo, në këtë vendin tonë nuk ka më optimistë. Nuk ka më njerëz që besojnë se ky vend do të bëhet. Normal të paktën, I jetueshëm për njeriun që ka një familje e do të shkojë ditët nën këtë diell me ca rregulla dhe norma njerëzore.

Mund të jemi në përfundim të një faze të gjatë depresioni që u shty në kohë nga nevojat imediate konsumatore, mundet të ketë të bëjë këtu ikja masive që e redukton energjinë e një shoqërie. Por e pamohueshme është se qeveria e z. Rama ka stabilizuar vjedhjen si metër suksesi e shoqëruar kjo me një lloj represioni psikologjik të pabarazisë në vend. Ajo përfaqëson rotacionin mbi buxhet të gjysmës që voton duke ezauruar kështu edhe ngazëllimin e një pjese që kishte mbetur jashtë ëndrrës së lakmisë.

Në këtë kuadër, kryeministrat e Shqipërisë e humbasin perspektivën e një dialogu me shoqërinë që i sheh ata si turistë në vendin e tyre, duke vijuar me një monolog pa kuptim dhe që u heq kuptimin edhe gjërave me rëndësi. Samiti mund të ketë shumë rëndësi, por edhe mund të mos ketë fare sepse më keq se kaq s’ka ku shkon. Kjo është një histori politike që një qytetari të thjeshtë nuk i përket, nuk e cenon, nuk e intereson, as e zgjon nga gjumi. Sepse gomonia aty ka qenë dhe aty është. Dhe gomonia në fakt jep më shumë siguri për stomakun sesa këto që trumbeton z. Rama, e të tjerët para tij.

Pyetja megjithatë na mbetet: kush është krenar dhe i lumtur? Në emër të kujt flet z. Rama sepse Shqipërinë që ai mjel, një pjesë e madhe e kanë dhjerë, ngaqë më në fund e morën vesh se çfarë është.

s.zaimi

Comments

Submitted by Heu bre (not verified) on

Redaksia, nuk merrni vesh nga politika. Shqiptaret ikin nga syte kembet jo per arsyet qe ju thoni, por per ta bere sa me atraktiv turizmin shqiptar. Pra ikin, stabilizohen jashte e pas ca viteve kthehen per te pare prinderit e Kumbarja i numuron per turiste. E kuptoni? Eshte e theshte.
Lutemi te mos e botoni kete koment, ashtu siç e keni tradite.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.