Propozim për BE-në: Ministra nga Ballkani Perëndimor në takimet informale të KE-së dhe vëzhgues në PE më 2024
Në një opinion në “Politico” Paul Taylor bën thirrje që Bashkimi Europian të kapë momentumin që është krijuar për të mbajtur afër dhe ruajtur ndikimin në rajon. Pasi bën një paraqitje të situatës aktuale, Taylor shtron si nevojë që BE-ja të intensifikojë prezencën politike në Ballkanin Perëndimor, për shkak se “gjërat nuk mund të mbahen nën kontroll përgjithnjë”.
Sipas tij, Unioni duhet të bëjë më shumë dhe në terma konkretë që rajoni të përfitojë nga aksesi në treg në dallim nga tani kur përfitohet vetëm asistencë. Me rëndësi është edhe aspekti simbolik:
BE-ja duhet të ftojë ministra nga rajoni për të marrë pjesë në takimet informale të këshillit mbi çështje të përbashkëta. BE-ja duhet të inkurajojë vendet e Ballkanit Perëndimor të zgjedhë vëzhgues në Parlamentin Europian në të njëjtën kohë me zgjedhjet europiane të vitit 2024 që ata të kenë një zë, nëse jo votë, në ligjbërjen europiane
shkruan Taylor.
Sugjerimi është këtu me rëndësi sepse lidhet me ndryshimin cilësor të sjelljes dhe mesazheve nga Brukseli që duhet të japë një shenjë reale se bën atë që thotë, se e konsideron Ballkanin pjesë të Europës. Nga ana tjetër çështja që ka edhe më shumë rëndësi ka të bëjë me mënyrën sesi BE-ja e prezanton projektin europian në Ballkan dhe këtu vërejtja e Taylor duhet mbajtur shënim:
Si përherë është problemi i vezës dhe pulës. Pse duhet që politikanët e Ballkanit të ndërmarrin reforma të dhimbshme që mund të çojnë në humbjen e pushtetit dhe parave për një perspektivë kaq të largët dhe pasigurtë? BE-ja duhet të punojë më shumë nga poshtë, duke mbështetur shoqërinë civile, organizatat e grave dhe biznesin e vogël si motor ndryshimi, duke ofruar ndërkohë incentiva dhe ushtruar presion nga lart
Është ajo që deri më sot BE-ja nuk e ka bërë duke e marrë integrimin si ëndërr të përjetshme të ballkanasve.
Add new comment