Padia kolektive si mjet i ekonomisë gjyqësore*

Postuar në 13 Dhjetor, 2022 14:35
Av. Patricia Pogaçe

 

Ekzistojnë një sërë mendimesh dhe opinionesh ligjore të cilat qartësojnë dhe sqarojnë arsyet e krijimit të padisë kolektive. Në artikullin e tij me titull “Rishikimi i të drejtave të veprimeve kolektive” Alan Supiot, Profesor i Universitetit të Nantës, i referohet të drejtave dhe praktikave sindikale në fushën e konflikteve kolektive në marrëdhëniet e punës. Në interpretim të qëndrimeve të tij ai shprehet se, “Në parashikimet ligjore, dhe forcës detyruese të rregullave në fushën e së drejtës së punës, nuk duhet t’iu imponohen subjekteve, për të krijuar një vizion apriori të lumturisë së tyre, por përkundrazi të mbështeten në veprime dhe konflikte kolektive duke e kthyer rezultatin e energjisë së saj në rregulla të reja, dhe në të drejta të cilat kërkojnë arritjen e një ekuilibri midis sipërmarrësve dhe punëtorëve. Interesat e dy palëve janë të ndryshëm. Nga njëra anë nevoja për punë njerëzore në funksion të krijimit të vlerave, dhe nga ana tjetër veprimi kolektiv i punëtorëve për mbrojtjen e interesave të tyre profesionale.

Në vijimësi të së njëjtës linjë arsyetimi, ai vijon duke shtuar se:

Ndërkohë që e drejta e sipërmarrësve gjenerohet nga e drejta e pronësisë dhe e lirisë për sipërmarrje, veprimi i të tjerëve duhet të garantohet nga një e drejtë e trefishtë, e cila konsiston në përfaqësimin e pretendimeve të tyre, padisë, dhe mekanizmave për marrëveshje kolektive. Kjo lojë e kontrollit të balancave ndëpërmjet veprimit ekonomik të sipërmarrësve dhe veprimit kolektiv të punonjësve, përbën motorin e vërtetë të legjislacionit të punës. Megjithatë është e nevojshme që veprimi kolektiv të mund të peshojë në mënyrë efektive dhe efikase”.

Referuar marrëdhënieve të punës kuptojmë se krijimi i mekanizmave të padisë kolektive për të arritur këtë qëllim nuk do të ketë asnjë rezultat nëse, do të mjaftohet vetëm me pjesën e informimit efektiv për të drejtat e punëtorëve. Punëmarrësit duhet të jenë në gjendje të veprojnë aty ku veprojnë punëdhënësit, duke ju dhënë atyre fuqi të ndikojnë në mënyrën e organizimit të punës dhe krijimit të strukturave nga ana e punëdhënësit. Kjo nevojë e përmendur edhe lart ndihet që në paragrafin e parë të Direktivës aktuale “Mbi veprimet përfaqësuese për mbrojtjen e interesave kolektive të konsumatorëve

Në këtë paragraf ligjvënësi evropian shprehet se, ky globalizim, përpos avantazheve, sjell edhe humbje të efektivitetit ndaj mjeteve tradicionale të veprimit kolektiv, si rrjedhojë e dixhitalizimit dhe globalizmit. Pra nga kjo kuptojmë që perceptimi paraprak i autorit të larpërmendur në lidhje me fushën e së drejtës së punës, i realizuar rreth 20 vite më parë shkon në të njëjtën linjë me qëllimin e miratimit të kësaj direktive. Në plotësim të mendimit dhe tezës së hedhur nga autori i sipërcituar, theksojmë se ky mekanizëm nuk mund të jetë ekskluzivitet vetëm i fushës së të drejtës së punës. Është fakt që e drejta e punës, në kuadrin e saj ligjor primar dhe plotësues, ka parashikimet e saj ligjore referuar të drejtave sindikale, dhe mekanizmave të kërkimit të të drejtave në forma dhe mekanizma kolektivë. Çështja qëndron që një mekanizëm i tillë të cilën do ta quaja “lëvizje kolektive”, a do të ketë efektivitet nëse kërkohet të rivendosen të drejta të shkelura edhe në fusha të tjera të së drejtës?

Përgjigjen për këtë pyetje e jep vetë Direktiva të cilën do ta përmendim në disa pika të saj. Në Evropë, tregu i përbashkët është themeli i bashkimit, fakt i cili është i jetëzuar me një bazë ligjore dhe një kuadër ligjor të zgjeruar që përbën edhe burimin e së drejtës së BE-së. Parë në këtë këndvështrim, kuadri ligjor i komunitetit evropian synon garantimin e një tregu të brendshëm në një zonë pa kufinj të brendshëm në të cilën sigurohet lëvizja e lirë e mallrave dhe shërbimeve.

Ky detyrim në nivel komuniteti ngrihet në funksion të sigurisë, në vlerë të shtuar në formë dhe cilësi të mirë, standarteve të larta në ofrimin e mallrave dhe shërbimeve kundrejt konsumatorëve, duke vetë rregulluar një sistem me nivel të lartë të mbrojtjes së konsumatorit. Shpesh herë, të drejtat e konsumatorit si rrjedhojë e globalizimit dhe dixhitalizimit mund të jenë objekt i praktikave të paligjshme. Vendosja në rrezik e të drejtave të konsumatorit cënon pikërisht  nenin 169/1/a dhe 169/2 të TEUF, të cilat  sanksionojnë mbrojten e të drejtave të konsumatorit në një nivel shumë të lartë. Mungesa e mjeteve efektive të kuadrit ligjor Evropian mund të sjellë, ç’rregullim të konkurrencës së lirë në treg midis tregtareve shkelës dhe atyre që veprojnë në përputhje me ligjin që operojnë brenda vendit dhe përtej kufinjve të bashkimit. Një përpjekje e legjislatorit Evropian në funksion të ndalimit dhe frenimit të dëmeve kolektive që mund twi shkaktohen interesave të konsumatorit u synua të arrihej me direktivën e vitit 2009/22/EC.

Kjo direktivë nuk arriti të gjente mekanizmat dhe mjetet e duhura ligjore për të forcuar ligjin për mbrojtjen e konsumatorit. Nevoja për të krijuar një mbrojtje efektive, adreson ligjvënësin evropian në gjetjen e mekanizmave të tjerë proceduralë për mbrojtjen e interesave kolektive të konsumatorëve. Mungesa e mjeteve procedurale kolektive, solli shfuqizimin e kësaj direktive dhe miratimin e një direktive të re, e cila premton korrigjimin e problematikave të larpërmendura.

Mekanizmat procedurale për veprimet përfaqësuese si për masat e padisë ashtu edhe për masat e dëmshpërblimit, pritet që të ofrojnë një mbrojtje për konsumatorët në nivele të ndryshme. Duke shtuar dhe faktin se një pjesë e shteteve anëtare nuk kanë aktualisht në legjislacionin e tyre të brendshëm ndonjë mekanizëm procedural për veprime kolektive (padi kolektive). Si rrjedhojë ardhja e pasojave të cilat shfaqen në mënyrë të dukshme ose jo në tregun e brendshëm, sjell zvogëlimin e besimit të konsumatorëve dhe bizneseve në tregun e brendshëm edhe aftësinë e tyre për të vepruar në tregun e brendshëm, duke shtrembëruar  konkurrencën dhe penguar njëkohësisht zbatimin efektiv të ligjit të Unionit në fushën e mbrojtjes së konsumatorit.

Përpara miratimit të kësaj direktive, Komisioni Evropian filloi hapat e parë të implementimit të padisë kolektive, në çështjet e shpërblimit të dëmit ku u rekomandua që shtetet anëtare brenda një periudhe 4 (katër) vjeçare, duhet të parashikonin përfshirjen në legjislacioni e brendshëm të mekanizmit të padive kolektive. Edhe përpara nxjerrjes së rekomandimit ka pasur debate në lidhje me përfshirjen e këtij mekanizmi në legjislacionin e brendshëm. Padia kolektive në raport me padinë tradicionale të parashikuar nga legjislacioni procedural civil ka vështirësitë e saj dhe nuk po kuptohet në masën e duhur nga grupet e interesit apo dhe vetë vendet anëtare.

A është një mjet efektiv padia kolektive për adresimin e çështjeve kolektive?

Kjo pyetje shtrohet për shkak të vështirësive në dhënien e zgjidhjes së situatave sa herë që kërkohet realizimi i të drejtave, në rastet kur një veprimtari e caktuar shtetërore apo private nuk cënon të drejtat e vetëm një individi por të një mase më të gjerë. Problematika e dytë ka të bëjë me identifikimin e subjekteve të cilat i është cënuar një e drejtë. Këtu bëhet fjalë për një komunitet të caktuar. Nëse kemi të bëjmë me dëme mjedisore të shkaktuara nga ndonjë fabrikë e cila operon pranë një zone të banuar, subjekte paditëse në këtë kërkesë padi kolektive janë banorët e zonës së dëmtuar etj.

Paditë kolektive janë të domosdoshme në rastet e këtyre lloj problematikash, efektet e të cilave shtrihen në një masë të madhe njerëzish. Këto situata mbeten pa zgjidhje nëse nuk fuqizohen me mjete juridike si padia kolektive, ky grup interesi është më i ndërgjegjësuar, informuar apo për një arsye tjetër më të motivuar për të goditur gjyqësisht fenomene të cilat në përfundim synojnë ardhjen e zgjidhjeve. Rëndësia e çështjes e cila parashtrohet për zgjidhje nga një grupim i caktuar individësh të organizuar, apo të bashkuar në një ide të qartë, është me rëndësi të madhe për komunitetin dhe për të ardhmen e këtij komuniteti. Për këtë arsye, është e ligjëruar iniciativa për të ngritur një padi kolektive nga një organizatë e caktuar.

Më sipër përmendëm mundësinë e vënies në lëvizje të gjykatës nga ana e një organizate të caktuar. Legjitimiteti aktiv është një kusht “sine qua non”, (kusht pa të cilin), nuk mund të ketë proces gjyqësor. Mungesa e legjitimimit aktiv sjell mosligjërimin e kërkimit dhe si rrjedhojë pushimin e çështjes për shkak të plotësimit të një ndër elementeve themelore procedurale. Çështja shtrohet se kush do t’i iniciojë këto kërkime dhe si do të realizohet përfaqësimi?

Dy mekanizmat e propozuara për adresimin e shkeljeve konsiston, së pari në një padi kolektive të ngritur nga dy ose më shumë individë për dëmshpërblim (collective redress) dhe së dyti (class action) e cila përgatitet nga një subjekt i caktuar i kualifikuar në kauzën pëkatëse në emër të palëve të dëmtuara. Në një analizë paraprake duke parë edhe vonesën në miratimin e një kuadri ligjor teorik dhe praktik të konsoliduar sa i përket çështjeve të padisë kolektive duhet t’i referohemi dhe sistemeve të tjera për të marrë rezultatin më të mira të implemetimit të padisë kolektive. Në legjislacionin francez ashtu si edhe ne praktikën italiane “class action” ose padia kolektive kalon në disa faza. Së pari shqyrtohet legjitimimi i kërkuesve të prezantuar para gjykatës nga shoqata, duke analizuar kriteret për të qenë pjesë e grupit; dëmi që është shkaktuar si dhe mundësitë për të përfituar dëmshpërblimin si rezultat i dëmit të shkaktuar.

Të qenurit pjesë e grupit të paditësve, është një kriter shumë i rëndësishëm dhe për këtë gjykata vendos kriteret që duhet të plotësohen, përcakton kushtet në media dhe përcakton afatet për t’u bashkuar me grupin. Kjo periudhë nuk mund të jetë më pak se 2 (dy) muaj. Është gjykata e cila në fazë të dytë bën përzgjedhjen. Gjyqtarët nuk ndërhyjnë drejtëpërdrejtë gjatë kësaj faze.

Më pas gjykata ndërpret shqyrtimin gjyqësor dhe adreson çështjet e mbetura, në lidhje me masën e kompensimit (dëmshpërblimi). Legjislacioni francez, parashikon një procedurë të thjeshtuar por përsëri referuar kodit të konsumatorit. Gjykata mund të urdhërojë të paditurin të kompensojë paditësit individualisht brenda një afati kohor të caktuar. Në këtë ligj të vetmit subjekte të legjitimuara për të patur akses janë shoqatat, të cilat duhet të plotësojnë disa kritere. Ato përveç se duhet të jenë përfaqësuese në nivel kombëtar duhet të kenë dhe të paktën 1 (një) vit eksperience, ku të vërtetojnë që kanë kryer aktivitete efektive dhe publike, me qëllim mbrotjen e interesave të konsumatorëve.

Referuar përmirësimit dhe evolimit të politikës dhe legjislacionit për paditë kolektive në Evropë, shikojmë që influenca e BE-së në çështje që kanë të bëjnë me konsumatorin dhe mjedisin në veçanti i kushtohet në vemendje shumë e gjerë. Fushat në të cilat sipas studiuesve çmohet se përdorimi i këtij mekanizmi ligjor procedural në mënyrë të efektshme është në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit dhe në në çështjet e mbrojtjes së mjedisit.  Kjo nismë direkte duket me iniciativën politike të ndërmarrë nga Bashkimi Evropian në vitin 2013.

Komisioni Evropian ka ndryshuar Direktivën 98/27 EC duke zëvendësuar atë me Direktivën 2009/22/EC të Parlamentit Evropian “Për vendimet, për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve", në të cilën parashikoi që shtetet anëtare duhet të ndërmarrin hapat për të njohur mekanizmin e padive kolektive në formën e collective redress dhe jo class action. Kjo është reflektuar edhe në disa ndryshime në legjislacionet e brendshme të vendeve anëtare. Flasim për rastin e Gjermanisë, ku ka ekzistuar një debat për miratimin e mekanizmit të padive kolektive në fushën e të drejtave të konsumatorëve. Në aspektin procedural, drafti parashikon dy opsione si marrëveshjen ashtu edhe një vendim njohje nga gjykata. Në Itali, kanë të drejtë të ngrenë padi kolektive “class action”, personat që i janë cënuar interesat individualisht (homogeneuos individual interest) por edhe organizata që kanë në objektin e tyre mbrotjen e interesave të qytetarëve kanë të drejtë të ngrenë këto lloje padish. Ky i fundit është parashikuar për herë të parë në nenin 140 të Kodit për Konsumatorët.

Një tjetër fushë shumë e rëndësishme në të cilën shtrihet ky institut dhe gjen zbatim është çështja e mbrojtjes së mjedisit. Referuar Konventës së Aarhusit parashikohet se çdo palë brenda kuadrit ligjor kombëtar ka për objektiv të kontribuojë në mbrojtjen e të drejtave të çdo personi dhe brezave të tashëm dhe të ardhshëm që të jetojnë në një mjedis të përshtatëm për shëndetin dhe mirëqënien e saj. Palët kontraktore të kësaj konvente duhet të garantojnë të drejta aksesi në informacion, dhe pjesëmarrje të publikut të gjera në vendimarrje dhe garantimin e aksesit në drejtësi, në cështjet mjedisore në përputhje me dispozitat e kësaj konvente. Megjithatë konventa nuk adreson zgjidhje gjyqësore të problemeve praktike. 

Nëse do ti referohemi ligjit shqiptar për mbrotjen e mjedisit parashikohet e drejta për akses në gjykatë, duke parashikuar të drejtën e publikut në rastin e kërcënimit të dëmeve mjedisore, ndotje apo dëmtim të mjedisit, të kenë mundësinë e ngritjes së padisë në gjykatë në përputhje me kushtet e parashikuara nga Kodi i Procedurës Civile kundër autoritetit publik, ose personave fizik/juridikë që kanë sjellë dëme në mjedis ose rrezikojnë ta dëmtojë atë. Ligji nuk ka parashikuar më tej asnjë mekanizëm në lidhje me padinë kolektive, dhe për menyrën se si do të duhet të realizohet kërkimi në rrugë gjyqësore. Ligji i referohet Kodit të Procedurave Civile.

Kodi i Procedurave Civile sigurisht që ka parashikuar rregullat procedurale për vendosjen në lëvizje  të gjykatës në rast të cënimit të të drejtave që i takojnë mjedisit, megjithatë është fakt se  nuk ka asnjë dispozitë që flet për padinë kolektive apo vendosjen në lëvizje të gjykatës nga “publiku”. Termi publik është shumë i përgjitshshëm. Referuar legjislacionit aktual për mbrojtjen e mjedisit parashikohet pjesëmarrja e publikut, formalisht në çështjen e disponimit të informacionit sa i përket pjesëmarrjes dhe vënies në dijeni për programet dhe politikat. Më tej legjislacioni për mjedisin nuk vijon me mbrojtjen e të drejtave, pasi mekanizmi i akesit në gjykatë mungon, dhe nuk ka një mekanizëm për mënyrën se si do të duhet të vendoset në lëvizje. Kjo e përforcon më shumë mendimin se padia kolektive duhet të ketë një rregullim të veçantë në një legjislacion më vete.

Në rastin e padisë kolektive, fokusi i vijueshmërisë ose jo të gjykimit ka të bëjë me disa elementë të cilat duhet të ekzistojnë në mënyrë kumulative. Së pari kërkesë padia duhet të jetë e bazuar, të ketë një bazë ligjore dhe një interes të ligjshëm. Së dyti, duhet të mungojnë elementë të konfliktit të interesit ndërmjet padistësi dhe komunitetit. Pra të drejtat e individit duhet të jenë të cënuara nga veprimet ose moseprimet e organeve shtetërore në dukje jo të lidhur drejtpërdrejtë dhe vetëm me të. Në vijim të zbatimit të procedurës dhe të rritjes së rëndësisë së padisë kolektive duhet të theksojmë se kontrolli gjyqësor efektiv i cili zhvillohet, vendos përpara përgjegjësisë aparatin shtetëror. Së fundmi, ky mekanizëm i shërben përmirësimit të cilësisë së jetës, shëndetit dhe një mjedisi tregu ku të gjithë mund të ndjehen të mbrojtur.

Kërkesa padia i kalon kontrollit gjyqësor, nga një gjykatë e paanshme dhe e caktuar me ligj, ku shqyrtohen edhe nëse pretendimet e paditësve janë të gjitha të njëjta ose jo. Gjithashtu gjykata merr në konsideratë edhe faktin nëse paditësi është në gjendje të mbrojë interesat e komunitetit (legjitimimi aktiv).

 Praktika gjyqësore e huaj në lidhje me padinë kolektive

 Praktikisht, në kushtet kur legjislacioni ynë është ndodhur larg këtyre standardeve, dhe nuk ka një parashikim për vendosjen në lëvizje të gjykatës sjellin në vëmendje një rast tipik të padisë kolektive të llojit të “class action”[22], në çështjen e gjykuar më datë 7 korrik 2021 nga Gjykata e Zakonshme e Venecias, seksioni civil  “Dieselgate”, që ka të bëjë me skandalin e emetimeve ndotëse që preku grupin Volkswagen në vitin 2016, për të cilën do të flasim në vijim për tu njohur pak a shumë me praktikën gjyqësore të padisë kolektive.

Shkurtimisht sjellim në kujtesë rrethanat e faktit të kësaj çështje e cila ka filluar  për shkak se gjigandi i markës gjermane Volkswagen realizoi shpërndarjen e automjeteve të pajisura me motorë Diesel Euro 5 në të cilat ishte instaluar një pajisje e aftë për të kuptuar nëse automjeti po drejtohet në rrugë apo ishte duke ecur ne rulat e laboratorëve, të kontrollit të gazrave. Nëse makina vendosej në rulë kjo pajisje aktivizohej duke bërë të mundur kufizimin e emetimeve ndotëse të oskideve të azotit  për t’i sjellë ato brenda kufinjve të përcaktuar nga legjislacioni evropian. Gjykata analizoi faktin e paligjshëm, ku në përfundim konstatoi përgjegjësinë e të paditurve, duke nisur me hetimin për paligjshmërinë e pasjisjes manipuluese të gazrave...Nga analiza që u bë nga gjykata u provua se ky impiant manipulimi duke pasur parasysh faktet, referuar edhe vendimit paraprak të Gjykatës së Drejtësisë e deklaruan softwerin si jo në përputhje me legjislacionin Evropian.

Në Itali, Shoqata “Altrocosmo” fillimisht përfaqësoi dy blerës dhe me pas drejtoi aksionin për përfaqësimin e rreth 80.000 konsumatorëve të dëmtuar të cilët kishin blerë një automjet të kësaj marke. Ky vendim ngjall interes jo vetëm për numrin e lartë të kërkueseve në një padi kolekvie, por edhe për sasinë e burimve ekonomike procedurale të përdorurua për vendosjen ne lëvizje të gjykatës. Gjykata i hyri analizës së trajtimit të kësaj çështjeje duke filluar pikërisht me juridiksionin e autoriteteve nëse ato kishin ose jo legjitimitet pasiv, apo edhe palëve të paditura, të cilat diskutonin çështjen e legjitimitetit pasiv si dhe vërtetimit të përgjegjësisë së dëmit të kompensueshëm.

Pika kryesore paraprake që Gjykata e Venecias donte të sqaronte përpara çdo hetimi tjeter, nisur nga natyra ndërkombëtare e mosmarrëveshjes dhe kompleksitetit të sjelljeve të paligjshme ishte juridiksioni. Prania e një pale me vendbanim brenda një sistemi tjetër ligjor (prodhuesi me qendër në Gjermani) e bëri Gjykatën Italiane të vendoste në dyshim ekzistenën e juridiksionit të Autoriteteve italiane. Kemi të bëjmë me një çështje të natyrës jashtëkontraktore, gjithashtu edhe me një vepër penale të kryer në dëm të blerësve. Kjo ka mjaftuar për të bindur Gjykatën e Venecias të konfirmojë juriduksionin  saj duke marrë parasysh dispozitat e nenit 7 të Rregullores 1215/2012, në pjesën në të cilën njeh juridiksionin e autoriteteve të vendit ku ka ndodhur ngjarja e dëmshme. 

Referuar Direktivës sa i takon çështjeve ndërkufitare në paragrafin 31 sanksionohet se:

Shtetet anëtare duhet të sigurojnë që paditë përfaqësuese të cila kalojnë kufinjtë ndërkufitare mund të ngrihen përpara gjykatave të tyre ose autoriteteve administrative nga subjektet e kualifikuara që janë caktuar për qëllimin e një përfaqësimi të tillë në një vend tjetër anëtare. Subjektet e kuafizura nga shtete të ndryshme anëtare duhet të jenë në gjendje të bashkohen për veprimet që do të kryejë vetëm një përfaqësues në një forum të vetëm, duke iu nënshtruar rregullave përkatëse të juridiksionit. Kjo duhet të jetë pa paragjykuar të drejtën e gjykatës ose autoritetit administrativ të ngritur për të shqyrtuar nëse përfaqësimi është i përshtatshëm për t’u dëgjuar

Në vijim të referimit të çështjes së mësipërme vlen të analizohet sa i takon rolit të madh që luajti padia kolektive e cila u ngrit  kundër prodhuesit gjerman dhe distributorit italian, me qëllim për t’i dëgjuar ata bashkërisht por edhe për vendosjen e tyre përpara përgjegjësisë veçmas, duke iu nënshtruar një deklarate të pranueshmërisë së kërkesës për kompensim, në vlerën e dëmit monetar të shkaktuar. Për t’u fokusuar më shumë tek çështja e dëmit të llogaritur, gjykata llogarit në vlerën më të ulët tregtare të makinave dhe në dëmin jopasuror që rrjedh nga veprimet e kundërligjshme të cilat përbëjnë një vepër penale sipas legjislacionit përkatës, konkretisht (krimet e mashtrimit dhe mashtrimit në treg) duke përfshirë në këtë vlerë dëmet në mjedis dhe shëndet.

Si pasojë e këtyre veprimeve të realizuara nga palët e paditur (koncesionari Italian dhe Prodhuesi gjerman), gjykata gjeti rastin më të mirë të analizohej edhe shtrëmbërimi i sjelles konsumatore nga veprimet e marketingut të reklamuara nga të paditurit duke i shtyre konsumatorët në blerje të pavëtëdijshme. Rëndësia e marrjes së një shembulli të tillë, për trajtimin e padisë kolektive, sipas qëndrimit tim referuar edhe mendimeve të shumë juristëve paraqet nga pikëpamja faktike zgjidhjen e çështjeve po aq delikate ligjore dhe procedurale, të cilat kanë të bëjnë në rradhë të parë me vlerësimin e kompentencës juridiksionale, për të vendosur aplikimin dhe klasifikimin e çështjes specifike brenda kuadrit rregullator aktual.

Në lidhje me padinë kolektive nuk është vetëm legjislacioni per mbrojtjen e konsumatorit ai i cili ka parashikuar mundësinë e ngritjes së kësaj padie dhe përdorimit të këtij mekanizmi. Edhe në Francë ka pasur shumë debate në lidhje e implementimin në legjislacion të këtij meknizmi ligjor. Jo vetëm në ligjin për konsumatorët, por edhe në çështjet shëndetësore, “class action” është një mekanizëm shumë i leverdisshëm. Një procedurë tjetër që mund të përdorë shoqata në funksion të zgjidhjes së çështje në emër të paditësve është edhe arritja dhe lidhja e një “marrëveshje ne masë”, të lidhur me të paditurin. Gjykata shqyrton përmbajtjen e marrëveshjes, me qëllim që të garantojë që kjo marrëveshje mbron interesat e paditësve.

Marrëveshja për shpërblimin duhet të shpallet në media, së bashku me kriteret që janë pranuar nga palët që duhet të plotësohen nga persona që duan t’u bashkohen grupit. Gjithashtu duhet të bëhet publik dhe afati brenda të cilit mund të aplikojnë subjektet e interesuara. Çështje e cila mbetet për diskutim është çështja e zgjerimit të fushave ku “class action” përdoret si një mjet juridik për çështjet që lidhen me diskriminimin, çështjet mjedisore, mbrojtjen e të dhënave personale, etj. Një projektligj në proces diskutimi parashikon një procedurë për ngritjen e padise nga individ apo një grup personash, të cilët ndodhen në situata të ngjashme dhe i është shkaktuar një dëm siaps dispozitave të kodit të mjedisit. Ky rast, ka të bëjë me rastet e shkaktimit të dëmit të shkaktuara nga shkelja e detyrimeve ligjore, ose kontraktuale nga i njëjti i paditur.

Me anë të kësaj lloj padie mund të kërkohet nga gjykata që të urdhërohet ndërprerja e praktikës së paligjshme dhe/ose kërkimi i dëmshpërbimit. Pavarësisht mungesës së një parashikimi ligjor mbi paditë kolektive në fushën e mjedisit, këto nuk mungojnë në praktikën gjyqësore ku “class action” për cështjet mjedisore, janë paraqitur nga shoqatat subjekte të interesuara për mbrojtjen e mjedisit.

Rëndësia e padisë kolektive në Shqipëri

Diskutimi i  parë që shtrohet është, a ka një bazë mbështetëse ligjore në nivel kushtetuese për të vënë në jetë këtë mekanizëm ligjor? Mund të themi me bindje se ky institut i së drejtës e kalon testin kushtetues dhe norma bazë e garanton qëndrushmërinë e këtij mekanizmi. Neni 116 i Kushtetutës, parashikon burimet e së drejtës, duke filluar nga kushtetuta e RSH, Marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara, Kodet dhe ligjet. Më tej një paragraf më poshtë na lejon të kuptojmë që niveli i mbrojtjes mund të realizohet kolektivisht pasi norma bazë lejon regjistrimin në gjykatë të organizatave ose i shoqatave sipas një procedure të parashikuar në ligj. Pra kuptojmë që ligjërimi i këtij mekanizmi kolektiv në funksion të mbrojtjes së interesave të ligjshëm është një e drejtë e sanksionuar në nivel kushtetues. Parë në këtë frymë të kushtetutës, personat interesat e të cilëve janë cënuar individualisht, por edhe organizatat që kanë në objektin e tyre mbrojtjen e interesave të qytetarëve mund të kenë të drejtën e ngritjes së padisë.

Një ndër fazat më të rëndësishme sa i përket vendosjes në vend të së drejtës së cënuar është pikërisht padia si një ndër mjetet më të rëndësishme në aspektin material dhe procedural me anë të së cilës  gjykata do të analizojë pretendimet, do të realizojë hetimin dhe do të bazojë vendimarrjen. Ndodhur në kushtet ku në vendin tonë nuk ka një kuadër ligjor rregullues momentalisht, ekziston rreziku potencial që në fushat e mbrojtjes së konsumatorit apo mbrojtjes së mjedisit, të cilat janë me karakter shqetësues për një një masë të konsiderueshme subjektesh të prekura nga shkelje të ndryshme, duhet të bazohemi në parimet dhe në rregullat për gjykimin e kërkesë padisë, për aq sa është e mundur. Referuar, ligjit themeltar të vendit tonë Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë parashikohet se:

Kushdo për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjore, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe paanshme e caktuar me ligj. Organizimi kolektiv, për qëllime të ligjshme është një e drejtë e garantuar në kushtetutë referuar nenin 46 të Kushtetutës

Theksojmë se projektligji i cili pritet të propozohet, vjen në përputhje me rendin juridik të brendshëm për të gjitha arsyet e përmendura dhe më lart. Pra kuptojmë që ligjërimi i këtij mekanizmi kolektiv në funksion të mbrojtjes së interesave të ligjshëm është një e drejtë e sanksionuar në nivel kushtetues. Pavarësisht se jemi në fazën e një kuadri ligjor akoma të pa plotësuar, i referohemi për lehtësi, praktikave të vendeve të tjera si për shembull Italisë, instrumenti i padisë kolektive të llojit “class action” është parashikuar në nenin 140 të Kodit “Për konsumatorët”. Çështja e interesit kolektiv, e ligjëruar nga interesi publik, përshkruhet në dy apekte.

Në rradhë të parë, çështja e përfaqësimit, të interesit publik pa asnjë lidhje me interesin personal, siç mund të jetë interesi për shëndetin, mjedisin, praktikat e drejta tregtare. Së dyti, bashkimi i interesave individuale tërësisht të ligjëruara, të së njëjtës natyre siç mund të jetë edhe interesi për shpërblimin e dëmit të shkaktuara nga kushtet e padrejta të kontratës në rastin e kontratave konsumatore, apo në rastin e shpërblimit të dëmit të shkaktuar si rrjedhojë e dëmeve mjedisore. Kur propozohet miratimi i një risie ligjore si në rastin konkret, duke qenë se kemi të bëjmë me një mekanizëm ligjor të ngjashëm me kërkesë padinë, pyetja shtrohet se ku do të jetë më e përshtatshme implementimi i këtij kuadri ligjor? A është i përshtatshëm përfshirja e këtyre risive ligjore në Kodin e Procedurës Civile, apo nevojitet një kuadër ligjor i veçantë në trajtimin e padisë kolektive. Referuar legjislacionit aktual sa i përket kërkesë padisë, gjykata paraprakisht vlerëson nëse kërkesë padia plotëson kushtet dhe kriteret e përcaktuara në nenin 153 e vijues të Kodit të Procedurave Civile. Padia është e drejta e një personi që bën pretendimin për t’u dëgjuar mbi themelin e këtij pretendimi në mënyrë që gjykata të vlerësojë nëse ajo është e bazuar ose jo.

Për të gjykuar një padi kolektive, fillimisht do t’i referohemi procedurës standarde e cila ndiqet për të kaluar në shqyrtim një kërkesë padie normale. Sjellim në vëmendje se kërkesa padia që të pranohet nga gjykata duhet fillimisht të ketë përcaktuar dhe të identifikuar qartë paditësin i cili është subjekti i së drejtës që kërkon rivendosjen e se drejtës, të përcaktuar qartë në objektin e kërkesë padisë e cila pasqyrohet në të gjithë përmbajtjen e kërkesë padisë dhe jo vetëm ne një pikë të caktuar.

Po në padinë kolektive a është e domosdoshme përcaktimi i identitetit të palëve konsumatore? Kërkimet dhe shkaku ligjor i objektit të kërkesë padisë së pari duhet të kenë një lidhje të drejtëpërdrejtë me subjektin paditës, por gjithashtu duhet të mbështetet ne prova, fakte, dokumente, dhe mjete të tjera provuese, të cilat bëjnë të mudnur vijimin e një gjykimit të kërkesë padisë. Për rikujtesë kërkesa padia që të pranohet nga gjykata duhet fillimisht te ketë përcaktuar dhe te identifikuar qartë paditësin i cili është subjekti i së drejtës që kërkon rivendosjen e se drejtës, të përcaktuar qartë në objektin e kërkesë padisë. Kërkesë padia duhet analizuar nga gjykata, duke zbuluar shkakun e saj dhe jo duke u kufizuar tek dispozitat ligjore të referuara nga paditëse në pjesën hyrëse të saj.

Gjykata jep zgjidhjen e çështjes konform shkaktut që rezulton nga shqyrtimi në tërësi i kërkesë padisë, duke bërë lidhjen midis fakteve që pretendohen prej paditësit se kanë ngjarë dhe të drejtave apo interesave që ai pretendon se i janë cënuar. Për të gjykuar një padi kolektive, fillimisht do t’i referohemi procedurës e cila ndiqet për të kaluar në shqyrtim një kërkesë padi. Për të bërë këtë analizë fillimisht duhet twi referohemi legjislacionit tonë procedural civil duke u fokusuar në kriteret e pranimit te padisë, pa kaluar tek padia kolektive. Kërkimet dhe shkaku ligjor i objektit të kërkesë padisë së pari duhet të kenë një lidhje të drejtëpërdrejtë me subjektin paditës, por gjithashtu duhet të mbështetet ne prova, fakte, dokumente, dhe mjete të tjera provuese, të cilat bëjnë të mundur vijimin e një gjykimit të kërkesë padisë.

Në përmbajtjen e saj me ndryshimet e reja që ka pësuar legjislacioni procedural civil pas reformave ligjore, pala paditëse ka detyrimin të parashtrojë saktë dhe qartë të dhënat e kontaktit të tij personal ose përfaqësuesit të tij ligjor  me prokurë, gjithashtu në anë tjetër edhe të palës së paditur, duke përcaktuar qartë identitetin e tyre dhe adresën për realizimin e kominikimeve të mëtejshmë në funksion të zbatimit dhe respektimit të procedurës.Në vijim të dispozitës së nenit 154, parashikohet detyrimi i gjykatës për të kthyer kërkesë padinë e cila paraqet disa të meta, duke i vendosur një kohë të caktuar në dispozicion për plotësimin e të metave.

Mosplotësimi në kohë i kërkesë padisë, bën që padia të kthehet së bashku me aktet që e shoqërojnë atë. Megjithatë kjo dispozitë i jep diskrecion trupit gjykues pasi referuar nenit 158/a të Kodit të Procedurës Civile në paragrafin e 2 të saj ku sanksionohet se gjyqtari mund të caktojë senacën përgatitore dhe të kërkojë nga paditësi që kërkesa të plotësohet në të gjitha elementet e përcaktuara në nenin 154, dhe 156, duke marrë edhe disa vendime të tjera në lidhje me vijueshmërinë e procesit gjyqësor, paraprakisht pa vijuar gjykimi i cështjes seancë gjyqësore.

Në rastin e padisë kolektive, fokusi i vijueshmërisë ose jo të gjykimit ka të bëjë me disa elementë të cilat duhet të ekzistojnë në mënyrë kumulative. Së pari kërkesë padia duhet të jetë e bazuar, të ketë një bazë ligjore dhe një interes të ligjshëm, së dyti, duhet të mungojnë elementë të konfliktit të interesit ndërmjet padistësit dhe komunitetit. Referuar ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykata administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” janë sanksionuar subjektet dhe kushtet formale te padisë.

Sipas këtij ligji e drejta i takon: “Çdo shoqatë apo grupi interesi që pretendon se është cënuar një interes i ligjshëm publik: i) nga një akt normativ; ii) nga një akt administrativ, në rast se një e drejtë e tillë u njihet me ligj; dh) cdo subjekt tjetër të cili ku e drejtë i njihet shprehimisht në ligj. Legjislacioni aktual shqiptar, nuk parashikon shprehimisht çështjen e padisë kolektive megjithatë lejon mundësinë e një ngritjes së saj nga një grup interesi i caktuar. Në nenin 4 të projektligjit citohet, personi apo personat përfaqësuse që kanë të drejtë të ngrejnë padi kolektive.

Më pas me qëllim legjitimimin e parashikimeve ligjore të parashikuara në nenin 4, thuhet se kanë të drejtë për të miratuar një marrëveshje kolektive, Kjo dispozitë ka ngjashmëri me legjislacionin francez. Çdo organizatë e krijuar dhe e regjistruar rregullisht sipas ligjit shqiptar në formën e një organizate jofitimprurëse dhe ka ushtruar në mënyrë të provuar veprimtarinë e saj në dobi të publikut në të paktën 12 muaj. 

Organizata duhet të jetë e pavarur dhe nuk duhet të ndikohet nga persona të ndryshëm që kanë një interes ekonomik me padinë kolektive duke përfshirë palë të treta financuese, dhe për këtë qëllim, ka miratuar rregullore të brendshme të tjera mbështetëse që parandalojnë konfliktin e interesit midis organizatës dhe palës së paditur në padinë kolektive. Publikon me çdo mjet të përshtatshëm, vecanërisht në faqen e saj në internet në gjuhe të thjeshtë dhe të kuptueshme, informacionin që provon pajtueshmërinë me kriteret e larpërmendura, dhe informacionin në lidhje me burimet e financimit të saj në përgjithësi, strukturën e saj organizative, të administrimit dhe të anëtarësimit, qëllimin dhe objektin e veprimtarisë.

Në funksion të dhënies së drejtësisë dhe gjykimit bazuar në parimin e një procesi të rregullt ligjor, një moment procedurial që nuk duhet të neglizhohet është njoftimi dhe komunikimi. Është detyrë e ligjvënësit të parashikohë metoda efikase njoftimi, nëpërmjet disa mënyrave të njoftimit me qëllim që interesi dhe përfshirja e komunitetit të jetë me e lartë. Një përfshije e lartë dhe një interes i lartë vendos përpara përgjegjësisë palën përgjegjëse për cënimin e dëmit. Referuar projektligjit dhe relacionit sqarues të projektligjit mendohet se komunikimi elektronik nëpërmjet faqes së internetit, mendohet të jetë më i përshtatshëm për të siguruar njoftimin e çdo individi. Mbrojtja dhe përfaqësimi i subjekteve të interesuara të pranishëm ose jo në gjykim dihet të garantohet në mënyrën e duhur me kusht që përfaqësuesi të jetë i përshtatshëm për mbrojten e interesave të grupit.  Interesat kolektive, duhet të garantohen nëpërmjet të drejtës për t’u përfaqësuar në gjykim dhe nëpërmjet parimit të informimit.

Kjo do të mundësojë që të gjithë individët të cilët vlerësojnë se janë cënuar nga një dëm kolektiv, të informohen në regjistrimin publik të padive kolektive. Nga analiza që bëjmë shikojë përmendjen e regjistrit publik të padive kolektive. Kjo infrastrukturë sipas projektligjit pritet të menaxhohet nga ana e këshillit të Lartë Gjyqësor. Mbajtja e regjistrit publik dhe mirëmenaxhimi i tij në mënyrën e duhur sjell një avantazh shumë të lartëpër të lehtësuar aksesin në Gjykatë.

Zgjidhja e mosmarrëveshjeve në mënyrë kolektive është një tjetër instrument efikas për zgjidhjen kolektive me marrëveshje të përbashkët midis grupit të dëmtuar dhe ndërmarrjes (subjektit dëmtues) që ka shkaktuar dëmin kolektiv. Ashtu siç ndodh në gjykimet e zakonshme të mosmarrëveshjeve juridiko- civile, palëve ju jepet mundësia për të zgjidhur konfliktin me marrëveshje. Këtë mjet procedural e mundëson edhe projektligji. Marrëveshja në mënyrë kolektive kur arrihet përcaktone dhe mënyrën sesi do të dëmshpërblehet grupi i dëmtuar nga ndërmarrja, masa e dëmshpërblimit dhe personat që do të përfitojnë. Parashikimi i zgjidhjes kolektive si mjet ligjor për të zgjidhur një mosmarrëvshje kolektive do të minimizojë procedura të gjata që kërkon shqyrtimi i një padie duke dënë një zgjidhje të shpejtë të mosmarrëveshjes.

Vendimi gjyqësor përfundimtar dhe i formës së prerë të një inciuar nga një padi kolektive do të duhet të ekzekutohet. Zbatimi dhe ekzekutimi i vendimit gjyqësor është pjesë e pandashme e procesit të rregullt ligjor në funksion të dhënies së drejtësisë. Një risi që projektligji kërkon të sjellë është edhe përfshirja e noterit publik në procedurën e ekzekutimit të nje vendimit të formës së prerë të gjykatës. Në rast se gjykata cakton dëmshpërblimin përkatës, kjo shumë i kalon në llogari të posacme noterit publik i cili më pas dëmshpërblen të gjithë anëtarët e grupit të cilët legjitimohen të përfitojnë dëmshpërblimin. Gjykata cakton noterin publik në cilësinë e administratorit të dëmshpërblimit kolektiv, duke marrë në konsideratë edhe propozimin e palëve. Në legjislacionin tonë procedural civil, ekziston mundësia e bashkimit të çështjeve nëse objekti i tyre është i ngjashëm.

Megjithatë gjykimi i shumë padive në mënyrë individuale do të sillte një ngarkesë shumë të lartë për gjykatën, dhe një investim ndoshta jo tepër efikas në administrimin e drejtësisë. E parë në këtë këndvështrim, një ndër avantazhet thelbësore të padisë kolektive si instument dobiprurës në gjykimin civil, është pikërisht avantazhi i mirë administrimit të drejtësisë dhe ekonomisë gjyqësore. I qëndroj mendimit se mundësia e administrimit të një infrastrukture, për menaxhimin e këtij mekanizmi nëpërmjet një regjistri të unifikuar, do të luaj një rol shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e problematikave që kanë të bëjnë me “lis-pendencën”.

Përfundime

Në këtë artikull është synuar të sillet në mënyrë të përmbledhur, një instrument shumë interesant procedural i cili krijohet në funksion të ekonomisë gjyqësore. Në këtë punim arrijmë të kuptojmë rëndësinë e padisë kolektive. Dhënien e mundësisë së një masë të konsiderueshme subjektesh të interesuar për vënë në lëvizje organet e drejtësisë, në rastet e cënimit të të drejtave me një impakt kolektiv të konsiderueshëm, në fushat e trajtuara në nënçështjet e lartpërmendura. Sigurisht që përpjekjet për konsolidimin e këtij instituti kanë qenë të shumta dhe do të vijojnë të jenë të tilla për sa kohë është një institut relativisht i ri.

Në përfundim të këtij punimi synojmë të sjellim në vëmendje, disa nga problematikat që mund të evidentohen në rast të miratimit dhe hyrjes në fuqi të ligjit për paditë kolektive. Çështjet që shtrohen për diskutim kanë të bëjnë së pari me raportin që do të qëndrojë midis gjykimit të një padie kolektive dhe gjykimit të një padie civile individuale, e cila ka filluar me parë në kohë. 

Këto dy gjykime do të konsiderohen të lidhura me njëri-tjetrin, apo do të kemi një bashkim të kërkimeve individuale në një të vetëm. Si gjykohet çështja e lis-pendens-sës në këtë rast? Zgjidhja e mosmarrëveshjes në mënyrë kolektive, sipas projektligjit kërkohet të kalojë në dy faza gjykimi. Nëse do të analizojmë Kodin e Procedurave Civile dhe projektiligjin, i cili ende nuk është miratuar, vërejmë se ka dallime në metodat dhe mënyrat e njoftimit të subjekteve të interesuara, anëtarë të grupit adresat e të cilëve si rregull duhet të jenë të jenë të përcaktuara paraprakisht.

Njoftimi i anëtarëve të grupit shërben për të informuar ata në lidhje me pranimin e kërkesës për shqyrtim. Por në rast se këta anëtarë  nuk janë informuar në lidhje me kërkesën për zgjidhjen kolektive? Referuar projektiligjit në raport nga parashikimet ligjore të kodit njoftimi do të konsiderohet një etapë e ezauruar vetëm duke u mjaftuar me njoftimin e përfaqësuesit të, në rastet kur ky proces nuk është i mundur për të gjithë anëtarët.

Ky parashikim ligjor ka debat për arsye se nëse përballemi me faktin që përfaqësuesi i grupit nuk është i përshtatshëm për të përfaqësuar interesin e grupi, atëhërë gjykimi nuk do të ishtë i rregullt. Vjen në kundështim me frymën e ligjit qëndrimi se njoftimi do t’i dërgohet anëtarëve të identifikuar të grupit, ndërsa pjesa tjetër do të prezumohen të njoftuar, nëse nuk ka një mekanizëm që të garantojë prezumimin e faktit të të qenurit i njoftuar. Më tej gjejmë të diskutueshëm metodologjinë që tenton të japë neni 37 i projektligjit.

Kjo dispozitë bën një përfshirje automatike të të gjithë anëtarëve, me përjashtim të atyre anëtarëve të cilët kanë kërkuar shprehimisht të përjashtohen nga efektet e padisë kolektive. Duhet të sqarojmë se projektiligji synon të sjellë dy variante gjykimi të padisë kolektive, nëpërmjet dy mekanizmave të cilët ekspertët në relacionin e për projekt ligjin i ndajnë rastet e gjykimit të padisë kolektive me mekanizmin e përfshirjes dhe gjykimin e padisë të udhëhequr me mekanizimin e përjashtimit, ku përcakton qartë se mbi cilën kategori subjektesh vendimi do të shtrijë efektet e tij.

Referuar edhe relacionit për projektligjit afërmendsh kuptohet se mekanizmi i përjashtimit mund të krijojë vonesa në ekzekutimin e vendimit pasi do të nevojitet një procedurë shtesë, për të filluar ekzekutimin e vendimit. Bazuar në procedurën që gjykata ka miratuar për të dhënë zgjidhje cështjes përkatëse, projektligji ka sanksionuar edhe mekanizmat ekzekutues. Në dallim nga vendimi gjyqësor përfundimtar dhe i formës së prerë i marrë në zbatim të Kodi të Procedurave Civile, ekzekutohet nga përmbaruesi gjyqësor. Në rastin e ekzekutimit të një vendimi gjyqësor përfundimtar dhe të formës së prerë të iniciuar nga padia kolektive, ekzekutimi i vendimit gjyqësor realizohet nga noteri publik. Arsyeja përse ligjvënësi ka zgjedhur pikërisht noterin publik dhe jo përmbaruesin gjyqësor, ka të bëjë me lehtësinë e shpërndarjes së masave të dëmshpërblimit i cili do të akordohet nga gjykata në favor të çdo subjekti të interesuar. 

Noteri publik për të vijuar më tej me ekzekutimit si rregull merr kërkesat e subjekteve të përfshirë të cilët provojnë se janë pjesë e grupit në mënyrë që të vijojë ekzekutimi. Gjykimi i padisë kolektive në fazën e parë ka një rëndësi thelbësore për procesin për shak të impaktit që sjell në një publik të gjerë, respektimit të parimit të ligjshmërisë dhe procesit të rregullt ligjor. Kjo padi mund të gjykohet vetëm një herë. Dijenia nëse ka ekzistencë të një gjykimi të padisë kolektive do të duhet të garantohet nga regjistri publik i cili do të duhet të krijohet me një infrastrukturë të konsoliduar bazuar në parimin e informimit. Në këtë mënyrë synohet të jetë sa më efikase, përcjellja e informacionit dhe marrjes dijeni të çdo subjekti për gjykimin e një padie të tillë.

Gjithashtu, roli i regjistrit publik është thelbësor në garantimin e aksesit në gjykatë. Çdo subjekt i interesuar të ketë mundësinë të përfshihet në padinë kolektive. Megjithatë, projektligji nuk e saktëson kohën dhe fazën se kur subjektet e interesuara mund të përfshihen dhe të bëhen pjesë e procesit gjyqësor. Për twi dhënë përgjigje kësaj çështjeje, jam e mendimit se duhet twi referohemi parashikimeve ligjore të Kodit të Procedurës Civile, i cili në rastin e gjykimit të padisë, rregullimin e ndërgjyqësisë e realizon në fazën paraprake të gjykimit deri sa nuk është lëshuar urdhri për caktimin e seancës gjyqësore.

A do të zbatohet i njëjti parashikim edhe në rastet e padisë kolektive? Kjo mbetet për t’u parë në vijim kur ligji të miratohet dhe hyjë në fuqi. Megjithatë, vlerësoj se një parashikim i tillë duhet të bëhet, në mënyrë që të evitohen të tilla problematika të cilat mund të shkaktojnë vonesa, dhe si rrjedhojë mund të përballemi me një dështim të pushtetit gjyqësor në funksion të dhënies së drejtësisë brenda një afati të arsyeshëm.

Burimi: Revista "Avokatia"

*Titulli i ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.