Apple prapësohet, kopje të kriptuara të të dhënave në Cloud
Apple kripton iCloud dhe tërhiqet nga planet për skanimin e smartfonëve
Apple ka njoftuar dy risi, pas kërkesave të organizatave që mbrojnë të drejtën e privatësisë. Kompania me bazë në Cupertino njoftoi se do të sigurojë kopje rezervë plotësisht të koduara të iCloud.
Pajisjet Apple janë të kriptuara, por disa të dhëna specifikisht sensitive të iCloud, si fotot dhe kopjet rezervë, kanë qenë vulnerabël përballë kërkesave të qeverisë apo edhe sulmeve të hakerave.
Përdoruesit që zgjedhin funksionin e ri të propozuar të Apple, të cilin kompania e quan Mbrojtja e avancuar e të dhënave për iCloud, do të mbrohen edhe nëse ka një shkelje të të dhënave në cloud, një kërkesë të qeverisë ose një shkelje nga brenda Apple (p.sh. një punonjës që vepron në kundërshtim me politikat e kompanisë).
Apple njoftoi se funksioni do të jetë i disponueshëm për përdoruesit amerikanë deri në fund të vitit, ndërsa përdoruesit e pjesës tjetër të botës do ta kenë të akesueshëm në aparatet e tyre "fillim të vitit 2023".
Risia e dytë pozitive ka të bëjë me tërheqjen e Apple nga planet për të instaluar softuer për skanimin e fotografive në pajisjet e saj. Një softuer i tillë ishte planifikuar të inspektonte fotot private të përdoruesve në iCloud dhe iMessage.
Qëllimi i këtij softueri ishte të lokalizonte imazhet e abuzimit të fëmijëve dhe t'ua raportonte ato autoriteteve. Kur informacioni i një përdoruesi është i koduar nga skaji në skaj (end-to end encrypted) dhe nuk ka skanim të pajisjes, përdoruesi e di se kush ka akses në ato të dhëna.
Planet e Apple për skanimin e imazheve u njoftuan në vitin 2021, por protestat dhe një peticion me 60 000 nënshkrime e vonuan lançimin e softuerit, i cili është anuluar përfundimisht.
Add new comment