Një botë që po del nga çerdhja e dominimit perëndimor
Avantazhi teknologjik i Perëndimit në Ukrainë, rrezikon të përmbyset për shkak të bashkëpunimit të Rusisë me aktorë të huaj si Irani. Aktualisht, Teherani zyrtar furnizon Moskën me dronë, të cilët kanë mundësuar goditjen në infrastrukturën ukrainase, me më shumë efektivitet sesa armët në dispozicion të Rusisë. Ishin dronët e Turqisë, ata që përballuan mësymjen e mekanizuar ruse dhe në humbje e sipër Moska kërkoi ndihmën e Iranit. Deri më tani ky injeksion teknologjik ishte parë me shqetësim, por së fundmi, SHBA ka folur me tone alarmiste mbi atë që po ndodh dhe mundësinë e krijimit të një linje të përbashëkt prodhimi ruso-iraniane të dronëve.
Moska po i ofron Iranit një mbështetje teknike ushtarake të paprecedentë që po e shndërron marrëdhënien mes tyre në një partneritet të plotë në mbrojtje…Ne kemi raportime se Moska dhe Teherani po konsiderojnë krijimin e një prodhimi të përbashkët të dronëve vdekjeprurës në Rusi. I kërkojmë Iranit të kthejë kursin dhe të mos ndërmarrë këto hapa
ka thënë zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë së Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.
Vërejtja nga SHBA konfirmon në fakt se bota po hyn në atë që është parashikuar më parë, në epokën e rajoneve gjeopolitike që kontestojnë si fillim dominimin e SHBA. Bashkëpunimi Iran-Rusi në sferën ushtarake e shndërron Iranian eventualisht në fuqi të pacenueshme rajonale në Gjirin Persik, me strukturën aktuale të pushtetit, duke krijuar kështu një shtyllë kundërvënieje ndaj Perënidmit dhe posaçërisht SHBA.
Nga ana tjetër, Perëndimi po hyn gradualisht në erën e re të nevojës për të përballuar fuqitë në rritje, pa mundur të imponojë diçka ndryshe dhe kur modeli i vet është alienuar dhe gërryer deri në pikën saqë të krijojë mure ideo-kulturorë të rinj. P.sh dekreti i fundit i Putin që ndalon çdo propagandë pro-LGBTQ është në thelb politikë anti-perëndimore dhe kujton se homogjenizimi politik I botës sipas kriterit të të drejtave është aktulisht i pamundur.
Kapërcimi i kësaj faze, sidomos në Ukrainë, me gjasë ose çon në një kohë konfrontimesh, ose në një botë ku rendi ndërkombëtar do të jetë krejt tjetër nga ky që shohim.
Add new comment