Parabola e Pivettit, nga Parlamenti në mencë sociale
Në Itali, karriera e saj ka kaluar nga televizioni, te politika, që i dha postin e tretë më të lartë në vend, kur ishte vetëm 31 vjeçe. Fillimisht balerinë, prezantuese televizive dhe më vonë kryetare e Parlamentit italian, në Shqipëri, Irene Pivettin e mbajnë mend për deklaratën e 1997-s: “Klandestinët shqiptarë duhet të hidhen sërish në det. Dhe po iu përgjigjën forcave të rendit, anijet e tyre të fundosen”. Pivetti e tërhoqi deklaratën vite më vonë, duke thënë se “popujt tanë janë miq”, madje edhe vizitoi Tiranën në vitin 2011. Deklarata damkosi karrierën e saj politike dhe nuk u rizgjodh më deputete.
Pasi la politikën (Pivetti ka qenë në radhët e Lega Nord të Umberto Bossit) ajo iu fut sipërmarrjes. Ishte ndër të parat që u mor me importin e maskave anti-covid nga Kina, por u përball me probleme për parregullsi të ndryshme të konstatuara nga autoritetet doganore. Një vit më parë, asaj iu sekuestruan 4 milionë euro dhe tre makina luksi të tipit Ferrari, pasi mbi të rëndojnë akuzat e pastrimit të parave dhe mashtrimit. Sipas akuzës, Pivetti dhe bashkëpunëtori i saj i janë shmangur taksave nga shitja e disa mjeteve luksoze në vende të ndryshme, nga Hong Kong-u në Britaninë e Madhe, Poloni dhe Spanjë, të cilave u ndryshonte pronësia falë disa shoqërive anonime fiktive, të krijuara nga Pivetti.
Sot Irene Pivetti është ende nën hetim dhe punon në një mensë sociale: «Jetoj me 1000 euro, për një vit kam veshur të njëjtën pulovër dhe të njëjtat xhinse. Por tani kam mësuar të kap ritmin e ri ...", thotë ajo.
Në një intervistë për “Corriere”, ajo tregon detaje nga jeta e saj e re.
Ju kanë cilësuar si gruaja që jetoi dy herë. Tani, sa jetë keni jetuar?
Tani, është e sigurt që jam një grua që e kanë vështirë ta vrasin. I kam thënë vetes: Nuk do të vdes nga ky hetim. Ka momente kur edhe e mendon: jeta jote është copëtuar, familja të është lënduar, nuk ke më para dhe ka një tundim për t’u dorëzuar. Për një vit kam veshur të njëjtat xhinse dhe të njëjtin pulovër, fizikisht nuk kam dashur të ekzistoj. Por mendova: nëse vdes, bie dakord me atë për të cilën të gjithë më akuzojnë dhe nuk jam unë ajo për të cilin shkruajnë. Të lexosh 45 000 faqe që argumentojnë se je mashtrues, është e tmerrshme nëse nuk je i tillë.
Si përfundove duke punuar në një mensë sociale?
Është një vend që ka ekzistuar që në vitet 1970, fillimisht si konvikt për Caritasin, pastaj për Bashkinë. Lokali lindi si mensë dhe me kalimin e kohës u bë pikëtakimi i lagjes, më pas u mbyll. Në vitin 2020, më duhej të largohesha nga zyrat e mia dhe u mirëprita nga Kooperativa Mac, e cila merret me riintegrimin e ish-të dënuarve, të papunëve dhe personave vulnerabël. Fillova të bashkëpunoja me ta. Kur Bashkia na kërkoi rihapjen dhe menaxhimin e kantinës së dikurshme, ne pranuam, me synimin për ta kthyer sërish në qendër sociale. Ky është një vend ku ha lirë, por edhe ku të moshuarit vijnë për të luajtur letra, fëmijët vijnë pas shkollës. Pasdite presim ata që kërkojnë punë apo ndihmë për procedurat shëndetësore, tatimore....
Ku jetoni tani?
Në katin e sipërm, në konvikt. Kam një dhomë gjumi dhe një banjë. Unë e hap Smack në 6.30, e mbyll në 22.30: Zhvendosja këtu ishte zgjedhja më e arsyeshme.
Ke shtëpi?
Kam marrë me qira një mikro-shtëpi në Milano, ku kam qenë pa energji elektrike për 15 ditë, sepse për ta lidhur, ata verifikojnë gjendjen tënde në bankë dhe tani, reputacioni im konsiderohet negativ. Për të pasur energji elektrike, duhej të gjeja një person që do të dilte garant për mua.
Si jetoni me një mijë euro në muaj?
Si spartane. Por unë nuk ankohem. As që do ta kisha treguar këtë histori, por e zbuloi gazeta lokale. Kjo çështje gjyqësore më ka ndodhur dhe tregohet për të, por shumë mbeten të përfshirë në hetime që ndoshta ia dalin pa lagur. Ndërkohë, megjithatë, ti e gjen veten me kompani të falimentuar dhe reputacion të shkatërruar.
Si e pritën dy fëmijët tuaj?
Ata janë 22 dhe 24 vjeç, i madhi është i martuar, djali studion jashtë. Një histori e ngjashme shqetëson familjen dhe ndihem fajtor ndaj tyre sepse nuk kam mundur t'i mbroj.
Cili ka qenë momenti më i vështirë?
Fillimi. Në fillim, nuk mund ta besosh, mendon se është një gabim, mendon: tani ata e kuptojnë se kishin gabuar. Dhe është e dhimbshme të ndjesh një det urrejtjeje që nuk mund ta kapërcesh. Unë u thashë fëmijëve të mi: nuk duhet t'i dorëzohemi zemërimit ose të mbajmë mëri, nuk duhet të lejojmë që të ndryshojmë.
Në shtator, Kasacioni konfirmoi sekuestrimin e 3.5 milionë eurove për hetimin e shitjes së Ferrarit. Seanca paraprake do të zhvillohet më 25 janar. Nëse do të arkivohet, do largohesh që këtu?
Shpresoj të mos më përzënë. Unë besoj në sektorin e tretë: jo fitimi, por përfitimi social është ajo që duhet për të përballuar krizën që po kalojmë. Por nuk do të ketë arkivim të çështjes: prokurorët kanë punuar shumë. Megjithatë, unë jam e qetë: besimi më jep paqe. Ndjej se kam marrë njëfarë faljeje Shën Gjon Pali II, i lutem gjithmonë, por nuk e kërkoj që kjo histori të përfundojë. E pyes: më lër ta jetoj në paqe. Ndërkohë jeta ime vazhdon. Arsyetova: jeta në goditi në moshën 58-vjeçare, një proces zgjat mesatarisht një dekadë, a është e mundur të fillosh të jetoj sërish në moshën 70-vjeçare? Jo!
Le të flasim për ish-bashkëshortin e saj. Ju habitët jo pak njerëz kur u martuat me një djalë dhjetë vjet më të vogël, Alberto Brambilla.
Ai ka jetën e tij profesionale dhe të drejtën të rrijë jashtë komunikimit për mua.
Kur u divorcuat, thatë se nuk ishte zgjedhja juaj dhe se nuk do të kishte një burrë tjetër. A e ka vërtetuar koha se është gabim?
Nuk e ndjej mungesën e një dashurie. Jeta ka rrugën e saj dhe ne mund të vendosim vetëm se si ta bëjmë lundrimin. Mësova të notoj në det të hapur.
Kur ndaluat së lyeri flokët?
Prej të paktën 15 vjetësh nuk i lyej më flokët. I leva në Dancing with the Stars për herë të fundit. Nëse dikush ndihet rehat me ngjyrën, nuk ka pse. Por disa klishe estetike janë një lloj burke perëndimore.
Keni thënë për veten: "Unë jam fillimisht katolike, pastaj anëtare e Ligës së Veriut, pastaj grua". Sot, çfarë jeni dhe në çfarë rendi?
Unë do të hiqja Legën e Veriut. Fillimisht jam katolike, pastaj nënë dhe më pas grua.
E përjashtuar nga Lega për shkak se ishit kundër shkëputjes, themeluat partinë tuaj. Që nga viti 2001, nuk jeni më në Parlament. Sa ju mungon politika?
Kam pasur nderin t'i shërbej shtetit dhe e kuptova që ne të gjithë i shërbejmë shtetit. Në fakt i respektoj ata që më akuzojnë sepse përfaqësojnë shtetin. Politika nuk më mungon, e lashë për t'u bërë sipërmarrëse, por kam ende leximin politik të realitetit: për mua më shumë se fitimi është e rëndësishme të kesh ndikim në shoqëri. Tani konstatoj se ka politikë, në kuptimin e një fryme shërbimi, edhe në larjen e filxhanëve në lokal.
Burimi: Corriere
Përkthimi: Gazmira Sokoli
Add new comment