Shqipëria nuk është demokratike, as opozita e saj. Më 6 dhjetor vetëm protesta është demokratike

Postuar në 02 Dhjetor, 2022 14:24

Në Tiranë mbahet më datë 6 dhjetor samiti i BE-së dhe ky aktivitet është propaganduar si ngjarje, për kryeministrin si ngjarje historike ende pa nisur, ndërkohë që ai mund të jetë një datë në kalendarin politik për Shqipërinë dhe një ngjarje historike për hotelerinë dhe restoracionin.

Në përgjithësi samitet quhen historike për vendimet që marrin dhe në kontekstin e një Europe që ka shumë probleme, që nuk po di të formulojë politika të qarta për mjaft tema, ky samit mund të konfirmohet si historik për Europën nëse arrin në diçka të tillë. Por ai mundet edhe të jetë një vazhdim i takimeve pa fillim e pa fund të zyrtarëve të Europës, me të cilët ne jemi mësuar të dëgjojmë premtime.

Në qendër do të jetë Ballkani Perëndimor, ndërkohë që qysh tani Serbia ka paralajmëruar mospjesëmarrjen, çka nëse konfirmohet do të ishte një e grisur në faqen e parë të historisë që sugjerohet se përmban ky takim.

Duke e perceptuar dhe propaganduar këtë takim politik si begenisje ekskluzive për Shqipërinë, qeveria e saj, kryeministri dhe langonjtë mediatikë të tij po bëjnë çmos që ta marketojnë atë si njohje të arritjeve demokratike të vendit, ndërkohë që z. Rama po bën atë që di të bëjë më mirë: diplomacinë personale të dikujt që po kërkon me çdo kusht të evidentohet si figurë me rezonancë ndërkombëtare.

Por Shqipëria nuk është demokratike. Kurrën e kurrës jo. Ajo është një republikë gangsterësh dhe trafikantësh, asgjë më shumë se kaq, drejtimit të së cilës i konvenon si përherë të puthë dorën e më të madhit dhe asgjë më shumë. Dhe nuk është demokratike as opozita parlamentare. Ajo është një opozitë personale, sikundër është qeveria, personale.

Nuk jemi demokratikë as ne, të tjerët, as shoqëria vetë e cila miraton dhe pranon, e mandej voton këtë plaçkitje nga kriminelët dhe hajdutët në pushtet. Ndaj mundet të kërkojmë oksigjenimin e të tërës në akte demokratike, mes të cilave më 6 dhjetor, padyshim më demokratiku është protesta e opozitës. Sepse samiti nuk është çështje private e Edi Ramës, as festë e një elite që kanë zgjedhur për rastësi apo mesazh një hotel në Shqipëri ku mblidhen dhe vendosin për punët e tyre. Samiti është për të gjithë, për të ardhmen që na e lidhin pazgjidhshmërisht me demokracinë, e cila në fakt nuk ekziston dot pa pakicën.

Mes atyre që do të bujtin në Tiranë, nëse do të kishte me të vërtetë ndonjë europian të bindur, atëherë do të duhej që ta vizitonte protestën e një opozite e cila ka në krye një non grata dhe një të shumë akuzuar, por që mundet të përbëhet nga mijëra njerëz. Këta të dy nuk kanë asgjë më keq sesa kryeministri që mbron të përgjuarit e prokurorisë, që bën sikur nuk sheh e nuk di, që ka promovuar parlamentin e kriminelëve dhe memecëve e që sot gëzon imunitetin e Shkëlqësisë së Tij. I dinë këto shumë mirë ata që mbërrijnë në Tiranë, i dinë sepse punët e kësaj kasolleje që quhet Shqipëri janë të njëjtat që në fillim, janë madje njësoj nga viti në vit. Sado “e madhe” të shitet politika publicitare e Edi Ramës.

Parlamentin e Shqipërisë për frymën pro europiane të shqiptarëve nga e cila “mund të infektohen” edhe europianët vetë. Duhet që dikush të begenisë edhe Shqipërinë e protestës jo pse aty Sali Berisha do kapitalizonte diçka, pasi në fund të fundit, ai tashmë po luan all in dhe tërheqja është praktikisht vetëvrasje, por për të mos e kthyer Europën në temë ndarëse në një vend që tashmë gradualisht, po humbet besimin te kushdo. Një vend që bën të lumtur vetëm elitën e vet është në prag kolapsi.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.