A mund një algoritëm të pikturojë si Van Gogh?
Vincent Van Gogh, Pablo Picasso, Andy Warhol dhe Louise Bourgeois nuk udhëtuan kurrë në ishujt Faroe të Atlantikut të Veriut. Atëherë, si peizazhet nga Ishujt e deleve (siç përkthehet emri i tyre) frymëzuan një seri veprash për Galerinë Kombëtare? Përgjigjia ndodhet në një program inteligjence artificiale, ku parashtrohen pyetje të reja.
Midjourney është “krijuesi” i dyzetë veprave të ekspozitës me titull “Imagjinoni ishujt Faroe”, i cili krijon imazhe në bazë të urdhrave të shkruar. Njëkohësisht mund të analizojë në kohë shumë të shkurtër, miliarda vepra arti që të gjejë motive, për të zhvilluar një vepër të re, duke shfrytëzuar fjalorin pamor, p.sh., të Monesë ose të Pikasos.
Qëllimi i organizuesve nuk është të vërtetohet, se në çfarë mase veprat e reja mund të “gënjejnë” syrin dhe të konsiderohen origjinale, por të zhvillojnë debatin e nisur mbi lidhjen e artit me teknologjinë. “Disa herë, një muze arti nevojitet të krijojë një dialog për çështje që lidhen me artin”, thotë në botimin elektronik të revistës “Smithsonian”, drejtuesja e galerisë.
“Nuk ekziston asgjë statike në art. Gjithmonë, arti bashkëkohor eksperimentonte, kërkonte dhe i shtynte gjërat deri në skaje”. Vazhdon të shpresojë, sikurse thotë, që vizitorët do të thellohen rreth çështjeve si: A mund një algoritëm të krijojë art? Sa ndihmë mund të marrë një artist nga inteligjenca artificiale dhe në çfarë pike mund të pretendojë pastaj që vepra i përket ekskluzivisht atij? Do e konsideronim një vepër që krijohet nga një program inteligjence artificiale si art, nëse nuk do e dinim që është krijuar nga një algoritëm i avancuar?
“Midjourney” nuk është as zhvillimi i parë e as i fundit i teknologjisë, i cili vë në dyshim status quo-në e botës së artit. Diçka e tillë ndodhi me zbulimin e kameras në fillim të shekullit të XIX. Në fillim piktorët ishin të rezervuar. Në të vërtetë teknologjia “ndryshoi llojin e portretit, por jo krejt ekzistencën e pikturës”.
Programet e inteligjencës artificiale nuk janë mjeti i vetëm, që ndryshon artin. Artistët kanë zëvendësuar kamvanë me tabletet, ndërsa kërkesën më të madhe e kanë NFT, që përbëjnë modele teknologjjke (ose kopje unike) veprash arti. Por gjithë këto gjëra teknologjike kërkojnë kontribut njerëzor që të funksionojnë”, përmend drejtuesja e Galerisë.
Midjourney është i aksesueshëm për çdokënd, që kërkon të regjistrohet në aplikacionin e rrjetit social Discord. DALL-E një program i ngjashëm inteligjence artificiale, është gjithashtu i hapur për publikun. Disponibiliteti i këtyre mjeteve nënkupton që “shumë njerëz që nuk vetërpërcaktoheshin më parë si artistë, tashmë mund të bëjnë një hap në krijimin e veprave të artit”, shton znj. Grant, duke iu referuar kontributit të artit në demokratizimin e artit.
Një robot në Dhomën e Lordëve
Kjo çështje preokupoi dhe Parlamentin e Lordëve në Londër, sepse roboti Ai-Da u bë roboti i parë i llojit që foli në Parlamentin e Britanisë së Madhe, bashkë me krijuesin e tij, artistin dhe galeristin Aiden Miller.
Ai-Da u shfaq para anëtarëve të Komisionit të Komunikimit Dixhital, që të jepte informacion mbi impaktin e teknologjisë në mjediset profesionale, që lidhen me krijimtarinë. Roboti artist antropoid “lindi” në 2019 nga një kompani robotike në Kornuell në bashkëpunim me kërkues shkencorë në çështje inteligjence artificiale në Universitetet e Oksfordit e Birmingamit dhe deri tani ka prezantuar shumē shembuj të punës së vet, mes tyre dhe një portret të Mbretëreshës Elizabeta.
Funksioni i tij bazohet në kamerat që janë të instaluara në sy dhe në algoritme vështrimi përllogaritës, që të interpretojë atë çka ndodhet para tij. Në vazhdim, duart robotike fillojnë e lëvizin si reagim ndaj këtyre informacioneve, përmes një sistemi kontrolli të përshtatur, duke i lejuar të pikturojë. “ Roli i teknologjisë në krijimin e artit do vazhdojë të shtohet vazhdimisht, sepse artistët gjejnë forma të reja teknologjie të shprehen, të mendojnë dhe të eksplorojnë marrëdhënien mes teknologjisë, shoqërisë e qytetërimit”, tha Ai-Da, duke iu përgjigjur pyetjeve që i ishin parashtruar paraprakisht.
Burimi: tanea.gr
Përktheu: Eleana Zhako
Add new comment