Humbësit e Bukur të 1982-it

Postuar në 20 Nëntor, 2022 12:27

Ku humbi botërori i futbollit? Ai që I jepte botës mbarë një horizont të vetëm? Pse nuk ka më 1982, 1986? Pse e lidhim futbollin e bukur, me drama të papërsëritshme përballjesh që sot mungojnë e që janë më tepër humbje milionash?

Nëse dëgjonë njerëzit e sportit në Shqipëri, futbolli i tanishëm është shumë më i bukur se dikur, se atëherë kështu e ashtu. Mirëpo në plan Teknik, mund të jetë e vërtetë; të krahasosh sot lojtarët sipas të dhënave me lojtarët e dikurshëm, patjetër që niveli ka njohur rritje. Por futbollit sot i mungon magjia e dikurshme, i mungon magnetizmi i një tubimi shpirtëror aq masiv, i lidhur me karizmatikë të papërsëritshëm në fushë, ikona të njerëzores, që dinin të humbisnin përveç se të dhuronin një ndeshje për Fanellën.

1982 do të mbahet mend si kampionati i ekipeve më të mira, por edhe skenografia e një brenge të madhe të atyre që do ta donin historinë ndryshe. Eliminimi i atij Brazili thjesht nuk mund të besohet, ai nuk ka sesi të ndodhte, sidomos nga ajo lloj Italie. Largimi i Francës, po ashtu, i papranueshëm. Irritues dhe lëndues deri në dhimbje. Me një keqbërës unik: Schumacher.

Dy humbës të bukur, i quan gazetari francez Hervé Mathou në një dokumentar që është transmetuar në Canal+, I cili sjell në ekran lojtarë të Francës dhe Brazilit të asaj kohe, që sipas tij “praktikonin një lojë që ruhet si romantike në kujtesën kolektive” “në të kundërt të dy ekipeve realiste që dominuan: Gjermanisë Federale dhe Italisë”.

Është ajo që thotë sociologu franko-gjerman Albrecht Sonntag…humbjet federojnë më shumë sesa fitoret, përmbi të gjitha nëse ato shoqërohen nga një ndjenjë padrejtësie dhe një sjelle joetike e kundërshtarit. Humbjet kanë tharmin e legjendëës, ato krijojnë tek hidhërimi një vend të përbashkët. Për me tepër, skenari i France Gjermani, ngjiste në mënyrë perfekte me kohën: përjetohet gjithnjë si keqtrajtimet e vogla nga më të fortët se ne dhe siç e thotë Sonntag, rolet ishin ndarë mirë dhe rezononin me një epokë lufte jo aq të largët…

Në këtë film flas për një ndeshje, për një përballje, por kam dashur po ashtu të flas për një epokë. Që ndodh sipas meje, në një periudhë ndryshimi: Miterrand është në pushtet që prej më shumë se një viti, por qysh tani, e majta ka hequr dorë nga «ndryshimi i jetës», që ishte edhe premtimi i presidenti socialist. Franka ishte zhvlerësuar, pagat mbetën në vend, kthesa drejt acarimit është iminente dhe e ndjejmë, përmes arkivave se shoqëria ndryshon, ajo «marketizohet»…Dua të besoj se fitorja e Gjermanisë kundër Francës, sikundër ajo e Italisë përballë Brazilit, janë simbolika të një bote që humbet pak nga pak shkujdesjen e vet dhe ndryshon drejt një ere më të vështirë

shprehet në një intervistë për “Marianne” gazetari Mathou.

Është një mënyrë për ta parë futbollin, qoftë edhe një ndeshje me përjetimin kompleks të jetës së një brezi, jo thjesht në mënyrën cerebrale të rezultatit. Ishte koha kur loja e bukur ndoshta dominonte mbi modelin e suksesit, edhe pse në fakt lojën e bukur e bënin ata që ishin më të suksesshmit. 1982 është ndoshta i fundit kampionat ku luan Olimpi, pse p.sh me 1990, përtej bukurisë së pamohueshme, nisin depërtimet e «të huajve» në një doment që deri në atë moment kishte qenë i 4-5 ekipeve kryesore. Dhe për lojën e bukur, sot flitet pak, ndoshta edhe pse dështimi ka kosto përherë e më të mëdha në një botë që nuk ka më kohë për «humbësit romantikë», apo edhe të bukur, siç i quan Mathou.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.