Vetëm 2 studentë për zooteknikë dhe 8000 kuota të djegura në universitetet publike

Postuar në 15 Nëntor, 2022 16:59
Jak Simoni

 

Në statistikat ekonomike ndërkombëtare të para disa dekadave Shqipëria konsiderohej një vend me prodhimtari të konsiderueshme në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë. Pavarësisht faktorëve politikë, duhet pranuar se investimi i brezave historikisht ka qenë mjaft i madh në këto sektorë që janë jetikë, aq më tepër për ne që nuk kemi një industri të zhvilluar.

Akoma më të rëndësishëm këto sektorë i bën rritja drastike e çmimeve kohët e fundit.  Shtrohet pyetja: po në të ardhmen, si do të përparojnë këto sektorë, kur do të mungojnë tërësisht specialistët që u shërbejnë. Këtë e tregon fakti që tek programi i zooteknikës në Universitetin Bujqësor këtë vit akademik janë regjistruar vetëm dy studentë. Po ashtu në programet tjera të fushës agrare, dhe jo vetëm, numri i studentëve është i paktë.

Çfarë do të bëjmë në të ardhmen për produktet jetike bazë që sigurojnë këto sektorë? Me sa duket do të vijojmë t’i varim të gjitha shpresat tek importi; mish “të freskët” nga Serbia, Maqedonia, por dhe nga ana tjetër e botës si Brazili etj. Drithërat po ashtu do i marrim nga Serbia, Ukraina, Rusia etj., por hera-herës rastis që të jenë në  luftë dhe ngelim me sy hapur.

Apo do i varim shpresat tek mishi dhe drithërat teknologjike! Vijon të mbisundojë teza se shkenca dhe teknologjia do ta çojë njerëzimin në parajsë, por historia ka treguar më se miri se shpeshherë e kanë çuar në ferr. Pozitivizmi që mbivlerëson shkencën dhe teknikën ka ngjallur shpresë, por shpesh dhe zhgënjim. Duhet ta pranojmë se dhe shkenca dhe teknologjia zhvillohen në atë mënyrë që të duket sikur po tentojnë të kapin veshin e majtë me dorën e djathtë apo anasjelltas. Për të thënë të fundit të paren; shkencëtarët “e pavarur” le të zbulojnë diçka tjetër, se mënyrën se si prodhohet mishi e ka zbuluar natyra prej miliona vjetësh.

Le të kthehemi tek problemi fillestar: në fund të fundit, kur në programet e lartpërmendur nuk vijnë të studiojnë studentët e mirë, pse mos të studiojnë dhe ato që nuk kanë mesataren e vendosur në mënyrë abuzive me vendim të Këshillit të Ministrave. Nuk janë bosh kuotat vetëm tek zooteknika dhe agronomia, por dhe tek degët tjera të mësuesisë etj.

Ky zvogëlim i numrit të studentëve ka dëmtuar rwndë universitetet nga ana financiare dhe e kanë të vështirë të bëjnë edhe rritjen e premtuar të rrogave. Për të mirën e të rinjve, të universiteteve dhe të vendit, ato programe ku ka kuota të paplotësuara duhet të jenë të hapura për të gjithë ata që kanë mbaruar maturën. Në Itali e gjetkë diplomohen 90 vjetarët, ndërsa në Shqipëri pengohen të shkojnë në shkollë 18 vjetarët. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.