Mishi artificial: çfarë është, si prodhohet dhe ku ka nisur të konsumohet
Mishi artificial mund të konsiderohet biznesi i shekullit XXI. Për studiuesit dhe sipërmarrësit e teknologjisë, ai është jo vetëm përgjigja më efektive ndaj nevojës në rritje për ushqim proteinik, por edhe një mjet për të reduktuar emetimet e gazrave serë.
Një pjesë e botës agro-industriale e kundërshton këtë kufi të ri, i cili mbledh gjithnjë e më shumë fonde çdo vit, nga frika e përmbysjes së një tregu me vlerë mbi 1400 miliardë euro. Kësaj i shtohet edhe mosbesimi që ka popullata në moshë ndaj ushqimeve të krijuara në laborator.
Çfarë është mishi artificial
Mishi artificial, i njohur ndryshe edhe si 'mish i kultivuar', përftohet duke i marrë qelizat staminale nga një kafshë. Teknika tashmë përdoret në mjekësinë rigjeneruese: qelizat merren nga një muskul i gjallë për t'i kultivuar në një bioreaktor që riprodhon të njëjtat kushte të trupit të kafshës (temperatura, aciditeti, pH, etj.) dhe ushqyerja bëhet me një përzierje lëndësh ushqyese, duke garantuar kështu që qelizat të shumohen në mënyrë eksponenciale.
Sistemi i vënë në punë në shkallë industriale do të arrijë të prodhojë 10 000 kilogramë mish nga një qelizë e vetme. Në praktikë, atyre qelizave u duhen disa javë për të përfunduar në një hamburger, ndërsa përmes rritjes natyrale të gjedhit u duhet një vit e gjysmë.
Pse mish në laborator?
Përparësitë janë para së gjithash mjedisore. Fermat janë përgjegjëse për 14.5% të gazeve serrë. Për më tepër, fermat intensive renditen si shkaku kryesor i shpyllëzimit. Për një kg mish viçi nevojiten mesatarisht 11 500 litra ujë, ndërsa sipas studimit shkencor “Ndikimet mjedisore të prodhimit të mishit të kultivuar” për të njëjtën sasi mishi të kultivuar mjaftojnë nga 367 deri në 521 litra.
Hulumtimet tregojnë gjithashtu se përdorimi i tokës është ulur me 99%. Për më tepër, ka edhe arsye shëndetësore: mbarështimi intensiv është burim i epidemive (lopa e çmendur, gripi i derrit, shpendët, etj.), dhe përdorimi masiv i antibiotikëve për qëllime parandaluese kontribuon në rritjen e rezistencës ndaj antibiotikëve te njerëzit. Së fundi janë edhe arsyet etike: çdo vit rriten 60 miliardë kafshë, shumica e tyre jetojnë në kushte torture për të nxjerrë prej tyre produktivitet maksimal, përpara se ato të përfundojnë në thertore.
Në këtë drejtim, vlen të theksohet se "Propozimi 12" është në fuqi në Kaliforni që nga viti 2018. Kjo rregullore parashikon një hapësirë minimale prej 2.2 metra katrorë për çdo kafshë (viça, derra dhe pula) në ferma. Tani pritet një vendim i Gjykatës së Lartë për të përcaktuar nëse do kjo rregullore do të shtrihet në të gjithë Shtetet e Bashkuara.
Si lindi ushqimi i së ardhmes
Studimet e para datojnë në fillim të vitit 2001, kur NASA nisi eksperimentet mbi mundësinë e prodhimit të ushqimit të freskët në hapësirë, ndërsa pritej fillimi i udhëtimeve në Mars. Hamburgeri i parë në botë i prodhuar në laborator u bë duke marrë qeliza staminale nga muskuli i lopës në gusht 2013 nga Mark Post, drejtor i departamentit të fiziologjisë në Universitetin e Mastrihtit.
Për të arritur te 142 gramët e këtij hamburgeri të parë janë dashur 250-290 mijë euro. Kostot kanë rënë në 10 vjet. Në mars 2022 - shkruan Forbes - hamburgeri artificial arriti një çmim prej 9.80 dollarë "sepse shkalla e prodhimit është përmirësuar ndjeshëm, por produkti mbetet ende më i shtrenjtë se një hamburger në një dyqan ushqimesh apo restorant".
Investimet në mishin artificial
Sipas të dhënave të “Good Food Institute”, sot 107 kompani në 25 vende janë angazhuar me mishin artificial.
Në Evropë janë gjithsej 29 kompani start-up (në Itali vetëm një: start-up-i Bruno Cell në Trento) Investimet në këtë sektor arritën në 1.38 miliardë në 2021, rreth 71% më shumë se një vit më parë (410 milionë dollarë).
Ndër investitorët që janë fokusuar te mishi i kultivuar që nga viti 2016 janë manjatët e botës teknologjike si Bill Gates, Richard Branson, Sergey Brin, Peter Thiel dhe Li Ka Shing, personazhe të famshëm si Leonardo DiCaprio, por mbi të gjitha gjigantët e ushqimit dhe industrisë së produkteve të mishit si JBS, Tyson Foods, Kellogg's dhe Cargill.
JBS, kompania më e madhe e përpunimit të mishit në botë, kohët e fundit njoftoi 100 milionë dollarë investim në start-upin spanjoll "BioTech Foods" dhe ndërtimin e një objekti të kërkimit dhe prodhimit të mishit në epruvetë në Brazil. Ndërsa "Future Meat Technologies", një kompani izraelite e bioteknologjisë, lider në prodhimin e mishit të kultivuar të pulës, në dhjetor 2021 mblodhi 347 milionë dollarë fonde nga kompani të ndryshme të drejtuara nga ADM Ventures amerikane dhe gjiganti i mishit, Tyson Foods.
Në përgjithësi, investimet kryesore janë në Amerikën e Veriut (701 milionë dollarë), që ndiqet nga Lindja e Mesme (475 milionë dollarë) dhe Evropa (121 milionë dollarë).
Qeveritë hyjnë në lojë
Qeveria amerikane ka hapur një konkurs prej 10 milionë dollarësh për të krijuar një qendër ekselence në agrikulturën qelizore. Qeveria spanjolle i ka dhënë 5.2 milionë euro kompanisë BioTech Foods, Britania e Madhe ka ndarë një milion paund për skocezen “Roslin Technologies”, ndërsa Bashkimi Europian ka dhënë një hua prej 2 milionë eurosh për kompanitë holandeze “Mosa Meat” dhe “Nutreco”.
Investimi më i madh mbetet ai i Singaporit, një qytet-shtet që importon 90% të ushqimeve të tij: qeveria ka ndarë 426 milionë euro për tregun e mishit të kultivuar. Më në fund, Autoriteti Izraelit i Inovacionit njoftoi në vitin 2021 një financim prej 69 milionë dollarësh për katër konsorciume inovative, njëra prej të cilave i është dedikuar mishit të kultivuar. Në qershor 2021, Horizon Europe, programi kryesor i kërkimit dhe inovacionit të BE-së, ftoi kompanitë e BE-së të prezantojnë projekte për kërkime mbi proteinat alternative. Në lojë është një fond prej 32 milionë eurosh.
Ku shitet mishi artificial
Për momentin, vendi i parë dhe i vetëm që i ka dhënë dritën jeshile shitjes është Singapori. Që prej vitit 2021, «Good Meat», një degë e start-up-it Eat Just, shet kroketa në restorantin luksoz «1880», në Singapor, me një çmim 23 euro/pjata. Në Izrael, në restorantin "The Kitchen” mund të konsumosh mish të kultivuar pule, por klientët duhet të nënshkruajnë paraprakisht një formular, në të cilin pranojnë të gjitha risqet që mund të vijnë prej tij.
Një masë paraprake e arsyeshme pasi nuk ka ende studime mbi efektet afatgjata (ne do t'i zbulojmë ato gjatë jetës). Në SHBA pritet që Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) të japë së shpejti dritën jeshile, ndërsa në Evropë produkti që hyn në kategorinë e "ushqimeve të reja" duhet së pari të marrë miratimin e EFSA (Autoritetit Evropian i Sigurisë Ushqimore) dhe pastaj atë të Komisionit.
E ardhmja
Raporti "Mishi i kultivuar: Nga laboratori, në tigan", i hartuar nga firma kërkimore “McKinsey” konkludon se mishi artificial mund të krijojë një treg prej 25 miliardë dollarësh deri në vitin 2030. Për analistët në AT Kearney deri në vitin 2040, 35% e të gjithë mishit të konsumuar do të vijë nga qelizat staminale, ndërsa zëvendësuesit me bazë bimore do të mbulojnë 25% të tregut.
Mishit të kafshëve të therura do t’i mbetet të mbulojë 40% të tregut global: "Mishi i kultivuar nuk duhet të shihet domosdoshmërisht si një zëvendësues i mishit natyral - shpjegon për Dataroom Stefano Biressi, profesor i biologjisë molekulare në Universitetin e Trentos, i cili bashkëpunon me kompaninë start-up «Bruno Cell» në zhvillimin e mishit artificial në Itali. Të dy produktet, të paktën fillimisht, do të shiten paralelisht”.
Ana tjetër e medaljes
Rezistenca nuk është e vogël. Në Itali, e para kundër është Coldiretti (Konfederata Kombëtare e Kultivuesve). "Fermat - shpjegon Felice Adinolfi, drejtore e Qendrës së Studimit Divulga - janë vitaliteti ekonomik i territoreve të tëra, garantojnë biodiversitetin, mbajnë në ekuilibër konsumin e tokës, duke shmangur mbetjen djerrë ose rritjen e bimësisë së egër". Më pas vjen çështja e punësimit: vetëm në Evropë i gjithë zinxhiri i furnizimit të mishit (nga veterinerët te shitësit e mëdhenj) punëson 7 milionë njerëz (në Itali punojnë në sektorin zooteknik 270 000 sipërmarrës bujqësorë dhe 250 000 punonjës në sektorin e blegtorisë), që laboratorët do të mund t’i zëvendësojnë.
Për sa i përket mjedisit, duhen marrë në konsideratë dy elementë: a) zhdukja e mbarështimit intensiv do të reduktonte në masë të madhe emetimet e CO2; b) sasia e energjisë që duhet për të prodhuar mish të kultivuar është më e madhe se ajo e nevojshme për procesin industrial të prodhimit të çdo mishi natyral (ai që shkon nga thertorja në supermarket). Këtë e provon studimi shkencor "Parashikim mbi ciklin jetësor të kultivimit in vitro të biomasës për prodhimin e mishit të kultivuar në Shtetet e Bashkuara". Së fundi, ky kufi i ri “anashkalon” një problem të madh shëndetësor: të gjitha studimet shkencore bien dakord se mishi i kuq nuk bën mirë, kështu që në vend që ta zëvendësojmë me mish artificial, duhet të hamë sa më pak.
Për hir të mjedisit dhe shëndetit, thotë Jilles Luneau në librin “Mish artificial? Jo, faleminderit”, është e nevojshme të reduktohet në mënyrë drastike mbarështimi intensiv, duke u fokusuar në ato ekstensive dhe organike.
Në fund, megjithatë, industria do të udhëhiqet nga konsumatorët, sepse janë ata që vendosin se çfarë të vënë në pjatën e tyre.
Burimi: Corriere della Sera
Add new comment