Kush e financon PS-në dhe kë financon kjo parti?

Postuar në 04 Tetor, 2022 09:39

Në një replikë dje në Kuvendin e Shqipërisë, kryeministri Edi Rama ka deklaruar ndër të tjera se financimi rus i Partisë Demokratike, është një fakt i njohur botërisht. Dhe se për të kanë patur dijeni një grup i ngushtë njerësish.

Akuza me natyrë pohuese është një sekuencë e ngopjes së publikut me një fabul që është e rreme edhe nëse fakti është i vërtetë. Sepse një financim rus i PD-së nuk heq apo shton asgjë në cilësinë e vërtetë të partive shqiptare. Që nuk është asnjëra demokratike.

Përralla ecën kështu: befas na del që PD-ja ka marrë para ruse. Pra nga të ligjtë. Kryeministri e merr këtë akuzë pa pritur veirifikim dhe e qarkullon si fakt mirëfilli propagandistik për të ngecur në perceptimin e qytetarëve denoncimin final për opozitën si tradhëtare. Meqenëse shpresa vdes e fundit, edhe kryeministrit patriot mesa duket i ka mbetur shpresa se në këtë vend ka ende mundësi për të tradhëtuar diçka.

Akuza duhet të kishte tronditur një parti si PD-ja që është shpalluir natë e ditë si proamerikane. Që këtej edhe natyra publicitare e patriotizmit tonë: ne nuk do merrnin para nga rusët jo sepse këtë na e dikton i ashtuquajturi interes kombëtar, por sepse duke qenë se ne jemi proamerikanë nuk do ta bënim këtë sepse nuk na e mban dhe sepse nuk na duhen.

Teatri vazhdon me heqjen e valles nga Sali Berisha që thotë “Basha i ka marrë”. “Tani po bindem”. Dhe urdhëron auditin. Pra nga një akuzë financimesh ruse kalojmë në një sulm filoamerikan ndaj Bashës, sulm i udhëhequr nga një person i shpallur non grata. Ambasadorja Kim hesht – shyqyr Zotit – Basha hesht dhe kështu vazhdon një përrallë me para të dyshimta dhe agjentë të Sigurimit.

Pse ka rëndësi kjo?

E para sepse nëse vendosesh në pozitën e të ashtuquajturve liderë, ata e mbajnë gjallë gënjeshtrën në fjalë jo për “njerëz që mendojnë”, por për popullin, miletin. Pse në llogaritë e tyre, të Edit sidomos që edhe hijen që lëshon e ka të rreme, ka një milet që duhet budallallepsur me kësi gjërash, pasi t’u jetë treguar një dritare e lyer, a një derë e rregulluar.

Ky është elektorati që kërkon përherë elektroshokun e përrallave të ngjashme. Pasoja është se ne varemi nga një parim i deformuar që është e drejta e votës, e cila nuk ushtrohet nën përgjegjësinë e një të drejte, por nën merkantilizmin shpirtëror të një turme pa tru e pa kokë siç do shprehej një dështak nga vitet ’30.

E dyta, sepse zhurma për financime të huaja të një partie errëson problemin e vërtetë e që është financimi i partive nga para  të krimit dhe të korrupsionit.

Kush e financon Partinë Socialiste? Që është shprehja e imunitetit të krimit në këtë vend? Kush i financon deputetët milionerë të kësaj partie që duan dhe manifestojnë luksin e një të majti të vërtetë?

Dhe tjetra: kë financon kjo parti, strukturat e saj paramilitare? Ne drejtohemi nga një kryeministër që thotë se përgjegjësia është personale, se PS-ja nuk mban përgjegjësi për shkeljet e individëve. Pra nëse para të krimit hyjnë aty, fajin e ka Kiçua i Organizimit që nuk sheh e nuk ruan, ndërkohë që te PD-ja, faji është kolektiv. PD-ja ka marrë para ruse, jo Lulzim Basha. Njësoj si të thuash se me hashash u mor PS-ja, jo Saimir Tahiri. Kush e financon pra partinë më kriminale në Europë? Cila dosje: e Dibrës apo e Durrësit? Apo e financon Amnistia Fiskale?

Dyfytërësia këtu është politike dhe personale. Pse as PD-ja, as Sali Berisha nuk e hap këtë diskutim, por preferon që të marrë akuzën e z. Rama për të dezintegruar proamerikanizmin e shpikur të Lulzim Bashës dhe ndonjë tjetri që sot kakaris ambasadave. Kaq është interesi i një dysheje apo tresheje që luan një teatër për budallenjtë që kanë kaq shumë vlerë pse e shkundin votën dhe kanë sovranitetin tonë. Ta quajmë demokraci këtë?

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.