Italia dhe shkëputja që nuk u bë kurrë
Në rikthimin e radhës të prirjes për analiza etike dhe paralajmëruese mbi fashizmin, që e shohim të demonstruar në sportelet e librarive (të mos e ngatërrojmë në këtë pikë me librat e vërtetë të historisë, ata janë krejt gjë tjetër), sivjet është ngritur më së shumti tema “Pse jemi ende fashistë”, duke zbritur më tej në “Nuk jemi ndarë përfundimisht nga fashizmi”, “Pse Italia ka mbetur akoma te Musolini” e të tjera, ndjekur nga moralizma dhe fajësime.
Me qëllimin e vetëm, të dënojnë faktin se ne italianët qenkemi ende dhe përgjithmonë të dashuruar me Duçen, nuk turpërohemi mjaftueshëm prej tij dhe regjimit të tij, pra nuk paskemi arritur, ndryshe nga gjermanët e virtytshëm, shkëputjen përfundimtare dhe kolektive nga diktatura dhe të këqijat e saj, një hap ky i nevojshëm për të qenë demokratë të vërtetë. Siç do të tregonin edhe rezultatet e zgjedhjeve që sapo u bënë.
Është fakt se italianëve, në të vërtetë, këtë shkëputje nuk ua ka kërkuar kurrë asnjeri. Aq më pak në momentin që ishte më urgjente dhe e drejtë të bëhej: të nesërmen e rënies së fashizmit dhe humbjes së luftës. Në këtë sens ka vlerë paradigmatike deklarata që qeveria italiane bëri më 22 korrik 1944 (ishte qeveria e kryesuar nga Ivanoe Bonomi: e para, e theksoj, e formuar nga të gjitha partitë e Komitetit të Çlirimit Kombëtar) me fjalë që meritojnë të kujtohen. Ato fjalë do të përsëriten qindra herë, në një mënyrë apo një tjetër, në kronikat dhe fjalimet e eksponentëve politikë të kohës.
Në atë deklaratë thuhej: "Këshilli i Ministrave në urdhrin e tij të parë konstaton se ai, për shkak të origjinës së tij politike, përfaqëson atë shumicë të madhe të vendit që në vitin 1940 u përball me dominimin fashist dhe doli kundër hyrjes së Italisë në luftë së bashku me Gjermaninë hitleriane.
Prandaj, si aktin e tij të parë, Këshilli pohon se vetëm fashizmi është përgjegjës për aderimin e Italisë në paktin trepalësh dhe hyrjen në luftë (...). Kombi, jo më nën sistemin më shtypëse të policisë, ka mundur të rimarrë në dorë fatet e tij dhe të vendosë lirisht për të ardhmen”.
Por siç e kam thënë edhe më parë, për deklarata të ngjashme, ekziston vetëm sikleti i zgjedhjes. Do të ndalem vetëm te një tjetër, për shkak të veçantisë së vendit dhe datës kur është bërë. Është marrë nga editoriali i organit të Partisë së Veprimit, L’Italia Libera, datë 2 qershor 1946, me titull “Pse duhet të votoni për Republikën”. Gazeta i përgjigjet kësaj pyetjeje: “sepse duke votuar për monarkinë fashiste do të merrnit përgjegjësinë për një politikë lufte e rrënimi të së shkuarës dhe të së ardhmes.
Vetëm Republika mundet t'ju çlirojë nga përgjegjësia e luftës monarkiko-fashiste”.
Siç kuptohet, shembulli i mosshkëputjes me fashizmin iu erdhi italianëve nga lart dhe u erdhi pikërisht nga partitë antifashiste. Megjithatë, për mendimin tim, ata kishin arsye të forta për të zgjedhur këtë rrugë dhe jo atë të ftesës për një pastrim të ndërgjegjes dhe dënim kolektiv.
Dy arsye në veçanti.
Para së gjithash, partitë antifashiste ishin të bindura me të drejtë se, ndonëse shumë e brishtë, shkëputja e përgjegjësisë së italianëve nga fashizmi (për më tepër e vërtetuar nga ekzistenca e luftës së armatosur të formacioneve partizane) ishte në çdo rast një argument i domosdoshëm për t’u përpjekur të merrnin nga fituesit e luftës, kushtet më të mira të mundshme të paqes.
Së dyti - dhe ndoshta para së gjithash - ata e kuptuan se një rrugë tjetër – pra të orientohej vendi drejt shkëputjes përfundimtare dhe pendimit - vetëm sa do të sanksiononte tëhuajsimin e tyre në lidhje me të, do të rriste mosbesimin tashmë të përhapur që te shumë prej italianëve ngjallte rolin e tyre si aleatë objektivë të atyre që dje kishin qenë armiq, të njerëzve që erdhën në pushtet vetëm falë disfatës italiane. (Kjo, në parantezë, ishte edhe arsyeja që asnjë prej dhjetëra kriminelëve të luftës të Ushtrisë Mbretërore nuk u ekstradua në shtetet e huaja që e kishin kërkuar një gjë të tillë).
Ndryshe nga shumë amatorë jo fort të qartë që sot shkruajnë për këto gjëra, antifashistët, duke filluar nga Togliatti, e dinin shumë mirë se fashizmi nuk ishte "pushtimi i Hyksosve". Por shumë më tepër.
Kishte qenë produkt i krizës politike të pasluftës, në të cilën të gjithë aktorët, duke përfshirë edhe ata vetë, kishin përgjegjësitë e tyre pak a shumë të rënda dhe në të njëjtën kohë ishte edhe rezultat i një historie të gjatë italiane.
Rezultati i një historie italiane në të cilën ishin bashkuar lëvizjet e thella të ngjarjeve kombëtare që datojnë nga lëvizja ideologjike e Rinashimetos, kohë gjatë të cilave gjëra me shumë vlerë dhe nevoja të përbashkëta kishin mundur të shpreheshin dhe me të cilën shumë personalitete të padiskutueshme kishin bashkëpunuar në mënyrë të frytshme. Edhe pse, natyrisht, kishte qenë një përfundim tragjik, pasi e gjithë kjo mund të bëhej vetëm në një regjim dhune, përbuzjeje për lirinë dhe një nacionalizëm verbërisht agresiv dhe përfundimisht antisemitik që e kishte çuar vendin në rrënim.
Në Kushtetutën tonë - domethënë në vetë themelin e Italisë së re demokratike - ekziston një provë e fshehtë, por shumë e dukshme, e kujdesit në gjykimin për fashizmin që antifashizmi e ndjeu të detyruar ta bënte të vetën.
Është e dymbëdhjeta nga dispozitat e fundit kalimtare. Përmendet gjithmonë paragrafi i parë, ai që ndalon “riorganizimin në çfarëdo forme të partisë fashiste të shpërbërë”. Megjithatë, ka një paragraf të dytë që nuk kujtohet kurrë. Në të thuhet se një ligj i veçantë do të duhet të vendosë "kufizime në të drejtën e votës dhe të drejtën e zgjedhjes për drejtuesit përgjegjës të regjimit fashist".
Por kujdes: këto kufizime, shtohet më tej, duhet të jenë të përkohshme dhe në çdo rast në fuqi për “jo më shumë se pesë vjet nga hyrja në fuqi e Kushtetutës”. Pra, "udhëheqësit përgjegjës të regjimit fashist" - për të përmendur disa prej tyre që ishin ende gjallë në atë kohë, Federzoni, Scorza, Grandi, Bottai, Vidussoni e të tjerë - që nga viti 1953 e tutje mund të ishin ulur pa u shqetësuar dhe të kishin thënë fjalën e tyre në Parlamentin e Republikës.
Pyes veten: a mund të imagjinohet diçka e ngjashme në rastin e Gjermanisë? A mund të imagjinohet se në Republikën Federale "udhëheqësve përgjegjës të regjimit nazist" t’u lejohej të merrnin pjesë në punën e Bundestagut disa vjet pas fundit të Rajhut të Tretë? Dhe pse është e pamundur të qoftë edhe vetëm të imagjinohet?
Ndoshta ngaqë edhe etërit tanë themelues – njësoj si moralistët politikë aktualë të maskuar si historianë që sot nuk lodhen së na qortuari - preferuan të mos kujtonin se çfarë kishte qenë fashizmi, ishin fshehurazi përbuzës ndaj diktaturës së Musolinit dhe nuk kishin një ndërgjegje etike të mjaftueshme?
Burimi: Corriere della Sera
Përktheu: Gazmira Sokoli
Add new comment