Punë e kotë të pyetet ky kryeministër që do vetëm të rrëfejë
Kryeministri i vendit doli sot në një konferencë për mediat pas mbledhjes së qeverisë, në të cilën siç njoftoi ai u morën vendime për indeksime pagash.
Më pas z. Rama u pyet. Për largimin e Arben Ahmetajt, për inceneratorët, për shpërblimin e një grupi folklorik që i ngriti atij këngë pse hapi një rrugë, mandej për aminstinë fiskale, mandej…Ça rëndësie ka!
Z. Rama nuk i pëlqen asnjë pyetje; disa i quan përralla, të tjera spekullime, të tjera si ato për amnistinë si njëanshmëri antishqiptare e gazetarëve e kështu me radhë.
Është e qartë se z. Rama nuk do të japë llogari, as do të përgjigjet, as ka durim dhe as duron dot më shqipen në mënyrën pyetëse.
Gazetarët janë injorantë, ata as e kanë haberin që në Shqipëri punohet, duan të shohin të zezën aty ku është e bardha.
Është një marrëdhënie toksike e gjeneruar nga një njeri që intoksikoi gjithkënd mundi kundër çdo kujt që e pati përballë. Është një recetë depressive e dikujt të cilit qeverisja e Shqipërisë i rezultoi në kaosin e zakonshëm të këtij vendi, në rrumpallë, e të cilën e vë në negative tanimë edhe një humor i rënë i mbarë shoqërisë.
Po mirë. Z. Rama është e udhës të mos dalë e të flasë. Fundja ai po bën çfarë do në këtë vend, i ka të gjitha e sërish dështon. Po bën çfarë do dhe nuk është i kënaqur sepse nuk ka asgjë ta përmbushë vanitetin e tij që ndërtohet mbi suksese imagjinare.
Të mos dalë, sepse askush nuk ka më kërshëri për atë që do bëjë. Kastrati, Salillari e të tjerë do jenë përherë në tepsi pa u hyrë gjemb në këmbë. Pjesa tjetër dëgjon e sodit një hapësirë ku nuk ka më kuptim asgjë, ku flitet e flitet pa ndalim, e sërish gjërat rrinë siç kanë qenë.
Ne jemi përballë një karakteri tashmë, jo një kryeministri. Dhe një karakter s’kemi si ta marrim në pyetje, apo ta pyesim se diskutimi mbyllet me përgjigjen : kështu jam. Si ta kesh!
Sa për intervista të lezetshme, ka media vërdallë plot: kështu isha piktor, kështu shkoja me babain, kështu demokracia, e të tjera e të tjera kotësi që mbushin jetën dhe kujtesën e këtij njeriu. Që ka asbolutisht të drejtën e vet të vazhdojë kështu.
s.zaimi
Add new comment