SHBA, Kinë me viktima Europën dhe Rusinë
Në samitin e Uzbekstanit në kuadër të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait janë shënuar disa zhvillime të rëndësishme.
Së pari vetë pjesëmarrja e Rusisë ilustron se bota është shumëçka më shumë sesa Perëndimi që me sanksionet tërësore ndaj Kremlinit po jep valë goditjeje të forta, por me gjasë po ndihmon në gabimin strategjik të shndërrimit të Rusisë në një fuqi aziatike.
Së dyti, Presidenti turk, Erdogan, ka bërë të ditur se Turqia synon të bëhet anëtare me të drejta të plota e organizatës dhe së treti se Kina ka shprehur disa shqetësime mbi luftën në Ukrainë, duke vendosur madje kufij në bashkëpunimin me Rusinë.
Media amerikane “Barrons’s” raporton se presidenti rus, Putin teksa vlerësoi qëndrimin e ekuilibruar të Kinës lidhur me situatën në Ukrainë, pranoi të merrte në konsideratë shqetësimet dhe pyetjet e Pekinit mbi këtë çështje. Po kështu presidenti kinez, Jinping nuk ka shprehur interes të investojë në sektorin e hidrokarbureve tani që kompani si Shell, BP, TotalEnergies po tërhiqen.
Kina është e interesuar në shkundjen e rendit botëror por jo në mënyrën ruse
citon media në fjalë Maria Shaginan të Institutit për Studime Strategjike.
Nga ana tjetër, Rusia sot është e interesuar më shumë se kurrë të shesë produket e veta natyrore, një problem ky strukturor i ekonomisë së saj që është vënë re prej kohësh, por është injoruar nën marzhin e rritjes ekonomike. Është pak a shumë ajo reformë që kanë ndërmarrë vendet e Lindjes së Mesme që po i ikin ekonomisë së bazuar thjesht mbi industrinë nxjerrëse dhe përpunuese, pikërisht për shkak të varësisë që krijon nga të tjerët.
Sot analistë të ndryshëm vënë re se nëse Kina shndërrohet në blerësin kryesor, Rusia kthehet në një farë mënyrë satelit i saj. Është kjo që bëri dikur Gjermania naziste me vendet e Europës Lindore të cilave u blinte lëndën e parë në kuadër të një krize globale.
Revista “Forbes” e analizonte me shqetësim samitin, duke vënë në dukje se Kina po përparon në objektivat e vet ndërkohë që “Europa mezi paguan faturat e energjisë”.
Ajo çfarë po ndodh në fakt është se Perëndimi demokratik ka mbetur aktualisht me një fuqi reale, SHBA përballë vendeve që kanë modele të tjera zhvillimi, në një rivalitet që ka të bëjë me burimet dhe rregullimin e tregtisë. Europa, e mesa duket me të edhe Rusia, janë viktima të vetvetes.
Add new comment