Jepini Skraparit atë që i takon Skraparit
5 Shtatori i 2022 shënoi 80 vjetorin e çlirimit të krahinës së Skraparit. Është e para krahinë shqiptare e çliruar, disa ditë përpara Konferencës së Pezës, që hodhi themelet e bashkimit të të gjithë patriotëve shqiptarë në luftën për çlirimin e Shqipërisë.
Kjo datë kulminante u shoqërua me evente festive lokale duke përfshirë: evente për fëmijët, kulinarinë e zonës, kujtesa dhe vlerësime të figurave historike e patriotike, ekspoze historike, shfaqje etnografike e kulturore si edhe kenge e valle autoktone. Si për ta përmbyllur, pushteti lokal organizoi edhe një koncert në sheshin qëndror “Riza Cerova” të Skraparit.
Se çfarë përfaqëson Skrapari në Rajonin e Beratit apo historinë e Shqipërisë mjafton të përmendim se: Skrapari është krahina e dytë ku janë gjetur shenjat e para të vendbanimeve ilire në Vlushë (pas Xarës së Sarandës); është një zonë që është përshkruar në periudhën mesjetare nga një rrugë karvanësh që kalonte në luginën e Tomorricës dhe lidhte tregtinë e Beratit me Voskopojën dhe Selanikun; krahinë veprimtarish patriotike të Principatës së Muzakajve; i ka dhënë Perandorisë Osmane kryearkitekt Kasëmin; është krahina origjinë e vëllezërve Frashëri, vendlindja e firmëtarit të Pavarësisë Xhelal bej Koprënckës; krahina që gjatë periudhës 1924-1936 iu përgjigj me një antizogizëm të thekur prapambetjes ekonomike,infrastrukturore e shëndetësore me në kryeheroin e popullit Riza Cerovën dhe deputetin e parë të zonës në parlamentin e parë shqiptar Ali Koprënckën të cilët mbështetën Fan Nolin, Bajram Currin dhe Luigj Gurakuqin gjatë Revolucionit të Qershorit 1924; krahinë ku u krijua çeta e dytë partizane e Shqipërisë më 14 Mars 1942 (pas asaj të Pezës) me Komandantin e çetës plakë të Skraparit, Mestan Ujanikun, kryengritësi i përhershëm, i cili vdiq tragjikisht në burgjet e komunizmit, vetëm pse mbështeti deputetët e pavarur pas çlirimit; krahinë që mbahet mend për betejën e Tendës së Qypit.
Skrapari qëndroi një kështjellë e papushtuar deri në fund, ndonëse e pagoi me masakra çnjerëzore, si ato që nazistët kryen në janar 1944, në Vlushë, Krushovë, Turbohovë dhe Kapinovë, ku u ekzekutuan 114 burra e fëmijë, për të terrorizuar të gjithë krahinën kryengritëse. Por vetëm pak ditë me vonë forcat naziste do përjetonin një nga disfatat më të rënda të “Operacionit të Dimrit”, pikërisht në betejën e lavdishme të Tendës së Qypit më 19-24 Janar 1944, ku shkëlqeu trimëria e popullit të Skraparit me në krye Heroin Zylyftar Veleshnja dhe Iljaz Sevranit në krahë të forcave të Brigadës së Parë Sulmuese.
Ndërsa në Vlushë, vetëm dy muaj pas masakrës, u krijua Brigada e 7-të Sulmuese, një nga formacionet më të forta të Luftës Antifashiste me të cilën u bashkuan edhe disa qindra djemë e vajza partizane të krahinës, që e ndoqën pushtuesin deri në Vishegrad. Ngjarje të tjera të rëndësishme si Kongresi i Parë i Rinisë Antifashiste në Helmës më 8 Gusht 1944 dhe krijimi i brigadave e formacioneve të tjera partizane në këtë krahinë, ishin një kontribut për fuqizimin e Luftës Antifashiste deri në çlirimin e Shqipërisë.
Ndërkohë që dy nga betejat më kryesore të “Operacionit të Qershorit”, ajo në Qafën e Gjarpërit më 6 Qershor 1944 dhe në Qafën e Shkozës u zhvilluan pikërisht në Skrapar, ku pushtuesit u thyen keq dhe u detyruan të kthehen pas. Skrapari ishte krahina e parë që më 3 Shtator 1942 në shtepinë e Sinan Yllit në fshatin Leshnje, vendosi të shpallte çlirimin e zonës zyrtarisht më 5 Shtator dhe të ngrinte flamurin kombëtar në qendrën e qytetit!
Skrapari i dha Çlirimit të atdheut personalitete kontribuese e drejtuese, si Mestan Ujaniku, Zylyftar Veleshnja, Kahreman Ylli, Neshat Hysi, Njazi Çepani, Iliaz Sevrani, Estref Caka,Sulo Greva,Hysen Zaloshnja, luftëtarët e 417 dëshmorët midis: Kasëm Iljaz Gjoni, Jazhar Zyka madje edhe fëmijë të inkuadruar në luftime si Sybi e Ibrahim Bakillari e plot të tjerë.
Gjithashtu krahina e Skraparit do të merrte përsëri protagonizmin gjatë regjimit komunist ku: u ndërtuan vilat e strehimit për udhëheqjen në rast lufte; u ndërtuan nga vitet 1963 deri më 1979 tunelet e Pirogoshit për depozitim të armatimeve si edhe dy uzinat e Pigazit e Poliçanit për prodhimin e armatimeve ushtarake.
Skrapari do të ishte në këtë periudhë vendlindja e poetit kombëtar Xhevahir Spahiu,e artistit të popullit Demir Zyko apo mjekut Ajli Alushani ( Ministër Shëndetësie në komunizëm). Kjo krahinë ballëlartë i dha Shqipërisë edhe në demokraci biznesmenë, inxhinierë, shkrimtarë, profesorë, dekanë, ministra, kyeministër e deri President.
Por megjithë pasurinë e larmishme natyrore, etnokulturore, historike e sociopolitike, 80 vjetori i çlirimit do ta gjente Skraparin më të izoluar dhe braktisur se kurrë më parë.
Skrapari është i Kanioneve të Osumit të ashtuquajtura Koloradot Shqiptare; Malit të Tomorit dhe shenjtërisë Tij, i vargmalit plot mermer Kulmak-Zaloshnjë apo i 'rakisë së Skraparit'. Skrapari është një galeri kthesash historike dhe një paketë turistike për të ardhmen.
Mungesa e thellë infrastrukturore e lidhjes me Korçën dhe Gramshin, braktisja e ndërtimit të rrugës lidhëse me Përmetin apo përkeqësimi i infrastrukturës lidhëse me Beratin kanë bërë që Bashkia e Skraparit të përfundojë sot në rreth 15 mijë banorë.Po aq sa kishte 100 vjetë më parë, më 1923 kur numëronte 14 887 banorë.
Prandaj kush ka veshë le të degjojë; kush ka sy le të shikojë! Një refleksion dashamirës kërkohet urgjent tek qeveria shqiptare. Të mundësohet financimi i rrugës Skrapar-Maliq-Korçë e cila e ka projektin të përfunduar në ARRSH dhe kalon përmes luginës së Tomorricës dhe e lidh këtë luginë me Gramshin njëkohësisht por edhe të përfundohet infrastruktura e nisur rrugore me rrethin e Përmetit.
Realizimi i këtyre dy arterieve do të rigjallëronin jetën në Skrapar dhe do të shumëfishojnë numrin e vizitorëve në Kanione dhe në Parkun Kombëtar të Tomorit, duke e bërë Skraparin kryeqendër të turizmit në Shqipërinë jugore. Jepini Skraparit atë që i takon Skraparit!
Add new comment