Pas Majlinda Bregut dhe Grida Dumës, nis reflektimet edhe Jorida Tabaku

Postuar në 23 Gusht, 2022 11:44

Deputetja Jorida Tabaku ka nisur të reflektojë. Është po ai lloj reflektimi që e dëshmuam kohë më parë te Majlinda Bregu. Reflektim pati edhe Grida Duma, por me cikël të përsëritur për të ardhur në përfundimin se shpalosjet pseudointelektuale si këto janë asgjë më shumë sesa simptoma oportunizmi të atyre që politikën e kanë pjesë të pazgjidhshme të rehatit.

Zonja Tabaku reflektonte sot për regjimin totalitar, për krimet e tij, për faktin se ai i bëri shqiptarët njerëz pa ndërgjegje. Zonja ecën më tej kur na referon “një leksion të qartë” siç thotë ajo nga “nga besimet Abrahamike ku historia e Hebrenjve që dolën nga Faraoni u shoqërua me 40 vite në shkretëtirë si shenjë e një pastrimi të thellë nga totalitarizmi dhe idolatria e Egjiptit faraonik”.

Për atë që lexon me të vërtetë përdorimi i këtyre pohimeve në këtë mënyrë kërkon guxim të madh sepse leksionet e qarta etike të Biblës, shpesh janë provuar se kanë motivime politike dhe ndërtohen mbi të pavërteta. Është shumë problematike p.sh përdorimi i termit “totalitarizmi dhe idolatria e Egjiptit faraonik”, për çka ne shohim sot, sepse idolatria e Egjiptit u shdërrua në histori të një qytetërimi të paprecedent dhe të papërsëritshëm, ndërkohë që në thelb monoteizmi deklamon autoritetin e padiskutueshëm të një Zoti që është metaforikisht tiran dhe monark mbi të vërtetën.

Zonja Tabaku që përfaqëson në sytë e disave një shtresë të persekutuarish flet për regjimin e shkuar duke cilësuar se ishte Sigurimi i Shtetit “hallka kryesore e mekanizmit mbi të cilin funksiononte makineria shtetërore komuniste”. Një tjetër pohim shumë problematik, pasi është vetë zonja që më tej na thotë se ne nuk po dalim dot nga tranzicioni, edhe pse Sigurimi nuk ekziston më. Askush nuk flet për Partinë e Punës, Gaia-n e partive të sotme shqiptare të cilat kanë Sigurimet e tyre në formën e krimit të organizuar dhe vrasësve me pagesë, kanë policitë e tyre dhe prokurorët e vet. Zonja kërkon madje në emër të këtij humanizmi që e ka vënë poshtë në këtë përkujtimore që:

Është esenciale që shqiptarët të kenë një libër të hapur me dosje të hapura për të gjithë qytetarët. Më mirë vonë se kurrë thotë një fjalë e urtë- dhe kjo jo si shenjë hakmarrje ndaj atyre që kanë qene pjese e kesaj hallke djallezore dhe gjakatare por si një përgjegjësi qytetare ndaj atyre që kanë mbi shpinë përgjegjësinë për vrasjen, burgosjen dhe internimet për mijra shqiptarë të pafajshëm

Çfarë do lexojmë në atë libër? Vallë cili shqiptar sot beson se ka mbi krye njerëz të dëlirë, beson naivisht se jeton në një vend të lumtur e për këtë na duhet një libër që zbërthen të vërtetën? A ka më sot shqiptarë të manipuluar nga fjalët, narrativa? Shumë pak. Ndaj edhe ka shumë shqiptarë që janë të vetëmanipuluar nga paraja. Ai libër nuk thotë asgjë të re. Ai nuk zbulon ndonjë gjë, sepse farisejtë janë mes nesh. Dhe një nga këta është edhe zonja që e luan këtë politikë të vetën për shënjestrën e ditës dhe asgjë më shumë.

E nëse na bën leksione sot për Shqipërinë si tokë e premtuar, me siguri që bën një mëkat të madh kur tregohet kaq cinike. Sepse Shqipëria për zonjën Tabaku mund të jetë tokë e premtuar, edhe nga Edi ndoshta, por jo për të tjerët. Të dëgjosh këto gënjeshtra, të dëshmosh këtë hipokrizi në vazhdim, sigurisht që herët apo vonë ndjen se ky vend është vetëm Burgu i premtuar, është pikërisht ai Egjipti i totalitarizmit të së keqes siç e referon zonja, në mijëra forma tashmë, e nga i cili duhet ikur.

s.zaimi 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.