Dhe me dy vrasjet në Vlorë ju uroj një ditë të qetë e të bukur!!!
Është në rendin e gjërave që një njeri që drejton të prezantojë përherë më të mirën, të flasë me optimizëm për kohën dhe të ardhmen. Por duhet të ketë një kufi. P.sh kryeministri e nis e vazhdon ditën dixhitale me togfjalësha të tipit : Dhe me spitalin e ri…shkollën e re, apo zyrat e reja të DPSHTRR. Padyshim që puna duhet propaganduar, por ka një masë përgjegjësie edhe për të keqen. Që nuk është e vogël në këtë vend. Vrasjet nuk po i lënë frymë qetësisë publike, jo pse vrasje nuk ka gjetiu, por për lehtësinë me të cilën merret jeta këtu. Me lehtësinë me të cilën mund të gjendesh përballë një situate që të kërkon të jesh harbut, e të përdorësh duart për kokën.
Në rrugë, në lagje, në lokale, kudo ku ka komunitet. Për këtë do flasë ndonjëherë kryeministri? Formula “kokat hëngshin” nuk i shkon dikujt që ka përgjegjësi jetën publike apo sigurinë, por i shkon ndonjë gjysheje që nuk ka në dorë veç fjalës.
Ne e dimë ku jetojmë, nuk na gënjen dot kush. Puna është se qeveria, edhe kjo që është e hajdutërisë dhe plaçkës, nuk mund t’i ikë përgjegjësisë me shpresën se çdo skandal tretet vetë. Sepse herët apo vonë kjo pasiguri që provojmë të gjithë do prekë edhe këta të paprekshmit e sotshëm që padashur po ulin pikën kritike të autoritetit dhe po e relativizojnë kaq shumë hierarkinë në shoqërisë, saqë nuk është çudi që nesër edhe t’i pështyjnë apo hedhin kanaleve siç shohim nëpër vende të ndryshme.
s.zaimi
Add new comment