Shqiptarët mes grekëve dhe turqve në Luftën greke për Pavarësi

Postuar në 05 Gusht, 2022 20:15
Basil C. Gounaris -Universiteti Aristotelian i Selanikut

 

Një ese për lidhjet shqiptaro-greke në prag të pavarësisë së Greqisë, që nuk mund të kuptohet pa parathëinen historike: fundin e Pashallëkut të Ali Tepelenës.

Basil C. Gounaris sjell në punimin e vet një atmosferë të asaj kohe, të atij kaosi total thuajse, që i vuri shqiptarët dhe grekët në një front, mandej kundër njëri-tjetrit, por përherë me të njëjtë fizionomi njerëzore, të njëjtin pragmatizëm. Një botë kufitare, Epiri i asaj kohe, bashkonte në një çati historike grekë e shqiptarë. Historiografia e ka ndarë arbitrarisht atë botë mes grekëve dhe shqiptarëve, mes kristianëve dhe myslimanëve, ndërkohë që të paktën sipas këtij punimi, aty kishte çdo gjë, veç idealizëm jo. Qasja në këtë sens, e arsyeve që fermentuan mandej proceset historike, na jep një panoramë më logjike të asaj që pasoi, në bën të kuptojmë ndryshe rëndësinë e Ali Tepelenës dhe ta shohim edhe Rilindjen shqiptare më pas, njësoj si angazhimin e armatolëve grekë në Revolucion: si të vetmen rrugë për të ruajtur statusin. Shtetet krijohen nga forcat reale, mandej nisin përrallat idealizuese të cilat i ndajnë popujt më shumë se çdo luftë, nën letargjinë e gënjeshtrave që na i shesin si Histori.

Hyrja dhe përkthimi: Skerdilajd Zaimi

Beteja e fundit e Luftës së Pavarësisë u luftua më 12 shtator 1829 në Petra të Beocisë, afër fushëbetejës së Aliartos, ku tebanët mundën spartanët më 395 p.e.s. Forcat revolucionare greke drejtoheshin nga Field Marshalli Dimitrios Ypsilantis, një ish-oficer i Ushtrisë Perandorake Ruse dhe vëlla i Princ Alexandros Ypsilantis. Ky i fundit nisi aktivitetet revolucionare greke në shkurt 1821, kur kaloi lumin Prut në Principatat Danubiane, nën kontrollin otoman dhe lëshoi proklamatën përmes së cilës u bënte thirrje Helenëve të ngriheshin për “besimin dhe vendin”. Në kohën e fitores së Dimitrios më 1829, Alexander kishte vdekur tashmë në varfëri në Vjenë(janar 1828) pasi kishte kaluar shtatë vjet në izolim nga austriakët. Vëllai më i ri e përfundoi detyrën që kishte vënë më i madhi dhe e bëri të vlente martirizimin e tij. Simbolizmi ishte i madh dhe u mbijetoi hollësive të betejës së Petrës. Pak grekë e dinë sot se kush ishte në komandën e forcave humbëse otomane dhe se pse ata u dorëzuan. Po ta kishin ditur, ata do të kishin shtuar një simbolizëm apo ndoshta një ironi historike.

Një nga dy liderët e kompromentuar otomanë, në krye të pak qindrave shqiptarëve, ishte një tosk në fillim të të 20-ve, Arslan Bey Puzzi(Buzi) i quajtur edhe Aslan Μühürdar, apo vulëmbajtësi. Duket se ai ishte djali i vulëmbajtësit besnik të Ali Pashës, Mehmet Bey Karamuratit, që supozohej se kishte trashëguar një çerek të pasurisë legjendare të zotit të vet. Pas betejës së Petras, Asllan beu dhe bashkëpunëtori i tij me të njëjtin rang, Osman aga, u treguan të shpejtë në arritjen e një marrëveshjeje me Ypsilantin, që u lejonte atyre kalim të sigurtë në veri, në këmbim të disa pozicioneve të fortifikuara që do të siguronin kontrollin grek deri në lumin Spercheios.

Ky kompromis ishte jetik për diplomacinë. Grekët ishin në ankth për sigurimin e një zotërimi stabël në Rumeli, ende të pavetëdijshëm se nëntë ditë më parë në Adrianopojë, rusët kishin imponuar tashmë mbi otomanët e mposhtur, vijën Volos-Amvrakikos(Ambraki) si kufi të ardhshëm të Greqisë. Ironia ishte se në fazat e para të Revolucionit Grek në verën e 1821-it, Dimitrios Ypsilantis kishte ftuar “toskët trima” që të merrnin anën e grekëve, në atë kohë në luftë me Ali Pashën. Pas tetë vjetës, toskët ishin ende në krah të otomanëve, duke mbrojtur interesat e qeverisë otomane deri në betejën e fundit. Mesa duket apeli grek kishte rënë në vesh të shurdhër.

Kjo narrativë është deri diku çorientuese, sepse mungojnë disa episode interesante. Toskët janë një ndër dy grupet e popullsisë shqiptare, e cila në atë kohë zinin hapësirën nga jugu i lumit Shkumbin deri në gjirin e Ambrakisë(Amvrakikos). Karahasuar me fqinjët e tyre veriorë, gegët suni, arrogantë, luftarakë dhe të pagdhendur, Toskët, veçanërisht në fiset e poshtme çame, me çehren e qartë, konsideroheshin nga vëzhguesit e shekullit të 19-të si më miqësorë dhe mikpritës, e megjithatë të varfër dhe të pistë. Ata ishin ndjekës të urdhërit Bektashi, tolerant ndaj kristianëve dhe në kontakt të ngushtë social dhe ekonomik me grekët e Shqipërisë së Jugut dhe Epirit. Grekët mendonin për gegët apo “Shkodranët”(Skodrins) si një fis të ndryshëm me një etos të dallueshëm. Diplomatët britanikë Iiklasifikonin ata si një komb të ndryshëm, pavarësisht se çfarë kuptimi kishte ky term në fjalorin e tyre të shekullit të 19-të.

Kjo nuk do të thotë se toskët ishin më pak të përfshirë në sulmet e shekullit të 18-të kundër fiqnjëve të krishterë, sidomos kundër suliotëve luftarakë e të panënshtruar. Megjithatë, në oborrin dhe aparatin ushtarak të Ali Pashë Tepelenës, famëkeqi sundues gjysmë i pavarur shqiptar, një elitë trilinguale luftëtarësh toskë dhe grekë, armatolë, ruajtës kalimesh dhe komandantësh ushtarakë, erdhi në kontakt të ngushtë.

U krijuan mes tyre lidhje besimi dhe gjaku, por të cilat nuk duhen mbivlerësuar. Teksa lufta e Portës kundër Aliut dhe kryengritja greke u mbivendosën, për një periudhë të shkurtër kohe, më 1820-1821 interesat toske dhe greke konverguan. Suliotët iu bashkuan së pari në anën e ish-përndjekësit për të rimarrë atdheun e tyre. Ishte në këtë kontekst që Dimitrios Ypsilantis inkurajoi Toskët që të luftonin së bashku me Grekët për lirinë e tyre kundër Sulltanit “tiran” dhe i sajdisi ata si pasardhës të “paraardhësve të tyre”(pra grekët e lashtë), pa lidhje me “orientalët e squllët dhe skithët e pafe”.

Ky koalicion kulmoi në një bashkim dhe operacion thuajse të suksesshëm mes armatolëve të Etolisë dhe Akarnanisë si dhe suliotëve dhe liderëve toskë, kundër forcave të shumta otomane që mbanin qytetin e Artës. Ky bashkëpunim zgjati pak. Para fundit të vitit 1821 u bë e qartë për Toskët, se grekët po luftonin për një kauzë të ndryshme, për një tjetër besim, jo për Ali Pashën, por kundër Islamit. Mesa duket ata ishin mashtruar dhe kishin turpëruar veten për një arsye të padrejtë. Ata rivendosën aleancën e tyre ndaj Sulltanit, por sërish ata e tradhëtuan besën e tyre ushtarake dhe u kujdesën që suliotët të largohen të sigurtë dhe pa probleme.

Pak muaj më parë, në shtator, gjenerali Theodoros Kolokotronis kishte marrë po ashtu të gjitha masat e nevojshme për të siguruar kalimin e sigurtë jashtë Peleoponezit për shqiptarët e Tripolicës në prag të masakrës famëkeqe që ai kreu. Vitin që pasoi(1822) i njëjti oficer grek u përpoq të fitonte shqiptarët duke shfrytëzuar trashëgiminë e Ali Pashëa, por letra e tij u interceptua ; jo se thirrja e tij kishte ndonjë shans. Në atë kohë, sunduesi i Epirit kishte vdekur, ndërkohë që operacionet kundër grekëve, të cilët përfshinin plaçkitje masive dhe tregëti skllevërish, i mbanin Toskët dhe Gegët me gjasë shumë të zënë dhe kënaqur. Në krye të tyre ishin disa prej luftëtarëve më të mirë të Aliut dhe mbështetësit më të thekur të tij, që ishin shndërruar në një kërcënim të vërtetë për kryengritësit grekë. E megjithatë incidente të kontakteve personale dhe ndihmës reciproke mes grekëve dhe shqiptarëve nuk munguan përgjatë luftës.

Pjesëmarrja aktive e shqiptarëve nuk e zhbëri mosbesimin e otomanëve, që shkonte pas të paktën deri në shekullin e 18-të, shumë përpara sesa Aliu të ndërtonte shtetin e tij gjysmë-autonom. Toskët në veçanti, shtylla kurrizore e mekanizmit shtetëror të Aliut, dyshoheshin për mungesë besnikërie ndaj Sulltanit dhe mungesë të dedikimit të vërtetë fetar ndaj Islamit. Edhe gjenerali i famshëm Omer Vrioni, me një rekord të dallueshëm të betejat kundër britanikëve në Egjipt(1807) nuk përjashtohej. Ai i kishte shërbyer Aliut, por bëri një marrëveshje për veten me Portën dhe e braktisi zotin e tij në momentin e duhur për ta luftuar atë. Në raportet otomane, përsëritej vazhdimisht se motivi i shqiptarëve ishte ekskluzivisht paraja. Ata nuk po luftonin për Sulltanin e tyre. Ata ishin mercenarë të vërtetë dhe në nevojë për para, ata do ia shisnin shërbimet e tyre ofruesit më të lartë, mysliman apo jo. Instanca të shumta kishin kapur letra inkriminuese në kohë të ndryshme, ku dëshmohej për kontaktet e tyre me kapedanët revolucionarë grekë; refuzimi për t’u bashkuar në luftën kundër të pabesëve pa dhënë pagesë paraprakisht, provonte natyrën e tyre perfide.

Mehemet Reshid Pasha, i njohur edhe si Kütahı, asokohe komandant(serasker) i forcave otomane që udhëhoqi dy rrethimet në Mesollongj, ishte ndoshta kritiku i tyre më i ashpër. Me origjinë gjeorgjiane dhe një skllav besnik i Portës që në fëmijëri(kapikulu), ai nuk arrinte ta kuptonte preferencën e shqiptarëve për pazar. Kishte zëra se ai ishte mashtruar qëllimisht nga Omer Vrioni më 1822 kur ky i fundit, në kundërshtim me pikëpamjen e tij, u përpoq ta merrte Mesollongjin me negociata në vend se ta merrte me sulm. Ndërkohë grekët ishin përforucar dhe ishin bërë të vetëdijshëm për planet e tij.

Në kohën kur Aslan Beu dhe Osman Aga u përballën me Ypsilantin në Petra në shtator 1829, Mehmed Reshid Pasha kishte arsye të tjera të mbledhura në kohë për të qenë i acaruar me shqiptarët.

Era frynte qartazi kundër Perandorisë Otomane që më 1827. Në prill të vitit 1827 Kapodistria u caktua guvernator i Greqisë ; në korrik, u vendos në Londër ndërhyrja europiane në anën greke dhe në tetor ajo hyri në fuqi me betejën detare të Navarinos. Gjenerali Richard Church, kryekomandanti filohelen i Ushtrisë Greke, Kishte nisur tashmë të rikapte Rumelinë. Mandej shpërtheu lufta ruso-turke në prill 1828 dhe përparimi rus verën që pasoi, e bëri fare të qartë se pavarësia greke po vinte dhe se aktivitetet ushtarake po shkonin pashmangshëm drejt fundit. E mundur dhe e thyer, Perandoria kishte nevojë keqas për fuqi njerëzore, por nuk ia lejonte dot vetes këtë. Shqiptarët e papaguar në ushtrinë egjiptiane të Ibrahim Pashës në Peleoponez nisën të dezertonin dhe të negocionin me grekët edhe vetë kështjellat që supozohej se duhet t’i ruanin. Mustafa Pashë Bushatlliu i Shkodrës kërkoi koncesione territoriale për të hedhur gegët e tij kundër rusëve. Bejlerët toskë refuzonin me kokfortësi lutjet për ndihmë të Kütahı-ut teksa ai po përpiqej të ndalte invazionin grek thellë në malet e Rumelisë Perëndimore.

Në vend të kësaj, ata kishin nisur pourparlers me grekët. Disa ishin gati të shkëmbenin zotërimet e tyre për një sasi të madhe parash. Bejlerë të tjerë u vunë kundër grekëve vetëm kur Serasqeri u fut në frontin ballkanas në mars 1829 ; por ishte shumë vonë. Qyetet e Rumelisë u kthyen në greke njëri pas tjetrit pa ndonjë rezistencë serioze nga rojet e tyre shqiptare. Intruzioni i papritur dhe i suksesshëm i Aslan beut në jug, kur otomanët po mbanin ende Athinën, nuk e ndryshonte dot fatin e luftës. Forcat e Bushatlliut ishin tërhequr po ashtu nga fronti bullgar kundër dëshirës kjo të gjeneralëve otomanë. Përcaktimi i bërë në Adrianopojë për kufirin greko-otoman që do të kalonte në vijën Volos-Ambraki, ishte goditja fatale.  Rumelia u humb mesa duket përgjithnjë dhe shqiptarët kishin kontribuuar në mënyrë domethënëse për këtë fund, ndonëse ky rajon ishte me interes ekonomik jetik për ta. Pse kështu ?

Në verën e vitit 1826 u bë e qartë në mënyrën më të përgjakshme se Porta ishte e vendosur të formonte një ushtri të rregullt. Kjo ishte një goditje e rëndë jo vetëm për jeniçerët, por gjithashtu për shqiptarët, struktura sociale e të cilëve varej ndjeshëm mbi sistemin mercenarizues. Prestigji i liderëve të klaneve ishte i lidhur me numrin e ndjekësve të tyre të armatosur dhe mirëqenia e tyre ekonomike nga paradhënia e Portës për rekrutimin dhe mbështetjen e ushtarëve. Vetëm një pjesë e këtij kapitali ata ua paguanin njerëzve të tyre; pjesa tjetër huazohej me interes deri sa fushata të mbaronte dhye llogaritë rregulloheshin.

Si rregull rekrutët ishin më pak nga sa premtohej, duke mundësuar kështu fitime shtesë për kontraktorët. Shpërblimi, e ardhura e gjeneruar nga tregtia e skllevërve dhe plaçkitje të tjera, ishin ekstra, të cilat luftëtarët kryesorë dhe ndjekësit e tyre bazoheshin për të përmbushur nevojat e veta, sidomos nëse paradhëniet vonoheshin. Ndërkohë që lufta greke po shkonte drejt fundit edhe ky sistem përfitimi po mbyllej. Në atë kohë Porta kishte kontraktuar një borxh të brendshëm të stërmadh prej milionash ndaj veteranëve shqiptarë, të cilin ajo nuk ishte në gjendje ta mbulonte. Prishja nuk ishte një prioritet për liderët e kujdesshëm. Ata duhet të fitonin kohë.

Në vitin 1828, Mehmet Reshidi ia doli të rimerrte postin e Valiut në Janinë dhe të hiqte Omer Vrionin. U arrit një kompromis në Konstandinopojë(Stamboll) për të paqëtuar shqiptarët. Në mënyrë të tërthortë ai zgjati jetën e sistemit të merecenarizmit në këmbim për pagesat e vonuara. Serasqeri mbështetej ende nga disa bejlerë, jo të gjithë me ndikim. Veli bej Jaxhi dhe vëllai i tij, Myslimi, Beqir aga i Papulit, Sulejman bej Konica dhe i respektuari Tahir Abazi, kreu më i aftë veteran i Ali Pashës, ishin disa prej tyre. E megjithatë, këta bej dhe komandantët e tyre lokalë nuk mund të garantonin disiplinën e trupave që nuk ishin paguar. Ata madje shtuan edhe taksa të mundishme mbi kristianët për të komensuar veten apo dezertuan nga detyrat e tyre për të shmangur angazhimin me grekët, më pas duke iu afruar gjirit të Ambrakisë dhe lëvizur në rajonet malore të Agrafës. Forcat e Veli beut ishin të pamjaftueshme për t’u kundërpërgjigjur.

E gjitha kjo nuk nënkuptonte se fuqia shqiptare kishte avulluar apo se pasuria e tyre ishte ezauruar e gjitha. Ajo ishte aty, por ishte përtej rrezes së Kutahi-ut, në duart e një konfederate anti-otomane të drejtuar nga pasaniku Iljaz bej Zylyftar Poda, dikur krahu i djathtë(mbajtësi i shpatës) së Ali Pashës, një ekspert i komploteve dhe politikës dhe më pak në çështjet ushtarake. Ai kishte dezertuar dhe ishte denoncuar nga Porta më 1823-in. Me të ishin rreshtuar Shahin bej Delvina dhe Ismail bej Vlora, pinjoll i një familjeje të njohur. Komandantët më të mirë ushtarakë të lidhjes ishin i sipërpërmenduri Aslan bej Buzi dhe vëllezërit e tij, Rakipi dhe Kapllani. Mund të thuhet se këta njerëz po ndiqnin gjurmët e Ali Pashës. Poda po inkurajonte hapur një riafrim me krerët e Rumelisë, të njohur të vjetër të tijët nga oborri i Aliut ; Shahini dhe Ismaili ishin në kontakt me vëllain e madh të Kapodistrias, Viaros, në një përpjekje për të rindezur marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe mundësisht të koordinonin operacionet ushtarake.

Megjithatë ata nuk po kërkonin për një aleancë formale detyruese ushtarake me rebelët, as edhe dëshironin të jetonin nën sundimin Kristian, siç dyshonte Mehmed Reshidi. Në një letër të drejtuar bejlerëve të tjerë, Ismail Vlora deklaronte se shqiptarët duhet të merreshin vesh me grekët përderisa ata kishin mbrojtur vendin e tyre(vatan)dhe kishin vënë rregull në shtëpinë e tyre të mjerë. Kjo nuk duhet interpretuar si një thirrje për pavarësinë nacionale shqiptare. Ajo çfarë ata donin realisht ishte të kishin një zë në politikën otomane dhe të rimerrnin hegjemoninë e tyre ushtarake. Ndërkohë që mobilizimi i detyruar ushtarak(nizam)ishte një kërcënim iminent, Vlora u bëri thirrje atyre që të ngriheshin kundër Serasqerit, që ishte i vendosur ta nënshtronte Shqipërinë. Vlora nuk ishte një pre e lehtë për Kutahi-un, por ai u vra në janar të vitit 1829, pas një komploti të pamëshirshëm dhe befasues. Pak më pas Mehmed Reshidi u caktua Vezir i Madh dhe u largua për në frontin rus. Asllan beu, Zylyftar Poda dhe pasuesit e tyre ishin në liri të plotë duke u përpjekur të nxirrnin maksimumin nga kjo anarki ; kohë pas kohe ata ishin aktivë kundër grekëve por refuzonin vazhdimisht të mbështesnin planet e Serasqerit. Ndërsa përhapeshin zëra për kolapsin e frontit në Bullgari, kjo sjellje oportuniste nisi të adoptohej edhe nga bejlerë të tjerë shqiptarë. Kishte një përshtypje të përhapur për një revolucion të afërt të përgjithshëm që po priste liderin e vet për të shpërthyer. Ishte gjë e njohur se ky ishte misioni i Mustafa Pashë Bushatlliut të Shkodrës. Askush tjetër nuk barabitej me pasurinë dhe fuqinë e tij apo edhe lidhjet politike në Ballkan dhe Egjipt.

Të gjykosh mbi politikën e partisë anti-otomane shqiptare, është e pamundur nëse nuk njeh mirë kampin grek në Rumeli. Pas rënies së Mesollongjit(prill 1826) beteja greke hyri në fazën e vet më kritike. Kur ra Akropoli në Athinë më 1827, pak njerëz besonin se kishte një shans për një shtet sovran dhe më pak akoma, se Rumelia do të ishte pjesë e tij. Kapitenët dhe armatolët duhet të vendosnin me kujdes të ardhmen e tyre. Statusi i tyre si luftëtarë varej nga provinca të caktuara, të cilat paraardhësit e tyre i kishin mbikëqyrur për breza, në disa raste me shekuj, nën patronazhin e Portës dhe së fundmi nën hirin e kontrollit direkt të Ali Pashës. Në këto provinca ndodheshin tokat dhe kullotat që ata kontrollonin dhe burime të tjera të ardhurash si taka për fermat, që siguronte pasurinë e tyre dhe mbatjen e ndjekësve të armatosur(palikaria). Një rrjet i bazuar në lidhje ndërmartesore dhe mbi forma të tjera të lidhjeve sociale që mbronin të drejtat e tyre nga uzurpimi. Aleancat me klanet shqiptare ishin po ashtu të domosdoshme për të mbijetesën në kohë paqeje dhe lufte. Pa aleancën me Ali Pashën, çdo lider me klanin e tij ishte i destinuar të asgjësohej. Vuajtjet e njohura mirë të klaneve suliote janë dëshmia e fatkeqësisë që sillte neutraliteti. Pas vdekjes së Aliut, megjithatë, praktika e ndryshimit të kampeve kishte arritur ngopjen. Në vitet 1826-1827, restaurimi i kontrollit otoman në Sterea Hellas e bëri të qartë se kapedanët armatolë duhet të kujdeseshin për veten, ndjekësit e tyre dhe provincat. Kapitullimi, i vërtetë ose i rremë, ishte një praktikë tradicionale, një shenjë mençurie më tepër sesa frike. Sigurisht, në ditët e revolucionit kombëtar, kapitullimi mund të jetë dhe në fakt interpretohej si tradhëti; megjithatë ajo u dukej një ide e mirë disa kapedanëve në atë kohë.

Por më pas, në pak muaj, era e luftës kundër otomanëve ndryshoi dhe ekspedita e suksesshme e Church në Rumeli, inkurajoi disa prej tyre ta rikonsideronin këtë opsion. Ata nuk u shkëputën nga kampi otoman të gjithë me të njëjtin ritëm dhe me të njëjtën bindje. Ata duhet të luanin të sigurtë qëkurse nuk kishte siguri për të ardhmen e frontit të Greqisë përpara Traktatit të Adrianopojës. Besnikëria ndaj Portës mund të përdorej si avantazh për përmbushjen e shërbimeve të tyre. E ardhmja e tyre në kampin grek ishte e paqartë, teksa Guvernatori Kapodistria ishte i vendosur të kthente forcat revolucionare në ushtri të rregullt. “Rregullësia” nënkuptonte kufizime në numrin e oficerëve, sidomos ata të niveleve të larta, formimin e njësive me ushtarë të regjistruar dhe një sistem të qendërzuar kontrolli financiar që do të racionalizonte llogarinë e pagesave.

Asnjë prej këtyre masave nuk të joshte por disa kryetarë bënë jë përpjekje, të motivuar më shumë nga parashiimet e favorshme për kufirin në Protokolin e tretë të Londrës(mars 1829) dhe më pak nga rryshfetet në para. Kontributi i tyre ishte jetik për vendosjen e balancës së forcës ndërkohë që krahu otoman po shpërbëhej.

Së pari ishte çështje përshtypjesh. Dihej se ata nuk do të ndryshonin krah nëse nuk do të ishin bindur se kryengritësit nuk do të fitonin. Pjesëmarrja aktive por e rrezikshme e Armatolëve pritej të siguronte më shumë territore për Greqinë.

Por ata ishin të dobishëm edhe në një mënyrë tjetër. Ata bindën me lehtësi ish-shokët e tyre shqiptarë që të braktisnin rezistencën e papaguar në këmbim të një kalimi të sigurtë nga fortifikimet e rrethuara, të cilin e ata e garantonin personalisht si ndërmjetës. Ishte në këtë kontekst të një kompromisi jozyrtar dhe rrëmuje ushtarake që lidhja anti-otomane shqiptare tentoi, përgjatë vitit 1829, të rekrutonte aleatë grekë kundër Portës. Teksa po iknin nga Sulltani, ata supozuan se grekët, në atë kohë në një ofensivë të dobët, kishin të gjithë motivimin e duhur, si një shtet që po bëhej dhe si individë plaçkitës, që të siguronin një mbështetje solide për një tjetër raund lufte, që duhej të lehtësonte realizimin e një kauze të përbashkët, e megjithatë ende të keqpërkufizuar. Ata kishin të drejtë vetëm pjesërisht që mendonin kështu…(vijon). 

Comments

Submitted by Xhoni (not verified) on

shum palidhje ka shume info

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.