Pse nuk i beson kush shtetit shqiptar?

Postuar në 13 Korrik, 2022 19:39

Sot paradite, ministers së Financave Delina Ibrahimaj i erdhi radha të fliste për draftin e amnistisë fiskale. Në  një takim me biznesin e huaj në vendin tonë, Ibrahimaj citohet të jetë shprehur ndër të tjera se:

Ka një nivel të lartë të parave informale. Nga 1991 nuk ka pasur stimul për të legalizuar këto para. Kemi sistemet per te gjurmuar flukset e dyshimta te parave

Siç mund të merret me mend, kjo është nga ato deklarata që janë faturë e angazhimit politik, pasi një ministër serioz nuk flet dot kështu, pra në faull të logjikës. Nëse kemi sistemet e gjurmimit të fluksit të parave të dyshimta, si erdhi puna që mbërritëm te nevoja për amnisti? Po sot, si një shuplakë ndaj këtij mesazhi erdhi reagimi i Dhomës Amerikane të Tretgtisë që ndër të tjera ka cilësuar se:

Dispozitat e këtij projektligji nuk ofrojnë garanci që individë me aktivitete kriminale serioze si droga, trafiku i qënieve njerëzore, pastrimi i parave janë të përjashtuar nga amnistia.

Zbatimi i amnistisë do të sjellë konkurrencë të pandershme, duke favorizuar individë me aktivitete të shkuara të paligjshme, nëpërmjet tre situatave të ndryshme:

a. Shmangia e pasojave të sistemit gjyqësor;

b. Investimi i fondeve nëpërmjet kanaleve jo të ligjshme në ekonominë formale;

c. Pagesa e një norme tatimore më të ulët (5-10%) në krahasim me ato të përfshira në aktivitete të ligjshme, e cila aktualisht qëndron në një normë totale 32%. Për rrjedhojë, këto situata do të ulin pajtueshmërinë tatimore në Shqipëri në të ardhmen.

Duke qenë se Shqipëria ndodhet në listën gri të pastrimit dhe parandalimit të parave nga Moneyval, zbatimi i kësaj amnistie në këto momente kur Shqipëria ende po punon për rritjen dhe forcimin e strukturave monitoruese do të sjellë një stuhi të ekonomisë informale. Shqetësimi ynë kryesor është se miratimi i këtij projektligji do të rrezikonte pozitën zyrtare të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke rrezikuar procesin e anëtarësimit në BE

Vërejtjet e bëra paralajmërojnë se me një draft të vetëm Edi Rama mund të rrezikojë funksionimin e sistemit ekonomik në Shqipëri, të neutralizojë besimin e mbetur te vlera e ligjit dhe të dëmtojë integrimin. Vallë këtë nuk e kupton ministrja që është eksperte e fushës? Vallë shqetësimet nuk janë përcjellë në rrugë private dhe informale saqë të mbërrijmë këtu? Kë po shantazhon kryeministri i Shqipërisë, nëse nuk e bën këtë për ndonjë hall?

Janë pyetje që së bashku me asgjësimin e sistemit gjyqësor në vendin tonë i japin kuptim, apo ushqejnë çdo konspiracion, apo çdo analizë që sheh të asgjësohet çdo garanci në këtë vend, sheh sesi edhe ajo pak ekonomi që ka mbetur priret të gangsterizohet. Pyetja që lind këtu: pse vallë këta që e ftojnë Edin kudo, dalin foto me të, e mbështesin, i rrahin krahët, qeshin me gallatën e tij ballkanike, e vënë në detyra e pozicione simbolike, nuk e besojnë atë? Pse nuk kanë besim ata tek Edi që nuk bën marifete me paranë e pistë? Pse nuk po funksionon diplomacia e tij, magjia e skeçeve që inskenon kudo?

Ja një mister i madh për t’ia gjetur përgjigjen për dikë që preferon fotografitë para deklarimeve, por në çdo rast ky mosbesim na jep mësimin se Shqipërisë së z. Rama do t’i besohet diçka nga NATO. Ndoshta prodhimi i tenxhereve, pasi një aleat i vyer siç u shpreh edhe Stoltenberg meriton patjetër diçka.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.