Administratori i incineratorit të Tiranës: Nuk di shumë gjëra, por Kryemadhi s’ka fakte

Postuar në 05 Korrik, 2022 19:35

Ky është Daniel Vermeulen. Një shtetas holandez që prej më shumë se 3 muajsh drejton shoqërinë koncesionare Integrated Energy B.V. SPV Energy e cila vijon të marrë pagesa nga buxheti I shtetit për koncesionin e incineratorit të Tiranës. Ardhja e tij në detyrën e administratorit të kompanisë përkon me kohën kur sapo përfundoi Komisioni Hetimor dhe SPAK lëshoi një sërë urdhër arrestesh për disa punonjës dhe zyrtarë, mes të cilëve edhe ish-administratoren Ariola Kodra.

Pranon të na japë një intervistë ndonëse jashtë kamerës thotë se për shkak të kohës së shkurtër në drejtimin e kompanisë nuk është i përgatitur sa duhet dhe në dijeni të gjithë situatës. E megjithatë, përgjigjia për akuzat e  bëra publike nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi për 24 kompani që në bashkëpunim me incineratorin e Tiranës kanë prerë fatura fiktive është shumë e shkurtër.

Mirë, kam dëgjuar për herë të parë akuzat që u bënë nga znj.Kryemadhi, dhe jam i surprizuar për to, nuk jam familjar me to në fakt, mendoj se ska fakte pas tyre. Jam i surprizuar prej tyre. Për kompanitë nuk kam informacion, duhet të pyesni znj.Kryemadhi meqenëse është ajo që i përmendi.

Në këtë linjë ishte edhe reagimi i kompanisë, e cila mohoi që të kishte shkëmbim tregtar me kompanitë e përmendura nga zonja Kryemadhi. Zotin Vermeulen e pyesim nëse ka dijeni për dy të moshuarit Haxhire Gurakuqi dhe Thanas Çani, të cilët figurojnë me kompani 30 milionë euro sipas një skeme të lidhur  me inceneratorin e Tiranës?

Po flisni për ata dy të moshuarit? Po, e kuptoj. Nuk kam dëgjuar asnjëherë për ta dhe nuk kanë në fakt asnjë lidhje me kompaninë tonë.

Na thotë se nga drejtësia nuk i janë kërkuar shpjegime dhe se që prej marrjes së detyrës në zyrë nuk i ka shkuar asnjë prokuror I SPAK

Di që kanë ardhur zyrtarë të SPAK këtu përpara se unë të merrja detyrën e administratorit, tani jo, nuk ka patur vizita nga ta.

Por si i përgjigjet ai akuzave se inceneratori i Tiranës nuk ekziston pavarësisht se kompania Integrated Energy B.V. SPV Energy vijon të marrë pagesa nga buxheti I shtetit në një shumë që i ka kaluar të 35 milionë dollarët?

Dëgjo, menaxhimi i trajtimit të mbetjeve në Tiranë është shumë komplekse. Nuk ka të bëjë vetëm me incenerimin e tyre, ne kemi shumë projekte në fakt, jo vetëm kjo. Prandaj edhe ato projekte janë të skeduluara dhe do të kryhen sipas afateve në kontrata. Pagesat që marrim nga shteti përdoren për shërbimet, pra për menaxhimin e impiantit. Kurse për projektet jo, për to ka dhe duhet të ketë fond nga privati.

Sipas Kontrollit të lartë të Shtetit Ministria e Financave dha dakordësinë e saj për këtë projekt edhe pse nuk kishte një studim fizibiliteti dhe në kohën kur është miratuar kontrata, qeveria nuk i kishte paratë. Përveç faktit se Ministria e Mjedisit dha miratimin për këtë projekt pa u marrë një vendim nga këshilli bashkia por vetëm me një konfirmim të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Përtej debatit publik në impiantin e Sharrës puna vijon normalisht, ku me dhjetëra mjete të tonazhit të rëndë të cilat hyjnë dhe dalin çdo minutë për të sjellë mbetje dhe inerte.

MCN TV

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.