Sipërmarrësit italianë, letër ankese: Portali e-albania krijon kosto artificiale, probleme edhe me konfigurimin

Postuar në 03 Qershor, 2022 14:31

Revista “Monitor” raporton sot se Shoqata e Industrialistëve Italianë në Shqipëri është ankuar zyrtarisht pranë Ministrisë së Financave për funksionimin e shërbimit e-albania.

Aplikimet online nëpërmjet portalit e-albania, që janë bërë të detyrueshme dhe pa asnjë alternativë tjetër që nga data 1 maj, po i krijojnë biznesit vështirësi të panumërta. Nuk mund të iniciohet me sot me nesër një ndryshim rrënjësor pa lënë mundësi për zgjidhje të tjera alternative, me idenë që, nëse sistemi ka probleme, i rregullojmë rrugës. Rregullimi i problemeve të sistemit online shkakton paqartësi te sipërmarrja, penalizon biznesin për gabime që s’varen prej tij dhe krijon kosto artificiale të paparashikuara dhe të padrejta për sipërmarrjen private. Portali duhet të kishte kaluar përmes një periudhe prove derisa të kolaudohej tërësisht, për të shmangur çrregullimin, kostot dhe mosbesimin tek shërbimet online.

Me ligjin nr. 7/2022 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9723, datë 3.5.2007, “Për regjistrimin e biznesit”, të ndryshuar, penalitetet për regjistrime të detyrueshme të vonuara u ndryshuan nga 15.000 lekë në 60.000 lekë. Ndërkohë aplikimet online të regjistrimeve të detyrueshme hasin vështirësi të shumta. Portali e-albania shpeshherë edhe me orë të zgjatura bllokohet dhe nuk arrin të përdoret. Subjektet penalizohen edhe kur e-albania nuk funksionon për shkaqe të vetë portalit. Të gjitha komunikimet kryhen nëpërmjet postës elektronike. Përgjigjet në lidhje me regjistrimet e detyrueshme, edhe pse duhet të kenë prioritet për të mos penalizuar biznesin, zgjasin nga 5 deri në 10 ditë pune

thuhet në letër.

Përtej problemeve teknike që paraqet portali, nga përfaqësuesit italianë janë vënë re edhe probleme të konfigurimit që çojnë në privacion të drejtash dhe mandej penalitet.

Regjistrimi i ndryshimit të afatit të administratorit shpesh nuk është i vlefshëm edhe në rastin kur është vetë administratori i kompanisë që kryen aplikimin.

Në rastet kur administratori është i huaj dhe nuk ka asnjë ndryshim në të dhënat e tij/saj, sistemi kërkon dhe pranon vetëm adresë shqiptare. E njëjta problematikë haset edhe në rastet e depozitimit të pasqyrave financiare. Depozitimi i pasqyrave financiare është praktikë e konsoliduar prej vitesh, por pavarësisht kësaj, nuk njihen të dhënat e administratorëve të huaj.

Në portalin e-albania nuk ekziston shërbimi për rezervimin e emrit, parashikuar në nenin 24 të ligjit “Për regjistrimin e biznesit”. Mungesa e këtij shërbimi sjell si pasojë rritjen e kostove të përgatitjes së dokumentacionit për hapjen e kompanive të huaja.

Problematika shfaqen edhe te certifikatat e fiskalizimit, pasi portali jo gjithmonë dërgon imeile automatike për ripërtëritjen e certifikatës. Mungesa e shpeshtë e këtij shërbimi çon në përfundimin e vlefshmërisë së certifikatës, ndërsa afatet e pajisjes me certifikatë të re janë shtyrë në 10 ditë pune, duke krijuar probleme për lëshimin e faturave të fiskalizuara në kohë reale

citon letrën “Monitor”.

Problemet janë shumë serioze jo pse në portal mungojnë disa kategori, apo rubrika, por sepse kalimi drejt shërbimit online, është bërë pa studim real profesional, duke mos parashikuar këto probleme. Interesante mbetet megjithatë se njoftimi zyrtar i parë që të shfaqet sa hap portalin, është se ai vetëm ndërfaqëson të dhëna, nuk I gjeneron ato, ndërkohë që kufizimet e hasura nga investitorët italianë lidhen direkt me skemën funksionale të portalit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.